Kushtetuta si burim i krizave politike në Kosovë

Kuvendi i Kosovës për t’iu shmangur krizave të ardhshme politikë në vend, e ka të domosdoshme ta amandamentojë Kushtetutën sa i përket zgjedhjes së Presidentit, Kryeministrit dhe Kryetarit të Kuvendit.

Lajme

29/07/2017 17:16

 Nuk ka fare dyshim që stabiliteti afatgjatë politik i vendit është i varur drejtpërdrejtë dhe domosdoshmërisht nga Amandamentimi i Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me synim të qartësimit legal të procedurave të zgjedhjes së tri posteve kryesore në strukturat qendrore të pushtetit në Kosovë: Atë të Presidentit, të Kryeministrit dhe të Kryetarit të Kuvendit.

Të gjithë ne jemi dëshmitarë që krizat e njëpasnjëshme politike, në harkun kohor 2011-2017, kanë treguar mangësitë evidente në Kushtetutën e Kosovës, të cilat për më shumë, u sforcuan edhe më shumë nga Vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovë.

Thënë fare shkurt, rrjedhat politike në vend i kanë zhvlerësuar Nenet e Kushtetutës së Kosovës të cilat kanë synuar të kodifikojnë, për një periudhë kohore afatgjatë, politikën institucionale në Kosovë, në tri detyrat kyç në politikën qendrore të vendit.

Thjeshtë, me Nenen e Kushtetutës që janë në fuqi, politika kosovare ka arritë t’i bëjë të gjitha manovrat e mundshme, të cilat i kanë devalvuar ato nene plotësisht, duke shfrytëzuar mungesën e saktësisë së qind për qindtë të tyre, e cila në rrethanat e mëparme politike në vend, tejkalohej disi me atë logjikë e të ‘nënkuptuarit’ të proceseve politike.

Derisa doli problemi i njohur, në shkurtin e vitit 2011, me zgjedhjen e Behxhet Pacollit President i Kosovës, kur deputetët e entiteteve opozitare dolën nga salla e Kuvendit para se të ndodhte votimi i Presidentit të ri të Kosovës, është nënkuptuar që thuaja të gjithë deputetët do të votojnë për, kundër, ose do të abstenojnë, në këtë procedurë. Prandaj, çështja e quorum-it në rrethin e parë dhe dytë të zgjedhjes së Presidentit  (e pranisë së paku të 80 deputetëve në sallë), nuk ka qenë problem legal, dhe as politik.

Prej rastit të Behxhet Pacollit dhe Vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, morëm vesh që nëse në rrethin e parë nuk janë të pranishëm dhe nuk votojnë 80 deputetët e Kuvendit  (apo dy të tretat e përbërjes së tij), as që mund të nisë procesi i votimit për Presidentin e Kosovës. Te ne pra, nuk mund të ndodhë, shterrja ligjore/ dështimi i zgjedhjes së Presidentit të Kosovës në dy rrathët e parë, në mungesë të quorum-it  (siç është ta zëmë rasti me procedurën e zgjedhjes së Presidentit në Shqipëri). Nëse nuk ka zgjedhje të Presidentit, siç e dimë, automatikisht hyhet në krizë institucionale, dhe shtegdalja e vetme është mbajtja e zgjedhjeve të reja të jashtëzakonshme nacionale.

Para se para tri viteve, në verën e vitit 2014, ishim dëshmitarë të gjithë pështjellimit të zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit, është nënkuptuar (sërish), që emërimi i Kryeparlamentarit është një procedurë fare teknike, kur thuaja të gjithë deputetët, pa marrë parasyshë cilit kamp politik i takojnë, votojnë për kandidatin që vie nga partia/ koalicioni që ka fituar më së shumti mandate në Kuvendin e Kosovës. U dashtë të ndodhë një tjetër krizë e madhe politike (e cila u pati klasifikuar edhe si ngërç politik), për tu konfirmuar që Kryetari i Kuvendit, si pozitë, nuk mund t’i tjetërsohet partisë/ koalicioni që doli e para në zgjedhje, por pasiqë nuk ka automatizëm në votim, apo, deputetët e Kuvendit të Kosovës janë të lirë të votojnë si të duan edhe për këtë pozitë, atëherë, mundësia e instalimit të krizës politike që në seancën e parë të Kuvendit, është shumë e madhe. Për më keq, në Kushtetutën aktuale të Kosovës nuk ka formulime që qartësojnë çka duhet të bëhet nëse dështon zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit  (pos që vet Kuvendi nuk llogariteti si i konstituuar pas zgjedhjen e Kryetarit të vet), apo, nuk ka provizione që ta zëmë, ia mundësojnë Presidentit të Kosovës që të shpallë dështimin e Kuvendit të Kosovës dhe organizimin e zgjedhjeve të reja parlamentare.

