Kushtetuesja për rastin e punëtorit të PTK-së: Supremja doli jashtë kufijve të revizionit duke konstatuar gjendje faktike

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pranueshme kërkesën e Jahir Gashit duke konstatuar se aktgjykimi i Gjykatës Supreme me objekt kontesti kompensimin e dëmit material dhe jomateriale, nuk është në përputhje Kushtetutën. Kushtetuesja e ktheu vendimin e Supremes në rivendosje të revizionit. Jahir Gashi më 3 korrik 2011 kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore Prishtinë-…

Lajme

05/11/2025 11:31

Gjykata Kushtetuese e ka shpallur të pranueshme kërkesën e Jahir Gashit duke konstatuar se aktgjykimi i Gjykatës Supreme me objekt kontesti kompensimin e dëmit material dhe jomateriale, nuk është në përputhje Kushtetutën. Kushtetuesja e ktheu vendimin e Supremes në rivendosje të revizionit.

Jahir Gashi më 3 korrik 2011 kishte parashtruar padi në Gjykatën Themelore Prishtinë- Dega Podujevë, me të cilën kishte kërkuar nga Postë Telekomi i Kosovës (PTK), ku ishte i punësuar me kontratë pune, t’ia kompensojë dëmin material e jomaterial, kompensimin e pagave dhe bonuseve të papaguara, si rezultat i lëndimeve në vend të punës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Më pas, Gashi në kërkesëpadinë e plotësuar, si të paditur të dytë saktësoi Postën e Kosovës. Më pas, Gjykata Themelore më 27 tetor 2020 mori vendim duke aprovuar pjesërisht padinë e Gashit dhe duke detyruar PTK-në për kompensim të dëmit material dhe jomaterial, si rezultat i aksidentit në vendin e punës, kompensimin e pagës dhe shpenzimet e shërimit.

Themelorja lidhur me lëndimet në punë, për dëmin jomaterial dhe material duke ndarë përgjegjësinë prej 70% për të paditurën e parë- PTK, ka konstatuar se duhet t’i paguajë parashtruesit të kërkesës shumën totale prej 14 mijë e 217 euro e 75 centë, ndërsa parashtruesi i kërkesës përgjigjet me 30% përgjegjësi në shumë prej 6 mijë e 92 euro e 54 centë.

Ndërkaq, kishte refuzuar pjesën e padisë për dëmin material në emër të rehabilitimit fiziterapeutik dhe klimatk dhe llogaritjen e interesit prej 8%.

Ndaj vendimit të Themelores, kishte ushtruar ankesë PTK. Ankesë kishte parashtruar edhe Gashi, por Apeli më 8 shkurt 2022 vërteton vendimin e Degës së Gjykatës në Podujevë.

Ndaj këtyre vendimeve, Telekomi parashtroi revizion në Gjykatën Supreme, e cila më 22 shkurt 2023 pranoi revizionin duke ndryshuar vendimin e Themelores dhe Apelit, dhe refuzoi kërkesëpadinë e Gashit si të pabazuar. Kolegji i gjyqtarëve në Gjykatën Supreme për këtë rast kishte këtë përbërje: Fejzullah Rexhepi- kryetar, Beshir Islami dhe Nenad Lazic- anëtarë.

Ndaj këtij vendimi të Supremes, Gashi ushtroi të drejtën për paraqitje të kërkesës për vlerësim të kushtetutshmërisë së vendimit të Supremes, në Gjykatën Kushtetuese.

Vlerësimi i Gjykatës Kushtetuese:

Gjykata Kushtetuese fillimisht vë në pah se mjeti i jashtëzakonshëm juridik, gjegjësisht revizioni, në rrethanat e rastit konkret ishte i lejuar dhe se Gjykata Supreme kishte shqyrtuar dhe vendosur në pajtim me juridiksionin e saj të përcaktuar me nenet 211 dhe 212 të Ligjit për Procedurën Kontestimore (LPK).

Kushtetuesja ka vlerësuar çështjen nëse gjatë vendimmarrjes së saj, Gjykata Supreme në procedurë të revizionit ka vendosur në pajtim me ligjin apo ka tejkaluar juridiksionin e saj- përkatësisht paragrafin 2 të nenit 224 të LPK.

Kushtetuesja në parim vë në dukje çështjen nëse Gjykata Supreme ka tejkaluar juridiksionin e saj të përcaktuar me ligj duke prishur aktgjykimet e gjykatave të shkallës më të ulët dhe refuzuar kërkesën e parashtruesit të kërkesës ngritë çështje të parimit të sigurisë juridike, si një nga komponentët kryesorë të sundimit të ligjit në një shoqëri demokratike. Dhe se lidhur me atë nëse e ka tejkaluar juridiksionin e vet Supremja, Kushtetuesja është referuar në praktikën e Gjykatës Evropiane për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut (GjEDNj) dhe atë konkretisht në rastin Sokurenko dhe Strygun kundër Ukrainës.

Lidhur me kompetencën e gjykatës për të vendosur për revizion, Kushtetuesja thotë se këtë e përcaktojnë nenet 211 deri 224 të Ligjit për Procedurën Kontestimore.

Në këtë kuptim, Gjykata vëren se revizioni i paraqitur nga pala paditëse është paraqitur për shkak të shkeljeve të dispozitave të procedurës kontestimore dhe zbatimit të gabuar të drejtës materiale.

