Kuvendi miraton Ligjin për Viktimat Civile

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar ligjin që njeh statusin e të gjitha kategorive të prekura nga lufta. Teuta Haxhiu polemizoi me Kryeparlamentarin Jakup Krasniqi. Rada Trajkovic thotë se i përkrahë të drejtat e grave të dhunuara gjatë luftës.

Lajme

20/03/2014 11:53

Me 69 për, 9 kundër  dhe një abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin për statusin dhe të drejtat e dëshmorëve, invalidëve, veteranëve, pjesëtarëve të UÇK-së, viktimave civile të luftës dhe familjeve të tyre.

Deputetja Teuta Haxhiu u ankua se Kuvendi nuk ka kryer punën e vet siç duhet sa i përket përfshirjes së të gjitha kategorive të prekura nga lufta në këtë projektligj.

Ajo tha se Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi do të duhej që të bënte më shumë presion që disa amendamente të tjera të futeshin në këtë ligj.

“Dëshiroj të ngriti një shqetësim të përfaqësuesve të viktimave të luftës të cilat në asnjë institucion nuk gjetën përkrahje, duke filluar nga Presidentja, nga Kryetari i Parlamentit i cili ju ka premtuar se do të diskutohen shumë amendamente të specifikuara”.

“Ata kanë biseduar edhe me anëtarët e komisionit dhe asnjë përgjigje nuk është gjetur edhe në këto amendamente për këto familje që jetojnë me një shumë prej 135 euro që i mbajnë familjet e tyre. Kjo është më shumë se diskriminuese”.

“Më vjen keq që Kryetari nuk ka bërë presion publik dhe të mundohet që këto amendamente të përfshihen në këtë ligj”.

“Prandaj Kuvendi nuk ka kryer obligimet e tij siç duhet”.

E menjëhershme ka qenë përgjigja e Kryeparlamentarit Jakup Krasniqi. Ai tha se si Kryetar i Legjislativit nuk mundet të amandamentojë ligje pasi që kjo është punë e komisioneve parlamentare.

“Është e vërtet që unë i kam prit ata dhe ju kam thënë që Komisioni është ai që bënë amandamentimin e ligjit. Komunikoni me ta dhe kërkoni nga Komisioni që kur të bëhet debat për këtë çështje ju t’i shfaqni edhe ju mendimet e juaja”.

“Kryetari i Kuvendit as nuk i bënë amadamentet po as nuk i shqyrton. Prandaj është mirë që secili deputet të dijë detyrat”.

“Përndryshe edhe unë kam thënë që edhe ajo kategori si të gjitha kategoritë që kanë pësuar nga lufta duhet ta kenë një jetë të dinjitetshme, duhet ta kenë përkujdesjen e shoqërisë dhe të institucioneve të shtetit”.

“Unë më shumë nuk mund të bëj. Vendimmarrja është e seancës dhe puna është në Komisionin parlamentar”, u shpreh Jakup Krasniqi.

Ndërkaq, deputetja serbe, Rada Trajkovic tha se është kundër ligjeve që avancojnë luftën e UÇK’së, por kur bëhet fjalë për të drejtat e grave të dhunuara, ajo është përkrahëse e tyre.

“Është shumë e qartë që unë personalisht jam kundër asaj që e avancon dhe trajton luftën e UÇK-së por në këtë rast kur bëhet fjalë për të drejtat e grave të dhunuara gjatë luftës unë mendoj se kërkesat e tyre janë të drejta”, tha Trajkovic gjatë seancës plenare.