Kuvendi i LDK-së – Gecaj: Pres që të enjten ta kemi guximin të reflektojmë, të ndryshojmë dhe të ecim përpara – besoj se do të nisë një kapitull i ri edhe për Kosovën

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, ka deklaruar se pret që Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së të shërbejë si moment reflektimi dhe nisje e një kapitulli të ri për partinë, duke theksuar se nuk pret përçarje, por bashkim rreth vlerave të saj. Në një përgjigje për lajmi.net, Gecaj tha se pret që LDK-ja…

Lajme

28/07/2026 16:39

Anëtari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Bajram Gecaj, ka deklaruar se pret që Kuvendi i Jashtëzakonshëm i LDK-së të shërbejë si moment reflektimi dhe nisje e një kapitulli të ri për partinë, duke theksuar se nuk pret përçarje, por bashkim rreth vlerave të saj.

Në një përgjigje për lajmi.net, Gecaj tha se pret që LDK-ja ta dëshmojë edhe një herë traditën e saj demokratike.

“Nga Kuvendi i Jashtëzakonshëm pres që Lidhja Demokratike e Kosovës ta dëshmojë edhe një herë se është partia e vetme serioze në Kosovë që ka ndërtuar procedura, kulturë dhe frymë të mirëfilltë demokratike, duke e tejkaluar me pjekuri edhe çështjen e ndërrimit të lidershipit. Ndonëse jo gjithmonë pa dhimbje, ne kemi zgjedhur deri më tani tre liderë pasues të Presidentit Historik, Dr. Ibrahim Rugova, duke u rreshtuar prapa udhëheqjes së zgjedhur, siç vepruam edhe më 31 janar të këtij viti. Prandaj, pres që të enjten ta kemi guximin të reflektojmë, të ndryshojmë dhe të ecim përpara, sepse LDK-ja ka nevojë për energji të re, strategji ndryshe, veprime më të fuqishme dhe besnikëri të palëkundur ndaj vlerave të trasuara tash e 37 vjet. Pakënaqësi mund të ketë, por nuk pres përçarje apo thyerje të reja, sepse LDK-ja ka nevojë për secilin prej nesh dhe për shumë të tjerë që duan t’i bashkohen. Besoj se nga ky Kuvend do të nisë një kapitull i ri, jo vetëm për LDK-në, por edhe për Kosovën”, deklaroi Gecaj për lajmi.net.

LDK-ja ka bërë të ditur se kryetari i saj, Lumir Abdixhiku, ka thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm pasi u plotësua kushti statutor që kërkon mbështetjen me nënshkrim të së paku një të tretës së delegatëve. Seanca është caktuar të mbahet të enjten, më 30 korrik.

Në reagimin e tij pas thirrjes së Kuvendit, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, bëri të ditur se e ka thirrur Kuvendin e Jashtëzakonshëm pas kërkesës për shkarkimin e tij. Ai e cilësoi këtë proces si të panevojshëm, të pakohë dhe të njëanshëm, por theksoi se do ta respektojë vendimin në emër të demokracisë. Abdixhiku u bëri thirrje delegatëve të qëndrojnë të bashkuar, duke shprehur bindjen se Kuvendi mund t’i japë LDK-së qartësinë që i ka munguar dhe se pas këtij procesi partia do të mund të përqendrohet në sfidat përpara./lajmi.net/