Kuvendi i Shqipërisë debat për protestën pro UÇK-së, Balla sfidon PD-në: Rama s’do jetë, pse nuk vini?

Seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë është përfshirë nga debate mes maxhorancës dhe opozitës, për shkak të protestës që pritet të mbahet nesër në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Përplasja nisi pasi Partia Demokratike konfirmoi bojkotin e tubimit, duke e konsideruar si një ngjarje me “nuanca kundër…

Lajme

16/10/2025 16:06

Seanca e sotme plenare në Kuvendin e Shqipërisë është përfshirë nga debate mes maxhorancës dhe opozitës, për shkak të protestës që pritet të mbahet nesër në Tiranë në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Përplasja nisi pasi Partia Demokratike konfirmoi bojkotin e tubimit, duke e konsideruar si një ngjarje me “nuanca kundër qeverisë së Kosovës”. Ndërsa socialistët, përmes kryetarit të grupit parlamentar, Taulant Balla, sfidoi opozitën që të bashkohet me qytetarët në sheshin “Skënderbej”. Sipas Ballës, mospjesëmarrja e PD-së në protestën që do të mbahet nesër në Tiranë në mbështetje të UÇK-së tregon qëndrimet e partisë kundër Kosovës. Më pas iu drejton një tjetër ftesë për të marrë pjesë duke thwnw se  Kryeministri Rama nuk do të jetë për shkak se nuk do të politizojë protestën.

“Kuvendi ka miratuar nga 1991 deri në 2025, 9 rezoluta dhe 11 deklarata sa i përket gjithçka ka ndodhur në Kosovë nga ‘91 e deri në 2025/ Po shikoja rezolutën e miratuar në ’91 me konsensus të plotë nga deputetët e asaj legjislaturë, shumë kuptimplotë për momentin që ka jetuar Kosova. E kështu me radhë vit pas viti. Ua kam bërë gati. Do të kërkoja që përpara se të hedhim në votim këtë kërkesë tuajën të radhës t’i lexoni dhe nuk do të harxhoj më asnjë sekond nga koha e vyer e Kuvendit për këtë çështje për të cilën ua kemi dhënë përgjigjen shpesh. Por po kaloj në diçka që është emergjente, asgjë që vjen nga Berisha, e kur lidhet me Kosovën nuk ka ardhur dhe s’ka për të ardhur kurrë ndonjëherë për mirë. Vendimi i PD i bërë publik dje për të bojkotuar protestën e nesërme mbarëkombëtare në mbështetje të UÇK është konfirmim i qëndrimeve dhe veprimeve kundër interesit të Kosovës. Meqë thatë se nuk doni të jeni përkrah kryeministrit, ai nuk do të jetë nesër. Pse nuk vini? Me kushtin që të mos e politizojë. Bëni dhe ju nesër një protestë meqë nuk doni me veteranët e luftës së UÇK. As me ne, bëni një tuajën. Mos hajdeni në shesh, por bëjeni në Shqup ose në ndonjë shesh tjetër dhe me këtë rast do tu vijë më shumë.”, tha Balla.”, tha Balla.

Në një reagim, ish-kryeministri Sali Berisha hodhi akuza ndaj Edi Ramës, duke e cilësuar si “argat të Aleksandar Vuçiç” dhe duke këmbëngulur se protesta synon të godasë qeverinë Kurti dhe pavarësinë e Kosovës.

“Gjatë periudhës 1998-1999 forcat serbe kryen rreth 100 maskara të evidentuara ndaj popullsisë së saj. Kështu u vranë rreth 1400 fëmijë. Ata që shkelin mbi gjakun, sakrificën e tyre, këtij gjenocidi të tmerrshëm, ata nuk janë shqiptar, por nuk janë njerëz, Ju të tillë nuk mund ta paraqisni veten. Këto janë shifra të rezolutës që parlamentit të Kosovës që ne duhej ta adoptonim menjëherë. Të mos shohësh veten si shqiptar, do të thotë të jesh një qenie pa ndërgjegje. Kjo është jashtë lloj koncepti, po si mund të transformoni gjakun tuaj ju, edhe ju keni në familje tuaj njerëz që kanë luftuar, që kanë rënë për atdhe. A mundet një shqiptar, të shkelmojë mbi këtë gjak, po pse e bëni këtë sepse kreu juaj është një argat i Vuçiç, pse e bëni këtë sepse kreu juaj është shërbëtor i Vuçiç. Vrasja për shkaqe etnike e civilëve është gjenocid. Çfarë ju shtyn të jeni kaq të pandjeshëm ndaj një çështje më thelbësore në ndërgjegjen e njeriut, në ndërgjegjen kombëtare. Ku e gjeni forcën ju të shkelmoni mbi gjakun dhe jetën e këtyre njerëzve. Edhe serb po të ishin do të votoja po ta kishin bërë shqiptaret. Edhe maqedonas po të ishin do ta votoja po ta kishim bërë shqiptarë. Gjenocidi është krimi më i shëmtuar. Ju bëheni bashkautorë në krim me Ramën”, tha Berisha.

Deputetë të tjerë, përfshirë Pirro Vengu dhe Ulsi Manja, mbrojtën politikën e qeverisë për Kosovën dhe i bënë apel opozitës për bashkëpunim.