“Kushtet i vëmë ne, duam rroga më të mira”, amerikanët japin dorëheqje në nivele rekord

Një numër rekord prej 4.3 milionë amerikanësh kanë dhënë dorëheqjen nga vendet e tyre të punës , mes kërkesave për rroga më të larta, kushte më të mira punë dhe orare më fleksibël.

Bota

13/10/2021 14:49

“Nëse je i pakënaqur me punën tënde apo kërkon rritje rroge, në mjedisin aktual nuk është e vështirë të gjesh një tjetër.

Njerëzit po votojnë ndryshe tani, jo me duart, por me këmbët e tyre” tha për CNN, Gus Faucher, kryeekonomist i PNC. Kompanitë vendase po vazhdojnë të përballen me një mungesë serioze të punonjësve. Në fund të gushtit, hapja e vendeve të reja ishte në nivel shumë të lartë, 10.4 milionë.

Eksperti i ekonomisë, Joe Brusuelas, thotë se mund të bëhemi dëshmitarë të asaj që ndoshta do të konsiderohet si “epoka e artë për punonjësin amerikan”.

Ky i fundit, sipas tij, tani është i sigurt se ka fuqinë negociuese, se mund të arrijë një pagë të arsyeshme – dhe të ketë ndikim edhe mbi kushtet e punës,” thotë Brusuelas. Kjo fuqi negocimi duket se vjen pikërisht nga gatishmëria e tyre për të lënë punët që nuk u pëlqejnë dhe për të kërkuar të reja.

Brusuelas shpjegon se një gjë e tillë ndodh zakonisht pas luftërave apo krizave të mëdha, dhe del më shumë në pah pas një tronditjeje të fortë e që ka shkaktuar një ndryshim të papritur mbi popullatën.