Kushtetuesja konstaton shkelje në rastin e gjykimit të Shkëlzen Fetiut
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KI121/24, të iniciuar nga Shkëlzen Fetiu, duke konstatuar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës (e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm), në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Rasti ka të bëjë me një kontest pune ndërmjet Fetiut…

Lajme
Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KI121/24, të iniciuar nga Shkëlzen Fetiu, duke konstatuar shkelje të nenit 31 të Kushtetutës (e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm), në lidhje me nenin 6 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Rasti ka të bëjë me një kontest pune ndërmjet Fetiut dhe Byrosë Kosovare të Sigurimeve (BKS), pas ndërprerjes së kontratës së tij. Gjykata Themelore dhe ajo e Apelit kishin vendosur në favor të Fetiut, por Gjykata Supreme e kishte rrëzuar vendimin, duke konstatuar se kërkesëpadia ishte paraqitur jashtë afatit ligjor.
Sipas Kushtetueses, Fetiu kishte vepruar brenda afatit 30-ditor të përcaktuar me Ligjin e Punës dhe vendimi i Supremes përbën cenim të të drejtës së tij për qasje në gjykatë.
Gjykata konkludoi se vendimi i Gjykatës Supreme nuk është në pajtim me Kushtetutën dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut, pasi ka penguar shqyrtimin në merita të rastit të parashtruesit.
“Rrjedhimisht, Gjykata konkludoi se Aktvendimi i Gjykatës Supreme të Kosovës [Rev. nr. 22/2024], i 6 shkurtit 2024, nuk është në pajtueshmëri me parimet dhe garancitë e mishëruara në nenin 31 të Kushtetutës, në ndërlidhje me nenin 6 të KEDNJ-së”, thuhet pos tjerash në njoftimin e kësaj gjykate./rtk