Kuvendi nën masë të përkohshme, Kushtetuesja s’e ka publikuar ende aktgjykimin

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po vazhdojnë të jenë nën masën e përkohshme të Gjykatës Kushtetuese, duke mos pasur të drejtë të ndërmarrin asnjë veprim apo vendim drejt konstituimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e mbajtura më shumë se gjysmë viti më parë. Kushtetuesja këtë të martë publikoi vendimin pas ankesës së Listës Serbe…

Lajme

04/10/2025 08:09

Deputetët e Kuvendit të Kosovës po vazhdojnë të jenë nën masën e përkohshme të Gjykatës Kushtetuese, duke mos pasur të drejtë të ndërmarrin asnjë veprim apo vendim drejt konstituimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e mbajtura më shumë se gjysmë viti më parë.

Kushtetuesja këtë të martë publikoi vendimin pas ankesës së Listës Serbe lidhur me votimin ndaras të kandidatëve për nënkryetarë të Kuvendit të Kosovës nga radhët e pakicave.

Sipas këtij vendimi, Kuvendi ende mbetet i pakonstituuar dhe se seanca konstituive e nisur më 15 prill duhet të përfundojë brenda 12 ditëve nga hyrja në fuqi e aktgjykimit të 30 shtatorit.

Megjithatë, aktgjykimi i plotë ende nuk është publikuar në faqen e Kushtetueses, andaj vazhdon të mbetet në fuqi masa e përkohshme e vendosur më 5 shtator.