Kuvendi i Shqipërisë me deklaratë të përbashkët pas aktgjykimit: S’mund të barazohet agresori me viktimën

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një deklaratë të përbashkët pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim. Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka thënë se një aktgjykim nuk mund…

Lajme

17/09/2026 15:52

Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar një deklaratë të përbashkët pas aktgjykimit të Gjykatës Speciale në Hagë ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, të cilët u dënuan me gjithsej 81 vjet burgim.

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi, ka thënë se një aktgjykim nuk mund ta rishkruajë historinë e një populli dhe as ta barazojë agresorin me viktimën.

Në deklaratë, Kuvendi shpreh “indinjatën e thellë dhe mosdakordësinë e plotë” me vendimin, të cilin e cilëson si të padrejtë ndaj katër ish-krerëve të UÇK-së.

Në deklaratë thuhet gjithashtu se një aktgjykim “nuk mund të rishkruajë historinë e një populli”, të zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës apo të barazojë agresorin me viktimën.

Po ashtu, Kuvendi ka deklaruar se qëndron kundër çdo përpjekjeje të Serbisë dhe Rusisë për ta instrumentalizuar politikisht procesin dhe për të delegjitimuar luftën çlirimtare, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.

Kuvendi i Shqipërisë ka bërë të ditur se do të koordinojë veprimet me Kuvendin e Kosovës dhe u ka bërë thirrje dy qeverive që të koordinojnë veprimet, me synim që, sipas deklaratës, kjo çështje të trajtohet dhe të kundërshtohet përmes rrugëve institucionale.

Deklarata e plotë:

Kuvendi i Shqipërisë shpreh indinjatën e thellë dhe mosdakordësinë e plotë me një vendim që e konsideron thellësisht të padrejtë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Kuvendi i Shqipërisë rithekson një të vërtetë historike që nuk mund të relativizohet: lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte luftë për lirinë dhe çlirimin e Kosovës. Ishte lufta e një populli për t’i dhënë fund represionit, dhunës dhe përndjekjes dhe për të fituar të drejtën për të jetuar të lirë në vendin e vet. Ajo lindi si përgjigje ndaj represionit sistematik, dhunës, spastrimit etnik dhe genocidit të kryer nga regjimi i Slobodan Milosheviçit. Pa luftën dhe sakrificën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kundër pushtimit gjakatar serb, historia e çlirimit të Kosovës nuk mund të kuptohet. UÇK-ja ishte forcë vendimtare e rezistencës së popullit të Kosovës dhe e rrugës që çoi drejt çlirimit, lirisë dhe pavarësisë së saj. Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi janë të pandashëm nga kjo histori, nga lufta për çlirim dhe nga rrugëtimi i Kosovës drejt lirisë, pavarësisë dhe shtetësisë së saj.

Një aktgjykim nuk mund të rishkruajë historinë e një populli. Nuk mund të zhbëjë karakterin çlirimtar të luftës së Kosovës apo të barazojë agresorin me viktimën. Nuk mund të zhbëjë sakrificën e UÇK-së.

Kuvendi shpreh shqetësimin e thellë për standardet e dyfishta në trajtimin e së kaluarës së përgjakshme të rajonit. Nderimet publike dhe shtetërore që u rezervohen personave të dënuar për krime lufte, si edhe glorifikimi i figurave të lidhura me gjenocidin dhe spastrimin etnik, përfshirë Ratko Mladiçin, cenojnë kujtesën e viktimave, pengojnë pajtimin dhe bien ndesh me vlerat europiane.

Kuvendi qëndron kundër çdo përpjekjeje të Serbisë dhe Rusisë për ta instrumentalizuar politikisht këtë proces, për të relativizuar krimet e regjimit të Miloševićit dhe për të delegjitimuar luftën çlirimtare, pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës.

Kuvendi i Shqipërisë qëndron në solidaritet të plotë me Kosovën, popullin dhe institucionet e saj, si dhe pranë Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit dhe familjeve të tyre.

E palëkundur mbetet bindja jonë në pafajësinë e tyre dhe po aq e palëkundur mbetet e vërteta historike: UÇK-ja luftoi për lirinë dhe çlirimin e Kosovës.

Ky aktgjykim nuk është fjala e fundit. Kuvendi pret që të gjitha mjetet juridike dhe shkallët e mëtejshme të procesit të ndiqen deri në fund, duke garantuar respektimin e plotë të standardeve të procesit të rregullt ligjor.

Kuvendi i Shqipërisë angazhohet që:

Në të gjitha forumet ndërkombëtare të denoncojë krimet e regjimit serb të Slobodan Milosheviçit në Kosovë, përfshirë aktet gjenocidale, krimet e luftës dhe dhunën seksuale gjatë luftës; të kërkojë drejtësi për viktimat dhe të dënojë mungesën e angazhimit të autoriteteve serbe për zbardhjen e këtyre krimeve, vendosjen e përgjegjësisë dhe garantimin e drejtësisë për viktimat.

Të koordinojë veprimet me Kuvendin e Kosovës, dhe i bën thirrje të dyja Qeverive tona që gjithashtu të koordinojnë veprimet, me qëllim korrigjimin e kësaj padrejtësie në rrugë institucionale.