Kushtet e rënda dhe pasiguria japin shifra alarmante të vdekjeve në vendin e punës

12:20 | 10 Gusht 2019

Numri i vdekjeve në vendin e punës në Kosovë është i lartë dhe punëtorët përballen me kushte të rënda e të pasigurta të punës.

Në Kosovë, gjatë vitit 2018 në vendin e punës kanë ndodhur 14 vdekje si pasojë e aksidentit në vendin e punës, shkruan lajmi.net.

Përveç 14 vdekjeve si pasojë e aksidenteve, kanë ndodhur edhe 8 vdekje të tjera nga të cilat 2 vdekje kanë qenë natyrore (nuk kanë pasur të bëjnë me ndonjë aksident), 4 raste të tjera të vdekjeve lidhen me ushtrimin e punës kanë ndodhur në shtëpi private (te këto raste nuk ka marrëdhënie pune), ndërsa 2 të tjera nga këto 8 raste të vdekurit në vendin e punës kanë qenë pronar apo bashkëpronar (rrjedhimisht as këtu nuk ka relacion punëdhënës – punëtor).

Sipas statistikave të Inspektoratit të Punës në periudhën kohore Janar – Qershor 2019 kanë ndodhur 5 aksidente në vend të punës që kanë përfunduar me fatalitet si dhe 1 vdekje natyrore dhe një aksident që lidhet me komunikacionin.

Ndërsa vet Ushtruesi i Detyrës i Kryeinspektorit në Inspektoratin e Punës, Valon Leci është shprehur se institucioni që ai udhëheq është organi ekzekutiv që bënë mbikëqyrjen e zbatueshmërisë së legjislacionit që rregullon të drejtat nga Marrëdhënia e Punës por edhe Sigurisë dhe Shëndetit në Punë në sektorin privat dhe publik.

“Inspektorati i Punës organi ekzekutiv që bënë mbikëqyrjen e zbatueshmërisë së legjislacionit që rregullon të drejtat nga Marrëdhënia e Punës por edhe Sigurisë dhe Shëndetit në Punë në sektorin privat dhe publik. Për më tepër, në fushën e sigurisë dhe shëndetit në punë, IP, mbikëqyr edhe institucionet e tjera shtetërore”, tha Leci për lajmi.net.

Leci është shprehur i pakënaqur me gjendjen e sigurisë dhe shëndetit në punë, por thotë se po punohet me intensitet që kjo të përmirësohet.

“Parimisht nuk jemi të kënaqur me gjendjen e Sigurisë dhe Shëndetit në Punë në Kosovë, por jemi duke punuar me intensitet të lartë që të ngrisim nivelin e sigurisë në punë”, tha Leci më tutje.

Ai ka treguar gjithashtu se Inspektorati i Punës po organizon fushata vetëdijësuese, inspektive e konferenca për të avancuar në drejtim të krijimit të kushteve më të mira për punë.

“Me qëllim të avancimit të të drejtave të palëve nga Siguria dhe Shëndeti në Punë, por edhe Marrëdhënia e Punës, Inspektorati i Punës çdo vit po organizon fushata vetëdijësuese, fushata inspektive, konferenca dhe një mekanizëm të tërë aktivitetesh”, tha më tutje Leci.

Leci tha se numri i pamjaftueshëm i inspektorëve, mangësitë logjistike dhe infrastrukturore janë pengesë në ushtrimin e aktiviteteve të IP-së.

“Mirëpo, numri i pamjaftueshëm i inspektorëve të punës, por edhe mangësitë e theksuara logjistike dhe infrastrukturore janë pengesë për ushtrimin e aktiviteteve tona por edhe për arritjen e qëllimeve që ne si institucion i kemi”, tha në fund Leci për lajmi.net.

Vdekjet në vendin e punës janë bërë shqetësuese. Rasti i fundit ndodhi para 3 ditësh në qytetin e Pejës, në fshatin Raushiq, ku një 32 vjeçar humbi jetën si pasojë e kontaktit me rrymën. /Lajmi.net/