Kush mund të qëndrojë prapa alarmit të rrejshëm që trazoi vendin? – Ekspertët e sigurisë japin opinionet e tyre mbi rastin
Sot në Kuvendin e Kosovës u regjistrua një incident i rëndë sigurie, pas një alarmi për bombë që detyroi evakuimin e ndërtesës gjatë seancës konstituive. Megjithatë, pas kontrollimeve të mëtejshme, u vërtetua se kërcënimi ishte i rremë, transmeton lajmi.net Ky rast ka shqetësuar institucionet dhe ekspertët e sigurisë, duke ngritur pyetje për stabilitetin dhe sigurinë…

Lajme
Drizan Shala: Ky akt është më shumë se një alarm i rremë, është një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj stabilitetit demokratik të Kosovës
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një prononcim për lajmi.net, ka komentuar rastin e sotëm të kërcënimit me bombë në Kuvendin e Kosovës, që rezultoi të jetë i rremë. Ai e cilëson këtë incident si një eskalim serioz të sigurisë publike dhe institucionale, që kërkon hetim të thelluar dhe trajtim të shumëanshëm.
Shala vlerëson se ky nuk është një rast i zakonshëm, por një sinjal alarmi që duhet analizuar në kontekstin më të gjerë politik dhe të sigurisë.
A është ky rasti i parë i një kërcënimi të tillë në Kuvend?
Sipas Drizan Shalës, në aspektin formal dhe të verifikueshëm publikisht, ky është rasti i parë kur një kërcënim me bombë drejtohet ndaj objektit të Kuvendit të Kosovës, gjatë zhvillimit të një seance konstituive – një moment kyç për funksionimin demokratik të shtetit.
Ai kujton se në të kaluarën ka pasur protesta dhe përdorim të gazit lotsjellës nga deputetë opozitarë, por kurrë më parë nuk është raportuar një rast i këtij lloji dhe intensiteti, që kërkon evakuim total dhe angazhim të njësive të specializuara.
Kush mund të qëndrojë prapa këtij kërcënimi dhe pse?
Eksperti ofron tri pista të mundshme për të kuptuar prapaskenën e këtij kërcënimi:
1. Motiv politik i brendshëm
Shala thekson se një nga mundësitë është që ky akt të jetë inskenuar për të vonuar, penguar ose delegjitimuar procesin e formimit të institucioneve, sidomos nëse rezultati i këtyre proceseve nuk është në favor të një subjekti politik apo grupi të caktuar me interesa të qarta për destabilizim.
2. Skenar i jashtëm – operacion hibrid
Sipas tij, shërbimet inteligjente të huaja, si ato të Serbisë apo Rusisë, mund të jenë të përfshira për të minuar stabilitetin e brendshëm të Kosovës dhe për të krijuar përshtypjen se ajo është një “shtet i dështuar” në sytë e ndërkombëtarëve.
Kërcënimi mund të jetë edhe një “test i reagimit” të autoriteteve, pra një operacion zbulues (“reconnaissance”) për të matur efikasitetin e sistemit të sigurisë në vend.
3. Akt individual ose grup i pakoordinuar
Një tjetër pistë është ajo që përfshin akte të izoluara kriminale apo individë me prirje psikologjike ose politike, që kanë përdorur këtë moment për të krijuar efekt maksimal publik dhe kaos institucional.
Çfarë duhet të ndodhë më tej?
Drizan Shala thekson se rasti kërkon dy trajtime të veçanta:
-
Trajtim penal dhe operacional, nga Policia dhe AKI, për të zbuluar autorët dhe motivin konkret.
-
Analizë strategjike dhe institucionale, nga Këshilli i Sigurisë Kombëtare, për të kuptuar nëse ky është pjesë e një sulmi më të gjerë ndaj rendit demokratik.
Sipas tij, nuk përjashtohet mundësia që kjo të jetë një “psy-op” hibride, e dizajnuar për të penguar riformatimin e pushtetit, për të thelluar ndarjet politike dhe për të justifikuar ndërhyrje të jashtme.
“Ky akt është më shumë se një alarm i rremë. Është një kërcënim i drejtpërdrejtë ndaj stabilitetit demokratik të Kosovës, dhe institucionet duhet ta trajtojnë me serioz maksimal,” përfundon Shala për lajmi.net.
Bedri Elezi: Një kambanë serioze, ne duhet të marrim veprime të shpejta për të krijuar struktura që kanë kapacitet për t’u përballur me sfida të tilla
Eksperti i sigurisë, Bedri Elezi, ka dhënë një koment të thelluar për lajmi.net lidhur me incidentin e alarmit të rremë për bombë në ambientet e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar këtë si një sinjal shumë serioz për situatën e sigurisë në vend dhe nevojën urgjente për forcimin e kapaciteteve të institucioneve të sigurisë.
