Kushtetuesja i jep të drejtë KCSF-së: Vendimet gjyqësore që rihapën kontestin pas arbitrazhit shpallen të pavlefshme

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KI266/24, me të cilin ka konstatuar shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut. Rasti ishte iniciuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), i cili kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së…

Lajme

08/06/2026 16:52

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin në rastin KI266/24, me të cilin ka konstatuar shkelje të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të paanshëm, të garantuar me Kushtetutë dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

Rasti ishte iniciuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), i cili kërkoi vlerësimin e kushtetutshmërisë së një vendimi të Gjykatës Komerciale lidhur me një procedurë përmbarimore për ekzekutimin e një fature.

Në aktgjykimin e saj, Kushtetuesja vlerësoi se çështja ishte trajtuar dhe vendosur përfundimisht nga Tribunali i Arbitrazhit i Odës Ekonomike të Kosovës në vitin 2018, vendim i cili ka karakter detyrues dhe të formës së prerë.

Sipas Gjykatës, gjykatat e rregullta nuk kanë pasur bazë ligjore për ta rihapur këtë çështje, pasi një veprim i tillë cenon parimin juridik “res judicata”, që garanton sigurinë juridike dhe respektimin e vendimeve përfundimtare.

Për këtë arsye, Kushtetuesja shpalli të pavlefshme urdhrin përmbarimor të vitit 2017, si dhe aktvendimet e Gjykatës Komerciale dhe të Gjykatës së Apelit që kishin trajtuar të njëjtën çështje.

Gjykata theksoi se procedura përmbarimore e zhvilluar në këtë rast përbënte në thelb një përpjekje për rihapjen e një kontesti tashmë të mbyllur me vendim arbitrazhi, të cilën e cilësoi si një “ankesë të maskuar”.

Në përfundim, Kushtetuesja konstatoi se ndërhyrja në një vendim të formës së prerë ka cenuar sigurinë juridike dhe të drejtën për një proces të rregullt gjyqësor, duke ritheksuar se vendimet e arbitrazhit duhet të respektohen dhe të zbatohen nga gjykatat e rregullta. /Lajmi.net/