Kushtetuesja konstaton se nuk u janë shkelur të drejtat dy të dënuarve për vrasjen mizore të 2016-ës në Suharekë
Gjykata Kushtetuese e ka deklaruar si të papranueshme kërkesën e Fadil Fetiut dhe Resmije Bytyqit, duke konstatuar se nuk u janë shkelur të drejtat kur u shpallën fajtorë dhe u dënuan për vrasjen e A.B., më 2016 në Suharekë. Për rastin në fjalë, Gjykata Supreme, të akuzuarve Resmije Bytyqi, Murat Ademi dhe Fadil Fetiu, ua kishte…
Lajme
Gjykata Kushtetuese e ka deklaruar si të papranueshme kërkesën e Fadil Fetiut dhe Resmije Bytyqit, duke konstatuar se nuk u janë shkelur të drejtat kur u shpallën fajtorë dhe u dënuan për vrasjen e A.B., më 2016 në Suharekë.
Për rastin në fjalë, Gjykata Supreme, të akuzuarve Resmije Bytyqi, Murat Ademi dhe Fadil Fetiu, ua kishte vërtetuar dënimin me nga 25 vjet burgim (secilit veç e veç).
Fetiu dhe Bytyqi kishin kontestuar në Kushtetuese kushtetutshmërinë e aktgjykimit të Supremes, në lidhje me aktgjykimin e Apelit dhe atë të Themelores, me pretendimin se u janë shkelur të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me nenet 24 [Barazia para Ligjit], 30 [Të Drejtat e të Akuzuarit], 31 [E Drejta për Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm] dhe 54 [Mbrojtja Gjyqësore e të Drejtave] të Kushtetutës, në lidhje me nenin 6 (E drejta për një proces të rregullt) të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Në vendimin e Gjykatës Kushtetuese theksohet se rasti ka të bëjë me vrasjen e tani të ndjerit A.B., në tetor të vitit 2016, ngjarje e cila rezultoi me implikimin penal të Fadil Fetiut dhe Resmije Bytyqit- bashkëshortja e viktimës. Më tej, thuhet se sipas gjetjeve të gjykatave të rregullta, vrasja ishte rrjedhojë e një planifikimi paraprak, ku Bytyqi u shpall fajtore për shtytje dhe marrëveshje për privimin nga jeta të bashkëshortit të saj, ndërsa Fetiu u shpall fajtor për ndihmë në kryerjen e kësaj vepre dhe fshehjen e gjurmëve. Trupi i viktimës, pas vrasjes, ishte djegur me qëllim asgjësimin e provave.
Gjithashtu, në vendim potencohet se pas një procesi të gjatë gjyqësor me disa rigjykime, Gjykata Supreme, vërtetoi fajësinë e tyre.
Në kërkesën drejtuar Kushtetueses, Fetiu pretendoi se përmes vendimit të kontestuar i janë cenuar të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, dhe atë përkitazi me mungesën e arsyetimit të vendimit gjyqësor. Ka theksuar se aktgjykimi i Supremes, e veçanërisht dispozitivi i tij “është i pakuptueshëm dhe kontradiktor”, dhe që e njëjta “nuk ka dhënë arsye bindëse se cilat prova duhet të ishin pranuar”.
Gjithashtu, Fadil Fetiu ka pretenduar se mungesa e arsyetimit është reflektuar dhe me rastin e ndryshimit të cilësimit juridik të veprës penale, respektivisht rikualifikimin nga “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë” në “Vrasje të rëndë në bashkëkryerje”, nga ana e Prokurorisë, e që është aprovuar nga ana e Gjykatës Themelore.
Andaj, përmes kërkesës ka kërkuar nga Gjykata Kushtetuese të bëjë anulimin e aktgjykimeve të tri instancave të gjykatave të rregullta.
Edhe Resmije Bytyqi në kërkesën e saj pretendoi se përmes vendimit të kontestuar i janë cenuar të drejtat dhe liritë themelore të garantuara me Kushtetutë, sikurse janë: barazia para ligjit, të drejtat e të akuzuarit, e drejta për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, mbrojtja gjyqësore e të drejtave”, në lidhje me KEDNJ.
Sikurse Fetiu, edhe Bytyqi theksoi mungesën e arsyetimit të vendimit gjyqësor. Ka theksuar se është konstatuar përgjegjësia e saj penale përkitazi me veprën penale të “Shtytjes për vrasje të rëndë”, megjithatë, sipas saj, vendimet gjyqësore të kontestuara, me theks të veçantë aktgjykimi i Supremes “nuk kanë specifikuar dhe përshkruar mënyrën e kryerjes së veprës penale, se në cilën mënyrë është kryer vrasja (mizore apo dinake)”, e që është element kualifikues i vrasjes së rëndë, sipas KPRK-së.
Po ashtu, Bytyqi ka pretenduar se gjykatat e rregullta “me asnjë rast nuk kanë shpjeguar elementin thelbësor – pra, pse është mizore, dinake ose e manifestuar me paskrupullsi”, por thjesht janë shërbyer me formulimin e tillë, pa arsyetim konkret të këtij konstatimi.