Një kërcënim serioz dhe reagim i gjerë policor
Elezi shpjegon se situata e krijuar në Kuvend, për shkak të alarmit të rremë, ishte një shqetësim shumë i madh dhe se reagimi i strukturave të sigurisë ishte i nivelit më të lartë. “Ne kishim reaguar duke e konstatuar si një kanosje serioze dhe e kishim mbështetur analizën tonë në veprimet policore, në mënyrën se si një numër i madh i strukturave policore ishte angazhuar për një informacion të nivelit që u konsiderua se ishte i rrejshëm. Parë nga veprimet policore, ne kujtojmë që niveli më i lartë i cënimit të sigurisë së vendit ishte pikërisht Kuvendi i Kosovës, sepse në lokacionin në fjalë ishin duke qëndruar rreth 120 deputetë, përfaqësues të administratës së Kuvendit, presidencës, përfaqësues të sigurisë, përfshirë ata të objektit apo edhe të Policisë së Kosovës”, theksoi Elezi. Ai shtoi se në këto kushte, shqetësimet për sigurinë ishin më se të arsyeshme dhe serioze.
Hetime të thelluara dhe shqyrtim i elementeve të alarmit
Eksperti theksoi nevojën që ky rast të trajtohet me seriozitet të veçantë, duke kërkuar që personat e përfshirë të intervistohen dhe elementët e telefonatës të analizohen me kujdes. “Ne kemi kërkuar që në raste konkrete të intervistohet personi, në këtë rast asistentja e ish-kryetarit të Kuvendit e cila ka pranuar thirrjen telefonike, nëse ky inskenim mund të jetë nga lufta hibride, por me persona që përfshihen brenda Kuvendit të Kosovës apo brenda institucioneve tona të sigurisë. Pastaj të intervistohen përfaqësuesit që kanë ndërmarrë veprimet e para për çështjen e informacionit, lokacioni nga ku është bërë telefonata, gjuha e cila është përdorur, zëri dhe shumë mjetet të cilat janë parë nga protokolli i hetimit”, tha Elezi, duke theksuar se këto janë hapa të domosdoshëm për të zbardhur të vërtetën dhe për të adresuar kërcënimin në mënyrë adekuate.
Rreziku i luftës hibride dhe destabilizimit politik
Në një analizë më të gjerë, Bedri Elezi nuk përjashton mundësinë që ky incident të jetë pjesë e një lufte hibride që po zhvillohet kundër Kosovës. “Kërcënimi mund të vijë nga lufta hibride të vendeve armike siç janë Serbia, Rusia edhe partnerët e tyre, apo ka ndërlidhje me angazhimet politike për ta komplikuar situatën e sigurisë apo për ta tërhequr vëmendjen e publikut nga zhvillimet që janë në çështjet politike drejt asaj që janë të sigurisë”, tha ai. Elezi paralajmëroi se ky lloj veprimi mund të jetë pjesë e një përpjekjeje për destabilizim institucional dhe polarizim politik, që kërkon trajtim të kujdesshëm dhe përgjigje të shpejtë nga autoritetet.
Mungesa e kapaciteteve dhe nevoja për struktura të specializuara
Eksperti nënvizoi se ky incident evidentoi edhe mungesat profesionale në disa struktura policore për trajtimin e kërcënimeve të këtij lloji. “Ky alarm edhe njëherë tregon qartazi se na mungojnë kapacitet sa i përket trajtimit të këtyre lloj informacioneve, kemi një mungesë profesionale të strukturave të caktuara të policisë për të trajtuar dyshimin e bazuar dhe një shkaktim i frigës që i është familjarëve të deputetëve, familjarëve të përfaqësuesve të administratës së Kuvendit, presidencës dhe të sigurisë që angazhohen në këto aktivitete në Kuvendin e Kosovës si dhe objektet tjera përcjellëse”, theksoi Elezi.
Ai shtoi se Prokuroria duhet të ndërmarrë hetime të thelluara, përfshirë edhe rastet e inskenimeve me motive politike dhe me ndërlidhje me spiunazhin e huaj, duke e konsideruar situatën si shumë serioze dhe shqetësuese.
Thirrje për veprime urgjente dhe investime në siguri
Në përfundim, Bedri Elezi nënvizoi nevojën e një reagimi të fuqishëm nga institucionet e Kosovës. “Ky nivel i luftës hibride me të vërtetë është një kambanë serioze, ne duhet të marrim veprime të shpejta për të krijuar struktura që kanë kapacitet për t’u përballur me sfida të tilla. Kosova duhet të investojë fuqishëm në krijimin e strukturave dhe kushteve operative për ato struktura për trajtimin e kësaj lloj lufte hibride apo këtij mekanizmi i cili po funksionon dhe po trazon angazhimet tona, qytetarët tanë, sa herë që kanë nevojë”, përfundoi eksperti i sigurisë./lajmi.net/