Kuvendi mban sot seancën për buxhetin, opozita kërcënon me bllokim

Kryesia e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka thirrur sot mbledhje të jashtëzakonshme në të cilën duhet të shqyrtohet Projektligji për buxhetin e vitit 2016.

Lajme

17/11/2015 08:00

Vendimin për mbajtjen e kësaj mbledhjeje u mor një ditë më parë, porse menjëherë reagoi opozita, duke porositur se nuk do të lejojë mbajtjen e saj.

Përkundër thirrjes së kryetarit të Kuvendit që edhe deputetët e opozitës të marrin pjesë në seancë, përfaqësuesit e Vetëvendosjes, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës për Kosovën thanë se do të vazhdojnë me veprime për pengimin e funksionimit të legjislativit deri në tërheqjen e nënshkrimeve nga ana e Qeverisë për Asociacionin e Komunave Serbe dhe demarkacionin me Malin e Zi.

Ata nuk treguan se a do të hedhin sërish gaz lotsjellës apo çfarë veprimesh do të ndërmarrin. Deklaruar se do të përdorin çdo mjet në dispozicion për të ndaluar seancën.

Kryeparlamentari Veseli tha se nëse edhe sot vazhdojnë tentimet për bllokim të Kuvendit, do të veprojë në bazë të rregullores, pa precizuar se cilat do të jenë veprimet eventuale.

Ndërkohë, 82 deputetë të mazhorancës i dorëzuan dje Kryesisë së Kuvendit një kërkesë me shkrim për të krijuar kushte më të sigurta gjatë seancave plenare.