Kuvendi (ndoshta) mblidhet javën tjetër

Deputetja e PDK-së, Flora Brovina ka deklaruar se vazhdimi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, do të thirret javën e parë të shtatorit, por për këtë sipas saj nevojitet harmonizimi i faktorit politik.

Lajme

25/08/2014 14:39

Në aktgjykimin e Gjykatë Kushtetuese me të cilin i dha të drejtë PDK-së në kërkesën e saj lidhur me kushtetutshmërinë e seancës konstituive, thuhet mes tjerash se “seanca e 17 korrikut është e papërfunduar, dhe se ajo duhet të vazhdojë me zgjedhjen e kryetarit dhe të nënkryetarëve”.

Sipas kësaj, kompetente për thirrjen e seancës së Kuvendit për vazhdimin e saj mbetet kryesuesja e seancës, Flora Brovina, si deputetja më e vjetër e zgjedhur në zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit.

Brovina ka thënë për Radio Kosovën se po pret të publikohet aktgjykimi i plotë nga Gjykata Kushtetuese dhe menjëherë më pas, do të fillojë konsultimet me grupet parlamentare për vazhdimin e seancës.

Ajo ka thënë se megjithëkëtë nevojitet harmonizimi i faktorit politik që seanca të mbahet në javën e parë të shtatorit.

Ndërkohë nënkryetari i Partisë Demokratike, Xhavit Haliti ka theksuar se ende nuk është vendosur asgjë, nëse PDK do të propozojë përsëri Agim Aliun për kryetar të Kuvendit, por konsideron se partitë politike do të duhej të mbështesin kandidatin e PDK-së, bazuar në Kushtetutë.

“Unë mendoj që partitë politike, në këtë rast duke përfshirë lidershipin, do të duhej të uleshin dhe të bisedonin lidhur me lehtësimin e mundshëm të zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit të Kosovës nga ana e PDK-së. Mendoj se nëse shtyhemi me inate dhe nuk e respektojmë Kushtetutën e vendit, atëherë është një problem për të gjitha ata që nuk e zbatojnë”.