Kushtetuta nuk e parasheh kush mund të jetë mandatari i dytë

Dy njohës të çështjeve kushtetuese thonë se marrëveshja ndërmjet LDK-së, AAK-së dhe Nismës është legjitime dhe ato mund ta formojnë qeverinë, në rast se PDK-ja dështon ta formojë qeverinë 15 ditë marrjes së mandatit nga ana e presidentes për formimin e qeverisë.

Lajme

10/06/2014 19:04

Njëri nga ish-anëtar e Komisionit për Hartimin e Kushtetutës së Kosovës, Riza Smaka ka thënë se partia që ka marrë më së shumti vota duhet t‘ia paraqes Presidentes së vendit kandidatin për kryeministër e pastaj ajo e nominon para Kuvendit. Por, sipas tij, në rast se dështon t’i marrë votat e nevojshme për formimin e qeverisë, atëherë duhet t’i jepet rasti partisë që garanton se i ka votat e nevojshme.

“Në Kushtetutë nuk është e përcaktuar se nominimi i dytë nga cila parti duhet të bëhet, por mund të bëhen kombinime tjera, mund të tentojë partia e parë me një koalicion tjetër, por në praktikat parlamentare nuk përdoret ajo formë, por nëse në rastin e parë dështon partia e parë, atëherë ajo nuk kontribuon në rastin e dytë. Në rast se PDK dështon ta formojë qeverinë, duhet t’i jepet mundësia partisë tjetër, e cila dëshmon që i ka numrat për ta formuar qeverinë”, ka thënë Smaka.

Edhe profesori Mazllum Baraliu e pohon një gjë të tillë.

“Nëse partia e parë nuk arrin të gjejë një zgjidhje e cila kërkon koalicion dhe në të cilin duhet të përfshihen edhe minoritetet, atëherë mandati i jepet partisë së dytë me radhë, e cila mund të bëjë koalicion, e nëse as kjo nuk arrin atëherë shkohet në zgjedhje të reja. Kushtetuta nuk e specifikon se cilës parti duhet t’i jepet mundësia, por kjo është një rrjedhë logjike. Nëse dështon e para i jepet rasti partisë së dytë”, është shprehur Baraliu.