Sipas saj, mungesa e arsyetimit përkitazi me këtë aspekt, i ka mohuar të drejtën: për të kuptuar saktë aktakuzën e ngritur dhe përgjegjësinë penale të saj, dhe për t’u mbrojtur në mënyrë efektive, meqenëse “askund nuk figuron në aktgjykime se është ballafaquar për vrasje në mënyrë mizore dhe dinake”. Posaçërisht, ajo e ka cilësuar këtë rrethanë si “cenim të sigurisë juridike” dhe “parimit të parashikueshmërisë së ligjit penal”.
Resmije Bytyqi ka pretenduar se dënimi i shqiptuar prej 25 vjet burgim është i njëjtë me atë që i është shqiptuar dhe personave të tjerë në cilësinë e të bashkakuzuarve, e të cilit kanë pasur rolin e kryerësve të drejtpërdrejtë të veprës penale.
“Sipas saj, duke pasur parasysh se legjislacioni penal bën dallimin në mes të shtytësit dhe kryerësit të drejtpërdrejtë, “gjykata ishte e detyruar të individualizojë dënimet dhe të arsyetojë pse ka shqiptuar dënimin maksimal për të gjithë”. Në këtë kontekst, ajo ka theksuar se mosveprimi i tillë i gjykatave, respektivisht individualizimi i dënimet përkitazi me rolin e të bashkakuzuarve në kryerjen e veprës penale përbën shkelje të parimit të proporcionalitetit në shqiptimin e dënimit dhe bie ndesh me parimin e barazisë para ligjit”, thuhet në vendim.
Andaj, Bytyqi ka kërkuar që Kushtetuesja të konstatojë se aktgjykimet e tri instancave të gjykatave të rregullta kanë cenuar të drejtat e garantuara me Kushtetutë dhe KEDNJ dhe t’i shpallë ato të pavlefshme dhe çështjen ta kthejë në rigjykim.
Gjykata Kushtetuese përmes vendimit të 24 korrikut 2026, konstaton se ndryshimi objektiv i aktakuzës- përkatësisht rikualifikimi i veprës penale është në diskrecion të Prokurorisë, mirëpo që mbetet në diskrecion të Gjykatës Themelore barra e vendimmarrjes lidhur me aprovimin e identitetit objektiv të tillë të ndryshuar. E që lidhur me këtë, Gjykata vëren se ndryshimet e aktakuzës në të dy rastet kanë qenë të aprovuara nga ana e Themelores.
Po ashtu, Kushtetuejsa ka theksuar se procedura penale e zhvilluar ka rezultuar në administrimin e një numri të konsiderueshëm të provave, rivlerësimi i të cilave ka ndikuar në ndryshimin objektiv të aktakuzës.
Sipas vendimit, tri instancat gjyqësore kanë pasur qëndrim të njëjtë në raport me përgjegjësinë penale të Fadil Fetiut përkitazi me veprën penale të rikualifikuar si “Vrasje e rëndë në bashkëkryerje”, e që kishte ardhur si rezultat i riprocedimit të provave nga ana e Prokurorisë, gjithashtu tri instancat e gjykatave më të ulëta gjyqësore, kanë ofruar arsyetim të mjaftueshëm dhe të bazuar me ligj.
Në vendim thuhet se bazuar në arsyetimin e shkallës së parë, rezulton që Fetiu kishte konsumuar veprën penlae si rrjedhojë e dy veprimeve inkriminuese: vënien në dispozicion të mjetit për kryerjen e veprës penale dhe fshehjen e provave për kryerjen e së njëjtës.
Andaj, Kushtetuesja ka konkluduar se pretendimet e parashtruesit për mosarsyetim të vendimit gjyqësor, kategorizohen me një “mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes” dhe si të tilla janë qartazi të pabazuara në baza kushtetuese.
Sipas vendimit, edhe Gjykata e Apelit kishte konstatuar gjendjen faktike të përshkruar si në aktgjykimin e shkallës së parë, rezulton në mënyrë të padyshimitë nga vlerësimi i të gjitha provave në shkresat e lëndës përshirë provat materiale e personale.
Aty thuhet se edhe Supremja kishte konstatuar se pretendimet e të dënuarve për mungesë të elementeve të veprës penale- përkatësisht mungesë të dashjes dhe qëllimit për privim nga jeta të A.B., janë të pabazuara, marrë parasysh rrethanat dhe mënyrën si është kryer vrasja.
Gjithashtu, në vendimin e Kushtetueses thuhet se rrethanat e vdekjes së të ndjerit A.B., mënyra dhe rrejdha kronologjike janë përshkruar në mënyrë koherentë në tërësi të vendimeve të gjykatave të rregullta, dhe nuk ka mospërputhje përkitazi me cilësimin e veprës penale dhe posaçërisht elementit të “mizorisë dhe dinakërisë”.
Andaj, Kushtetuesja vlerëson se pretendimet e Fetiut dhe Bytyqit kategorizohen me mungesë të dukshme ose evidente të shkeljes, andaj janë qartazi të pabazuara.
