Kush orkestron fushatën shpifëse kundër Hashim Thaçit?

Një fushatë mediatike dhe rrjetesh sociale e bazuar në mashtrime, manipulime dhe falsifikime është orkestruar kohët e fundit kundër Hashim Thaçit, në prag të kandidimit të tij për President i Kosovës. Qëllimi i kësaj fushate, mënyra e organizimit të saj, rrugët dhe format që po ndiqen deri edhe stili dhe gjuha e përdorur dëshmojnë qartësisht se kemi të bëjmë me një organizim të bërë nga eminencat e Jugosllavisë dhe dora e zeze e Serbisë.

Opinion

16/02/2016 12:12

Eminencat e Jugosllavisë dhe dora e zezë e Serbisë po vishen me petka qytetarie dhe intelektuale, me tituj e grada akademike e shkencore, me gjuhë e kulturë perëndimore, po fshihen prapa sakrificave e dekoratave të luftës, po qajnë me lot krokodili për vuajtjet e dënimet e burgjeve politike.

Gjithë kjo radhë është mbledhur dhe po trumbeton shpifje dhe akuza false kundër Hashim Thaçit, duke e quajtur “pjesë e shërbimeve sekrete antishqiptare”. Për ta bërë më të besueshme këtë fushatë shpifjesh kanë bashkuar në këtë korale qyqesh dashakeqe edhe disa zëra të huaj nga vende Perëndimore. Për ato që kanë dijet dhe përvojën e mjaftueshme mbi Jugosllavinë dhe dorën e zezë të Serbisë kjo fushatë shpifjesh kundër Hashim Thaçit është krejtësisht e qartë. Hashim Thaçi goditet si figurë historike në dy dekadat e fundit në Kosovë. Me Thaçin lidhen momentet dhe arritjet nga lufta e UÇK-së dhe popullit të Kosovës deri në çlirimin e saj.

Me Thaçin lidhen sfidat e mëdha të formimit të PDK-së dhe tranzicioni i vështirë i kalimit nga qeverisja ndërkombëtare drejtë organeve vetëqeverisëse. Me Thaçin lidhet shpallja e pavarësisë së Kosovës, shtet-formimi, demokratizimi dhe modernizimi i saj.

Me Thaçin lidhen hapat e jashtëzakonshëm për njohje ndërkombëtare të Kosovës integrimin euro-atlantik te saj. Fushata e eminencave te Jugosllavisë dhe dorës së zezë të Serbisë ka vënë në shënjestër Hashim Thaçin si themelues dhe drejtues i UÇK-së dhe luftës çlirimtare me qëllim që të baltosin këtë histori të përgjakur dhe të ndritur të popullit të Kosovës.

Kori i qyqeve dëshiron të errësojë luftën patriotike të UÇK-së dhe të nëpërkembet gjaku i dëshmorëve, dhimbjen e të humburve dhe plagët e veteranëve e invalideve të luftës. Orkestrimi plot shpifje e manipulime mediatike e rrjetesh sociale kundër Hashim Thaçit si drejtues prej gjashtëmbëdhjetë vitesh i PDK-së synon të hedhë poshtë rolin udhëheqës, konstruktiv e demokratik të kësaj force në periudhën më kritike dhe historike të Kosovës dhe popullit te saj.

Fushata manipulative e mbeturinave të Jugosllavisë dhe dorës së zezë të zgjatur të Serbisë kundër Hashim Thaçit si kryeministri e shpalljes së pavarësisë dhe drejtimit të saj në dekadën e parë synon të hedhë poshtë gjithë veprën monumentale të pavarësisë dhe të shtet-formimit në Kosovë.

Orkestrimi i korales së qyqeve që po pinë ujë nga Vollga deri në Savë, sulmon Hashim Thaçin si drejtuesi i politikës së jashtme dhe i diplomacisë së Kosovës me qëllim që të shmangë Kosovën nga orientimi Euro-Atlantik dhe aleanca strategjike me ShBA-n dhe Bashkimit Evropian.

Koralja e qyqeve që notojnë nga Vollga në Savë mendon se i ka ardhur momenti që të rehabilitohen me ëndërren e tyre post-Jugosllave apo të Nacertanies. Por meqenëse nuk gëzojnë as respekt dhe nuk kanë as trimëri e as mbështetje popullore po fshihen në skalionin e dytë prapa forcave opozitare shqiptare patriotike dhe demokratike.

Eminencat e Jugosllavisë dhe dora e zezë e zgjatur e Serbisë në fushatën e turpshme anti-shqiptare kundër Hashim Thaçit hedhin gurin e fshehin dorën. Ashtu sikundër fshiheshin dikur ne Grand kur Hashim Thaçi dhe disa liderë të opozitës së sotme të Kosovës luftonin për liri ose vuanin nëpër burgjet e Serbisë, po ashtu edhe sot po fshihen prapa mediave të caktuara dhe rrjeteve anonime sociale për të baltosur gjithë Kosovën, luftën, pavarësinë dhe shtetin e saj.

Historia moderne e Kosovës, lufta për liri, përpjekjet politiko-diplomatike për pavarësi dhe sukseset e mëdha në shtet-formim të Kosovës dhe popullit të saj janë të lidhura në mënyrë të pandashme me caktuara dhe rrjeteve anonime sociale për të baltosur gjithë Kosovën, luftën, pavarësinë dhe shtetin e saj.

Historia moderne e Kosovës, lufta për liri, përpjekjet politiko-diplomatike për pavarësi dhe sukseset e mëdha në shtet-formimin e Kosovës dhe popullit të saj janë të lidhura në mënyrë të pandashme me jetën dhe veprimtarinë e Hashim Thaçit dhe bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë.

Zgjedhja e Hashim Thaçit si President i Kosovës është një garanci më shumë për Kosovën shtet të pavarur e sovran, demokratik e multietnik, anëtare e denjë e familjes së kombeve të lira, në aleancë strategjike të përjetshme me ShBA-n dhe Bashkimin Evropian.

 

Autori është president i Akademisë Diplomatike Shqiptare dhe diplomat shumëvjeçarë.