Kuvendi diskuton të premten për migrimin

Kuvendi i Kosovës, pas mbledhjes së sotshme të kryesisë së këtij institucioni, ka vendosur të premten në ora 10:00 të mbajë seancë të jashtëzakonshme. Temë diskutimi do të jetë procedimi i ligjit për pjesëmarrje në luftërat e huaja e migrimin ilegal.

Lajme

21/01/2015 13:53

Kryesia e Kuvendit ka vendosur që të premten ta mbajë mbledhjen e jashtëzakonshme, ku do të diskutojnë, ndër të tjera, për migrimin ilegal dhe ligjin për ndalimin e pjesëmarrjes në luftëra të huaja.

Shefja e Grupit Parlamentar të AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, ka treguar se migrimi ilegal ka qenë inicim për t’u diskutuar nga partia e saj.

Ndersa sa i përket çështjes së ministrit për Kthim, Aleksandar Jabllanoviq, ajo thotë se grupi parlamentar i AAK-së ka iniciuar çështjen e interpelancës, ku rekomandim i vetëm është shkarkimi i ministrit në fjalë.

“Ne veçse kemi kërkuar që Mustafa të vije në Kuvend dhe të përgjigjet para një interpelance të deputetëve. Rekomandim i vetëm në këtë kërkesë është që të shkarkohet”, ka potencuar Kadaj-Bujupi.

Ajo ka thënë se ligji për Trepçën nuk ishte sot pikë e rendit të ditës në kryesi, mirëpo thotë se partia e saj do të vazhdojë të kërkojë ligjin për ndërmarrjet publike, i cili është proceduar.

Protesta e cila tashmë është paralajmëruar për të shtunën, kundër privatizimit të Trepçës e deklaratave të ministrit serb Jabllanoviq, deputetja Kadaj-Bujupi ka thënë se do t’i bashkohet edhe AAK-ja. Këta kanë konsideruar që kjo protestë do të jetë përgjigje për të gjithë ata që kanë marrë vendime të dëmshme për Trepçën.