Ndërsa, sa i përket pretendimit të Bytyqit se gjykatat nuk kanë bërë individualizimin pavarësisht rolit të saj si shtytëse e veprës penale, me rastin e marrjes së dënimit, Kushtetuesja ka theksuar se nga shkresat e lëndës rezulton se gjatë gjithë procedurës penale, gjykatat e rregullta kanë bërë dallimin e qartë ndërmjet rolit dhe veprimit të secilit prej të akuzuarve dhe kontributin e tyre në kryerjen e veprës penale.
Po ashtu, Gjykata thekson se vetë fakti se e akuzuara Bytyqi është është shpallur fajtore për veprën penale të “Shtytjes për vrasje të rëndë”, ndërsa të bashkakuzuarit për forma tjera të pjesëmarrjes në kryerjen e veprës penale, dëshmon faktin se gjykatat kanë individualizuar përgjegjësinë penale në përputhje dispozitat dhe praimet relevante të Ligjit Penal.
Rrjedhimisht, Kushtetuesja gjen se parashtruesja e kërkesës nuk ka ofruar dëshmi se ka pasur çfarëdo dallimi në trajtim në situata të ngjashme nga gjykatat e rregullta. Andaj, këto pretendime u vlerësuan si të pambështetura apo të paarsyetuara.
Po ashtu, sipas vendimit, Bytyqi ka pretenduar në shkelje të neneve 30 dhe 54 të Kushtetutës por që nuk ka argumentuar se si ka ardhur deri te shkelja e tyra nga Gjykata Supreme, duke theksuar se vetëm përmendja dhe citimi i neneve të Kushtetutës apo instrumenteve tjera ndërkombëtare nuk mjafton për të ngritur pretendime për shkelje të të drejtave kushtetuese.
Andaj, Gjykata Kushtetuese ka arritur në përfundim se kërkesat e parashtruesve janë të papranueshme.
Më 24 nëntor 2021, Gjykata Themelore në Prizren ka dënuar Murat Ademin me 25 vite burgim, Resmije Bytyqin me 20 vite burgim, Fadil Fetiun me 12 vite burgim, ndërsa Reshat Ademi u lirua nga akuzat për veprën penale të vrasjes së rëndë, pasi që nuk u provua se i njëjti ka kryer veprën penale e cila i vihet në barrë.
Por, Gjykata e Apelit, këtë rast më 29 gusht 2022 e ka kthyer në rigjykim duke anuluar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prizren, me të cilin aktgjykim kjo Gjykatë i kishte shpallur fajtorë Murat Ademin, Resmije Bytyqin, Fadil Fetiun, ndërsa Reshat Ademin e kishte liruar nga akuza.
Në rigjykim, më 4 qershor 2024 Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Krimeve të Rënda ka shpallur aktgjykim dënues ndaj tre të akuzuarve Murat Ademi, Fadil Fetiu dhe Resmije Bytyqi për vrasjen e A.B., më 2016 në Suharekë, duke i dënuar me 75 vjet burgim (së bashku). Ky vendim është vërtetuar nga Gjykata e Apelit më 28 tetor 2024. Më pas, vendimi u vërtetua edhe nga Gjykata Supreme përmes vendimit të marrë më 8 maj 2025.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, Murat dhe Reshat Ademi, më 6 tetor 2016, pas marrëveshjes paraprake, kanë privuar nga jeta, në mënyrë mizore tani të ndjerin A.B., kurse Resmije Bytyqi akuzohej për shtytje në kryerjen e vrasjes.
Fadil Fetiu fillimisht akuzohej për moslajmërim të veprës penale, mirëpo, më 7 maj 2019, ishte ndryshuar aktakuza ndaj Fetiut, ashtu që të njëjtin prokuroria e ngarkonte me veprën penale të ndihmës në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë.
Sipas aktakuzës, vëllezërit Ademi, janë takuar gjatë vitit 2016 me të akuzuarën Resmije Bytyqi, të cilën e kanë vajzë të axhës dhe ajo u është ankuar atyre se bashkëshorti i saj, viktima, po e keqtrajtonte atë, duke e rrahur.
Më pas, sipas organit të akuzës, ajo u kishte kërkuar atyre që ta vrasin burrin e saj, duke u thënë se nëse ata nuk munden ta bëjnë vrasjen, ajo do ta angazhonte dikë tjetër për ta kryer një gjë të tillë.
Në dispozitivin e aktakuzës thuhet se i akuzuari Murat Ademi, i shtyrë nga e akuzuara Bytyqi, ka shkuar në shtëpinë e të akuzuarit Fadil Fetiu, ku i ndjeri po punonte në instalimet elektrike dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit e ka rrëmbyer tani të ndjerin.
Tutje, në aktakuzë thuhet se Murat Ademi e ka lidhur viktimën dhe e ka dërguar në një vend të panjohur, ku e priste i akuzuari tjetër Reshat Ademi dhe më pas të dy e kanë goditur atë me mjete të forta duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.
Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit pasi e kanë rrahur viktimën, të njëjtin e kanë mbytur duke ia vënë zjarrin dhe më pas e kanë groposur./BetimipërDrejtësi