Kush përfiton nga heqja e masave të BE-së ndaj Kosovës?
Pas gati tre vjetëve, Kosovës nuk i rëndon më pesha e masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian ia vendosi për shkak të tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe. Lajm edhe më i mirë është se përfituesit më të mëdhenj janë qytetarët e Kosovës, pasi lëshimi i fondeve pritet të ndikojë, mes tjerash, edhe në…
Lajme
Pas gati tre vjetëve, Kosovës nuk i rëndon më pesha e masave ndëshkuese që Bashkimi Evropian ia vendosi për shkak të tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.
Lajm edhe më i mirë është se përfituesit më të mëdhenj janë qytetarët e Kosovës, pasi lëshimi i fondeve pritet të ndikojë, mes tjerash, edhe në hapjen e vendeve të reja të punës, transmeton lajmi.net.
Autoritetet në Kosovë i kanë cilësuar masat vazhdimisht si të padrejta, pasi deklaronin me bindje se i kishin plotësuar kohë më parë kërkesat e BE-së për heqjen e tyre: uljen e tensioneve dhe zvogëlimin e pranisë policore afër objekteve të katër komunave në veri të Kosovës.
Masat patën kosto të konsiderueshme financiare për Kosovën, pasi u pezulluan apo u shtynë projekte të ndryshme në kuadër të Instrumentit të Para-Anëtarësimit (IPA II dhe III), si dhe Kornizës Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF).
Përfitimet kryesore
Njomza Arifi, drejtoreshë ekzekutive në Grupin për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), thotë për Radion Evropa e Lirë (REL) se në dhjetor të vitit 2025 u liruan 216 milionë euro që lidheshin kryesisht me arsimin, sikurse është skema e bursave Young Cell dhe projekte infrastrukturore e mjedisore.
Young Cell ofron bursa për të rinjtë që dëshirojnë të studiojnë në vendet evropiane. Këtë muaj, kjo skemë përmbylli aplikimin për 37 bursa të plota pasuniversitare. BE-ja i ka ndarë 3 milionë euro, ndërsa Kosova 1 milion shtesë.
Te projektet infrastrukturore përfshihet ndarja e 12 milionë eurove për ndërtimin e impiantit për trajtimin e ujërave të zeza në termocentralin Kosovën B, mbështetja për ngrohjen qendrore me 17.6 milionë euro si dhe projekte të tjera.
“Pjesa e mbetur prej 205 milionë eurosh që u lirua këto ditë përfshin kryesisht fonde të IPA-s dhe të WBIF-it dhe do të programohen për të mbështetur reforma të ndryshme që ndërlidhen kryesisht me fushat thelbësore siç janë sundimi i ligjit, qeverisja e mirë, zhvillimi ekonomik, dhe arsimi”, thotë Arifi për REL-in.
Për Rrona Zhurin, koordinatore e hulumtimeve në Institutin për Studime të Avancuara – GAP, heqja e masave mundëson rikthimin e normalitetit në raportet me BE-në.
“Lirimi i fondeve pritet të ketë një ndikim të gjerë pozitiv në disa dimensione të zhvillimit. Në aspektin ekonomik dhe të punësimit, rifillimi i projekteve kapitale dhe investimeve pritet të gjenerojë vende të reja pune dhe të rrisë aktivitetin ekonomik në vend. Njëkohësisht, në fushën e shërbimeve publike, sektorë si energjia, mjedisi dhe infrastruktura do të përfitojnë drejtpërdrejt, duke kontribuar në përmirësimin e cilësisë së jetës për qytetarët”, thotë Zhuri.
Sipas saj, ndikimi i lirimit të fondeve shtrihet edhe në reformat strukturore, pasi fondet e Bashkimit Evropian zakonisht lidhen me kushte të caktuara reformash, duke nxitur përparim në fusha të rëndësishme sikurse sundimi i ligjit, administrata publike dhe zhvillimi i qëndrueshëm.
E, Arifi beson se pikërisht këto reforma e përmirësojnë mirëqenien e qytetarëve.
“Prandaj përfitues të këtyre fondeve natyrisht që janë qytetarët e Kosovës, në përgjithësi. Si të tilla, ndihmojnë vendin për të shënuar progres në rrugën evropiane, duke mbështetur procese reformuese që ndërlidhen ngushtë me parakushtet për anëtarësim në BE”, thotë ajo.
Kosova është vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk e gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE. Aplikimi që ka bërë vendi më 2022, nuk është shqyrtuar ende nga institucionet e bllokut evropian.