Kushtetuesja s’ka ende vendim për “masën e përkohshme” të Listës Serbe – Të dielën priten zhvillime të reja në Kuvend

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, është një nga proceset e tejzgjatura në historinë e formimit të institucioneve të Kosovës. E ndonëse kjo më në fund u realizua, po vazhdon të ketë ankesa nga disa palë të tjera. Lista Serbe e ka dërguar ankesën në Gjykatë Kushtetuese pasi që si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga…

Lajme

23/10/2025 16:01

Konstituimi i Kuvendit të Kosovës, është një nga proceset e tejzgjatura në historinë e formimit të institucioneve të Kosovës. E ndonëse kjo më në fund u realizua, po vazhdon të ketë ankesa nga disa palë të tjera.

Lista Serbe e ka dërguar ankesën në Gjykatë Kushtetuese pasi që si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga minoriteti serb është zgjedhur Nenad Rashiqi, shkruan lajmi.net.

Edhe pse parashihet që sot ose nesër të dihet përfundimisht nëse Kushtetuesja do t’ia pranojë masën e përkohshme Listës Serbe të kërkuar për ngrirjen e seancës konstituive dhe kthimin prapa të zgjedhjes së Nenad Rashiq, në fakt kjo ankesë ende është në shqyrtim.

Kjo u konfirmua nga Gjykata Kushtetuese për lajmi.net, ku u tha se lënda është ende në shqyrtim e sipër.

“Kjo lëndë është në procedurë të shqyrtimit nga Gjykata”, kanë thënë nga Kushtetuesja.

Nga Gjykata Kushtetuese po ashtu u tha se vendimi do të merret pasi të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese.

“Vendimi do të merret pasi që të shqyrtohen të gjitha aspektet kushtetuese të pretendimeve të bëra në kërkesë nga pala parashtruese, në përputhje me Kushtetutën, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e punës së Gjykatës”, kanë shtuar nga Gjykata Kushtetuese.

Ndonëse kryetari i Kuvendit të Kosovës, Dimal Basha dhe të tjerët kanë konsideruar se Kuvendi është konstituuar, ndërsa i është hapur rrugë edhe formimit të Qeverisë, vendimi i Kushtetueses në lidhje me këtë ankesë mund të kthej këtë proces një hap prapa.

Menjëherë pas konstituimit të Kuvendit, pra emërimit të Rashiqit si nënkryetar të Kuvendit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e ka mandatuar Albin Kurtin për të formuar Qeverinë.

Të dielën me 26 tetor, Kurti e ka mundësinë e fundit për të propozuar Qeverinë në Kuvendin e Kosovës dhe për të marrë ose jo votat nga deputetët e këtij Kuvendi, por ai ende nuk ka treguar se kur mund ta thërret këtë seancë.

Ai të martën në një takim me mërgimtarët në Londër, ka deklaruar se alternativë janë zgjedhjet.

“Nuk është kollaj, se, s’di se si t’jua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, ka thënë Kurti të martën.

Në lidhje me formimin e Qeverisë, Kurti ka përjashtuar mundësinë për diskutime dhe formimin e një koalicioni me PDK-në ndërsa e ka lënë të hapur një mundësi me LDK-në, por që deputetë të kësaj partie nuk janë deklaruar ende nëse kanë pranuar një ftesë nga Kurti.

Votat e deputetëve të koalicionit të VV-së me Alternativën dhe Guxo si dhe ato të minoriteteve të cilat i kanë siguruar, nuk i mjaftojnë Kurtit për të formuar Qeverinë.

Nëse Kurti dështon ta formojë Qeverinë e re deri të dielën e 26 tetorit, atëherë presidentja Osmani, brenda 10 ditësh, duhet t’i ftojë partitë në konsultim dhe, sipas diskrecionit të saj, t’ia japë mandatin një kandidati tjetër që dëshmon se ka shumicën parlamentare.

E siç duket Kurtit votë nuk do t’i japin as nga Nisma e Fatmir Limajt, gjë të cilën e kanë potencuar disa herë anëtarë të kësaj partie.

Ngjashëm situate parashihet të jetë edhe tek PDK-ja e Memli Krasniqit e Lidhja Demokratike e Lumir Abdixhikut.

Kësisoj nëse Kurti nuk arrin t’i sigurojë votat e nevojshme për kabinetin qeveritar, mundësia pastaj kalon tek partitë opozitare apo vendi do të shkojë në zgjedhje të reja nacionale- gjë të cilën e potencoi edhe vetë Kurti ditë më parë. /Lajmi.net/