Me një tjetër përvojë u begatuam para tri viteve, gjatë verës shumë problematike të vitit 2014. Deri atëherë, nënkuptohej  (edhe një herë), që partia/ koalicioni që ka marrë më së shumti mandate në Kuvendin e Kosovës e bën Qeverinë e Kosovës, në partneritet me partitë e tjera, prandaj, nuk na ka ra asnjëherë as të spekulojmë me mundësinë e dështimit të mandatarit të parë, dhe me hapësirën manovruese kushtetuese të Presidentit/ Presidentes për dhënien e mandatit të dytë për krijimin e Qeverisë së Kosovës.

Sqarimet që politika kosovare i mori nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, në korrik të vitit 2014, objektivisht, vetëm sa e ka ndërlikuar edhe më shumë procedurën e krijimit të Qeverisë së Kosovës, nëse mandatari i parë, i cili vie ga partia/ koalicioni fitues, nuk arrinë të sigurojë shumicën absolute në Kuvendin e Kosovës  (apo, përkrahjen e së paku 61 deputetëve), për Qeverinë e tij.

Ky Kuvend i Kosovës, partitë politike të vendit, politikanët kryesorë ndër ne, nëse njëmend kanë interes për ta siguruar qëndrueshmërinë afatgjatë të Kosovës, duhet patjetër që në Agjendën e tyre në 12 muajtë e ardhshëm të përfshinë  (patjetër) Amandamentimin e Kushtetutës, në qartësimin final të zgjedhjes së këtyre tri posteve politike kryesore në Kosovë.

Së pari, kur bëhet fjalë për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, janë dy mundësi që do të duhej të kodifikoheshin me Amandamentet e reja kushtetuese.

Me atë të parën, do të qartësohej që mungesa eventuale e quorum-it  (të dy të tretave), në seancë, do të kishte domethënien e harxhimit/ shterrjes së dy rrathëve në zgjedhjen e Presidentit, dhe që pastaj, Kuvendi i Kosovës do të mund të kalonte në rrethin e tretë të zgjedhjes së Presidentit, ku kërkohet prania dhe votimi i shumicës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës  (apo të 61 deputetëve).

Me atë të dytën, do të zëvëndësohej mënyra e sotme e zgjedhjes së Presidentit, përmes votës së deputetëve të Kuvendit të Kosovës, me zgjedhjen tij përmes votës popullore  (me votën e drejtpërdrejtë të qytetarëve të vendit). Në këtë rast, duhet përgatitur edhe Ligjin për zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.

Së dyti, kur flitet për zgjedhjen e Kryetarit të Kuvendit, ai/ ajo, do të duhej të propozohej nga partia/ koalicioni që ka fituar më së shumti mandate, dhe i njejti/ e njejta, do të duhej të emërohej me një procedurë teknike, duke iu shmangur gjithsesi ‘luftës për fuqi’, për këtë post i cili thuaja në tërësinë e tij është protokolar.

Së treti, në temën e mandatarit për Kryeministrin e ri të Kosovës, do të duhej të qartësohej në detale se si duhet t’i qaset Presidenti/ Presidentja e Kosovës këtij procesi, nëse mandatati i parë, i cili gjithsesi vie nga partia/ koalicioni fitues relativ në zgjedhje, nuk arrinë ta sigurojë shumicën parlamentare në Kuvend.

Nëse Kuvendi i Kosovës dhe skena politike e vendit do t’i përmbushin këto tri detyra në Agjendën që do të duhej të ishte e përbashkët, atëherë, jo më larg se tash një vit, para pushimeve verore të deputetëve, do të miratoheshin Amandamentet në Kushtetutën e Kosovës, dhe kështu do të shmangen burimet kushtetuese të krizave të vazhdueshme politike në Kosovë.

(Autori është kolumnist i rregullt i lajmi.net)