Kuvendi deklarohet për seancën e sotme konstituive, përmend edhe përplasjen e Deharit me deputetet e ish-opozitës

Kuvendi i Kosovës e ka publikuar një përmbledhje të shkurtër rreth ecurisë së seancës së 38-të konstituive. Në këtë seancë pati diskutime më të ashpra nga tri deputetet e ish-opozitës, Vlora Çitaku, Hykmete Bajrami dhe Time Kadrijaj, pas kërkesës së kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për propozim të emrave për anëtarë të Komisionit për zgjedhjen…

Lajme

29/06/2025 14:44

Kuvendi i Kosovës e ka publikuar një përmbledhje të shkurtër rreth ecurisë së seancës së 38-të konstituive.

Në këtë seancë pati diskutime më të ashpra nga tri deputetet e ish-opozitës, Vlora Çitaku, Hykmete Bajrami dhe Time Kadrijaj, pas kërkesës së kryesuesit të seancës, Avni Dehari, për propozim të emrave për anëtarë të Komisionit për zgjedhjen e kryetarit me votim të fshehtë.

Me këtë rast, ato e morën fjalën për të kundërshtuar këtë pikë, duke arsyetuar aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

Në këtë pikë, kryesuesi Dehari ua ndali fjalën.

Kjo gjë u sqarua edhe Kuvendi, që në një deklarim zyrtar thotë:

“Nën drejtimin e kryesuesit Avni Dehari ka vijuar sot punimet seanca konstituive e Kuvendit.

Kryesuesi Dehari kërkoi nga subjektet politike që nuk i kanë propozuar emrat për anëtarë të komisionit zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, me votim të fshehtë (PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-Nisma), që ta bëjnë këtë. Lidhur me këtë pati mospajtime nga deputetët e PDK-së, LDK-së dhe AAK-së, përkatësisht Vlora Çitaku, Hykmete Bajrami dhe Time Kadriaj.

Kryesuesi Dehari rikujtoi se në seancën konstituive nuk lejohet debati.

Më pas përbërja e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, u hodh në votim.

Me 53 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, Kuvendi nuk pati kuorum për vendimmarrje. Kryesuesi i seancës paralajmëroi vazhdimin e saj të martën, më 1 korrik, në orën 11:00.”