Në vendim, përcaktohet se Gjykata Supreme gjatë vendimmarrjes duhet t’i përmbahet kompetencës së përcaktuar me ligj pasi që është tipar qendror i gjykimit të drejtë dhe paanshëm.

“Gjykata vlerëson se gjykatat në përgjithësi, e në rastin konkret Gjykata Supreme, gjatë vendimmarrjes dhe arsyetimit duhet t’i përmbahen kompetencës së tyre shprehimisht të përcaktuar me ligj, në rastin konkret dispozitave të LPK-së. Kjo për arsye se e drejta për një gjykatë të themeluar me ligj apo në pajtim me ligjin është një tipar qendror i gjykimit të drejtë dhe të paanshëm…”, thuhet në vendim.

Kushtetuesja vlerëson se vlerësimi dhe shqyrtimi i asaj nëse Gjykata Supreme gjatë vendimmarrjes në këtë procedurë të revizionit ka tejkaluar kompetencën e saj ligjore, është thelbësor dhe parësor para se të konstatojë nëse edhe garancitë tjera procedurale të përcaktuara në nenin 31 të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 të KEDNJ- së, janë respektuar apo jo.

Prandaj, sipas Kushtetueses, në rastin konkret në rast se Supremja ka gjetur se Apeli dhe Themelorja kanë bërë vlerësim të gabuar të drejtës materiale ose procedurale, rastin është dashur që ta kthejë në rivendosje ose në rast se nuk e kthen në rivendosje, të japë arsyetim pse ka vendosur mbi meritat e rastit.

“Prandaj, në kuptim të paragrafit 2 të nenit 224 të LPK-së, Gjykata vlerëson se Gjykata Supreme, në kërkesën konkrete, është dashur që çështjen ta kthejë në rigjykim gjyqtarëve të njëjtë apo të tjerë të Gjykatës Themelore apo asaj të Apelit ose të ofrojë një shpjegim në vendimin e saj përse ajo nuk e ktheu çështjen në gjykatat më të ulëta, por përkundrazi, ajo mori përsipër juridiksionin për të vendosur mbi meritat e kërkesëpadisë”, thuhet tutje në vendim të Kushtetueses.

Sipas Kushtetueses vendimmarrja e Supremes në rastin ndaj Gashit ka tejkaluar juridikisionin e përcaktuar me ligj pasi që revizioni nuk paraqitet për shkak të konstatimit të gabuar ajo jo të plotë të gjendjes faktike.

“Gjykata rithekson se Gjykata Supreme kishte juridiksion për të vendosur lidhur me revizionin e paraqitur nga pala e paditur. Megjithatë, në kuptim të paragrafit 2 të nenit 224 të LPK-së, si dispozitë e cila i referohet juridiksionit të Gjykatës Supreme në kontekst të vendimmarrjes së saj, Gjykata konsideron se në bazë të konstatimit të Gjykatës Supreme se si rezultat i zbatimit të gabuar të së drejtës materiale është vërtetuar gabimisht edhe gjendja faktike, kjo e fundit është dashur ta kthejë çështjen në gjykatën e shkallës më të ulët për rigjykim”, thuhet në vendim.

Kjo instancë konsideron se me refuzimin e padisë së parashtruesit të kërkesës pa iu dhënë një mundësi që ai t’i paraqesë argumentet e tij dhe faktet në lidhje me gjetjet e Gjykatës Supreme që i referohen vërtetimit të gjendjes faktike, atij i është mohuar “qasja në drejtësi”.

“Rrjedhimisht, Gjykata, në kuptim të nenit 31 të Kushtetutës në lidhje me nenin 6 të KEDNJ-së, konsideron se Gjykata Supreme duke tejkaluar juridiksionin e saj të përcaktuar me ligj, përkatësisht juridiksionin e përcaktuar me paragrafin 2 të nenit 224 të LPK-së, e njëjta nuk mund të konsiderohet si gjykatë e themeluar me ligj gjatë vendimmarrjes së saj në procedurë të revizionit në këtë rast”, thuhet në këtë vendim.

Andaj, aktgjykimi i Supremes sipas Kushtetueses është nxjerrë në shkelje të nenit 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] të Kushtetutës dhe nenit 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Në fund, Kushtetuesja e shpalli të pavlefshëm aktgjykimin e Supremes dhe se me gjashtë vota për dhe një kundër e ka kthyer në rivendosje vendimin e Supremes, me gjashtë vota për një kundër ka kërkuar që Kushtetuesja të njoftohet për masat e ndërmarra në zbatim të vendimit të saj.

Gjyqtar raportues në këtë rast në Gjykatën Kushtetuese ishte gjyqtari Enver Peci. Lidhur me këtë rast, gjyqtari i Kushtetueses, Radomir Laban ka përpiluar mendim konkurrues duke theksuar se rasti nuk duhet të kthehet për rivendosje në Gjykatën Supreme sepse gjendja faktike është vërtetuar nga gjykatat e shkallës së parë dhe dytë. Sipas tij, Gjykata Kushtetuese duhet vetëm të anulojë vendimin e Gjykatës Supreme ndërkaq të lë në fuqi vendimet e Gjykatës Themelore dhe Apelit duke mos krijuar shpenzime shtesë.