Kushtet në duar

Dokumenti i Britanisë dhe Gjermanisë për rrugën e Serbisë drejt BE’së i është dorëzuar zyrtarisht autoriteteve serbe nga Ambasadori Gjerman në Beograd, Heinz Wilhelm. Ai ka kërkuar që përmbushja e kushteve të bëhet pas përfundimit të negociatave me BE’në.

Lajme

13/10/2013 14:15

Është konfirmuar edhe zyrtarisht Dokumenti i hartuar nga Britania dhe Gjermania, i cili parasheh që rruga e Serbisë drejt BE’së kalon nëpër Kosovë.

Dokumenti, të cilin lajmi.net e ka publikuar të plotë, javë më parë, tregon se integrimi i Serbisë në BE është i kushtëzuar tërësisht nga normalizimi i plotë i marrëdhënieve të saj me Kosovën.

Ky dokument i është dorëzuar Qeverisë së Serbisë nga Ambasadori i Gjermanisë në Beograd, Heinz Wilhelm, i cili ka porositur që përmbushja e këtyre kritereve duhet të bëhet vetëm pas përfundimit të bisedimeve të Serbisë me Bashkimin Europian, transmetojnë mediat serbe.

Ky “non-paper”, sipas Drejtorit të Forumit për Marrëdhënie Ndëretnike në Serbi, Dusan Janjic, është një strukturë për normalizimin e marrëdhënieve në mes të Kosovës dhe Serbisë.

“Ende nuk është e qartë përse Qeveria e Serbisë është duke e trajtuar këtë si sekret shtetëror. Duket qartë se ata nuk i kanë kuptuar pasojat e asaj që ata i bënë gjatë bisedimeve në prill dhe që do t’i përcjellin edhe gjatë nëntorit, ku pritet të hapën dyert për njohje të Kosovës edhe nga shtetet anëtare të BE’së”, ka thënë Janjic, për “Vesti-online”.

“Kosova do të njihet nga Slovakia, Greqia, Rumania dhe një gjë e tillë është ende duke u shqyrtuar nga Spanja. Është vetëm Qipro, edhe ky shtet nuk pritet që t’i prishë marrëdhëniet me BE’në, për shkak të këtij problemi. Me këtë pritet që edhe Brukseli zyrtar të mos qëndrojë më neutral ndaj statusit, të cilën gjë Qeveria serbe është dashur ta dijë që nga fillimi i bisedimeve”.