Kush janë ministrat e Qeverisë Kurti që u pasuruan më së shumti për 4 vite?
Sikur të punonte për 6 vjet me radhë dhe nga ato të ardhura të mos e shpenzonte as edhe një cent, pasuria e një ministri në Kosovë do të rritej për më shumë se 100 mijë euro. Logjikisht e pamundur, por praktikisht dikush ia doli. Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për 4 vjet pasuria i…
Lajme
Sikur të punonte për 6 vjet me radhë dhe nga ato të ardhura të mos e shpenzonte as edhe një cent, pasuria e një ministri në Kosovë do të rritej për më shumë se 100 mijë euro.
Logjikisht e pamundur, por praktikisht dikush ia doli.
Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, për 4 vjet pasuria i është shtuar për 103 mijë e 544 euro.
Si udhëheqës i këtij dikasteri, Arben Vitia ka të hyra vjetore rreth 18 mijë euro dhe ky pasurim i tij për këto vite është i barabartë me sa do të fitonte ai nga paga si ministër për 5.7 vjet.
Nga 478 mijë e 258 euro sa kishte deklaruar në vitin 2020, pasuria e të parit të Shëndetësisë në vitin 2023 e kaloi gjysmë milionin.
E në raportin e fundit të publikuar në vitin 2024 nga Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit, Vitia rezulton se ka 581 mijë e 802 euro pasuri.
Vitia nuk është ministri i vetëm që ia pa hairin pushtetit. Një pasurim të dukshëm për kohën sa mbajti postin e ministrit e pati edhe Fikrim Damka.
Ministri i Zhvillimit Rajonal u pasurua për 80 mijë e 992 euro për 3 vjet.
Nga 229 mijë e 671 euro sa i deklaroi në vitin 2022, pasuria e Damkës shkoi në 310 mijë e 663 euro.
Jo kaq sa ai, por për një çerek, pasurinë e tij e shtoi edhe ministri i Financave, Hekuran Murati.
Financierit të VV-së pasuria iu rrit për 20 mijë e 983 euro, KlanKosova.
Nga 124 mijë e 177 euro sa i deklaroi në vitin 2020, Murati në 2024 pohoi se ka në posedim pasuri në vlerë të 145 mijë e 160 euro.
Për katër vjet në qeveri, u pasurua edhe ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi.
Sipas raportit krahasues të pasurisë, të publikuar nga Lëvizja FOL, Krasniqit nga viti 2020, iu shtuan 32 mijë e 841 euro në pasurinë e tij.
Nga 288 mijë e 42 euro sa deklaroi në vitin 2020, në fund të mandatit, pasuria e këtij ministri arriti në 320 mijë e 883 euro, raporton KIKS Kosova.
Jo më pak fatlum qëlloi të ishte edhe numri një i Ministrisë së Kulturës, Hajrulla Çeku.
Sa qëndroi në krye të MKRS-së, sipas të dhënave të publikuar nga FOL, Çeku u pasurua për 23 mijë e 810 euro.
Në vitin 2020, Çeku deklaroi se posedon një pasuri në vlerë të 225 mijë e 288 eurove, e cila në regjistrin e fundit të pasurisë doli se ka shkuar në 249 mijë e 98 euro.
E rritje të pasurisë në pushtet pati edhe ministri i Bujqësisë, Faton Peci.
Nga emërimi si ministër e deri më sot, atij pasuri i është rritur për gati 4 për qind, apo 17 mijë e 513 euro.
Derisa në vitin 2021, Peci deklaroi se ka në posedim pasuri në vlerë të 423 mijë e 999 eurove. Tash, nëse partia e tij nuk e formon qeverinë e re, ai do të largohet nga posti i ministrit me 441 mijë e 512 euro në thesar.
Nëse jo në zhvillimin industrial të Kosovës, një bilanc pozitiv e arriti ministrja e Tregtisë, Rozeta Hajdari, prej që erdhi në pushtet.
Ky bilanc shënon rritjen e pasurisë së saj për 26.43 për qind.
Sipas Lëvizjes FOL, e cila ka bërë monitorimin e deklarimit të pasurisë së zyrtarëve shtetërore, nga viti 2020, Rozeta Hajdari ia shtoi pasurisë së saj gati 22 mijë euro.
Kur e deklaroi pasurinë për herë të parë, ajo kishte në pronësi 61 mijë e 136 euro. Kjo pasuri në 2024-ën arriti në 83 mijë e 94 euro.
Edhe pse kabinetit qeveritar iu bashkua i fundit, pasuria iu shtua edhe ministrit të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. Ministri i FSK-së ka në posedim pasuri në vlerë të 110 mijë e 442 euro.
Nga dy herë sa e deklaroi pasurinë, Ejup Maqedonci në 2024-ën pati rreth 3 mijë euro më shumë se në vitin 2023, kur kishte deklaruar 107 mijë e 572 euro pasuri.