Kushtetuta që krijoi bazën e shtetit modern të Kosovës

Ish-kryetari i Komisionit për hartimin e Kushtetutës, Hajredin Kuçi me rastin e 7-vjetorit të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës ka vlerësuar se ky dokument ka krijuar bazën e një shteti modern dhe demokratik.

Lajme

16/06/2015 08:00

Ndërsa, njohësi i çështjeve kushtetuese, Mazllum Baraliu ka deklaruar se brenda këtyre shtatë vjetëve, Kushtetuta është sfiduar dhe goditur nga të gjitha anët, edhe nga institucionet shtetërore, tash së fundi edhe nga Gjykata Speciale, shkruan ‘Epoka e re’.

Kuçi ka vlerësuar se Kushtetua e Kosovës ka krijuar bazën e ndërtimit të një shteti modern demokratik.

“Hyrja në fuqi e Kushtetutës së Republikës së Kosovës para shtatë vjetësh shënonte hapin konkret të realizimit të Deklaratës së Pavarësisë dhe krijoi bazën e ndërtimit të infrastrukturës së plotë shtetërore qoftë me ligje dhe me kompletim të institucioneve të një shteti modern dhe demokratik”, është shprehur Kuçi.

Ai ka thënë se akti më i lartë juridik dhe politik i Kosovës qysh në thelb kishte të drejtat e njeriut dhe ndarjen e pushteteve. “Po ashtu, Kushtetua jonë në thelb kishte barazinë qytetare dhe të drejtat e njeriut si dhe ndarjen e pushteteve si çdo vend demokratik”, ka theksuar Kuçi.