Kuvendi kërkon llogari nga KEDS për ndërprerjet e rrymës

Ndërprerjet e vazhdueshme të rrymës nga KEDS me arsyetimin për riparim të rrjetit, kanë nxitur dyshimet e anëtarëve të Komisionit për Zhvillim Ekonomik, në krye me Muhamet Mustafën.

Lajme

09/12/2016 12:12

Ky i fundit, në mbledhjen e fundit të këtij komisioni, sipas procesverbaleve, citohet të këtë thënë se është mjaftë i dyshimtë paralajmërimi për media nga KEDS-i me 15 nëntor ku kishte thënë se do të ketë ndërprerje të rrymës në 68 lokacione në Kosovë, për shkak të meremetimeve.

Madje Mustafa për këtë punë kërkon raport të zgjeruar nga ZRRE lidhur me dyshimet për mashtrime me ndërprerje të rrymës nga KEDS, shkruan Gazeta Fjala.

“Mua m’u ka dukur pak e dyshimtë ajo që në të gjitha ato lokacione, përnjëherë, të bëhet intervenimi dhe i kam bërë kërkesë ZRRE-së, që t’i vërtetojë këto intervenime. ZRRE-ja e ka bërë mbikëqyrjen dhe vërtetimin, dhe si rezultat i asaj, i ka bërë disa kërkesa që të ndërpritet ajo formë e ndërprerjes së rrymës dhe të vërtetohen të gjitha intervenimet. Mirëpo, kjo çështje, siç duket, ende nuk është rregulluar si duhet dhe ne tash presim raportim më të gjerë të ZRRE-së”, ka thënë Mustafa në këtë mbledhje.

Edhe anëtari i këtij komisioni, Rrustem Berisha, ka thënë se edhe përkundër se ZRRE-ja ka lëshuar një vendim më datë 25.11.2016, që nuk ka mirëmbajtje, nuk ka ndërprerje, nuk ka ndërhyrje, prapë sipas tij KEDS-i po vazhdon me këto nderprerje dhe është një shqetësim i madh i qytetarëve.

Pas debatit, Komisioni vendosi që “të kërkohet një informatë e shkurtër, lidhur me atë që të vërtetohet dhe të sqarohet situata më tutje, se çfarë ka ndërmarrë ZRRE-ja dhe çka po ndodh apo sa po zbatohet ky vendim nga KEDS”. /Gazeta Fjala