Kush i fitoi komunat e mëdha në Kosovë?
Zgjedhjet për kryetarët e Komunave në Kosovë, kanë përfunduar dje pasi u mbajt raundi i dytë i tyre në 18 komuna, që nuk arritën të zgjedhin kryetarin e tyre më 12 tetor. Dje, në Kosovë, është zhvilluar balotazhi në Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri,…
Lajme
Zgjedhjet për kryetarët e Komunave në Kosovë, kanë përfunduar dje pasi u mbajt raundi i dytë i tyre në 18 komuna, që nuk arritën të zgjedhin kryetarin e tyre më 12 tetor.
Dje, në Kosovë, është zhvilluar balotazhi në Gjakovë, Gjilan, Dragash, Kaçanik, Klinë, Fushë Kosovë, Mitrovicë, Obiliq, Rahovec, Pejë, Prishtinë, Prizren, Suharekë, Viti, Vushtrri, Junik, Mamushë, Kllokot. – (Renditja sipas KQZ-së)
Ndonëse qendrat e votimit u mbyllën në ora 19:00, menjëherë dje u vendos se kush do të udhëheq në këto 18 komuna pasi në shumicën e komunave diferenca mes të parit dhe të dytit është e madhe dhe nuk mund të ndryshohet me votat e diasporës apo ato të atyre me nevoja të veçanta.
Por, cila parti sa komuna fitoi?
Lëvizja Vetëvendosje, ka pasur dje rritjen më të madhe në nivel lokal, duke siguruar udhëheqjen e tyre në shtatë komuna, tri më shumë se ato që fitoi në zgjedhjet lokale të 2021-tës.
VV ka ruajtur katër komunat që po i udhëhiqte tash e katër vjet, pra Podujevën me Shpejtim Bulliqin, Shtimen me Qemajl Aliun, Kamenicën me Kadri Rahimajn dhe Gjilanin që e fitoi dje me Alban Hysenin. Këtyre komunave, VV i shtoi edhe tri komuna të tjera. Tani do të udhëheq edhe në Fushë Kosovë me Valon Prebrezën, në Mitrovicë me Faton Pecin dhe në Obiliq me Halil Thaçin.
Aq sa VV, do të udhëheq edhe Lidhja Demokratike e Kosovës, pra shtatë komuna, pasi humbën Fushë Kosovën që e udhëheqin për 5 mandate.
LDK ka fituar në raundin e parë në Istog me Ilir Feratin e Lipjan me Imri Ahmetin, ndërsa dje fituan edhe kryeqytetin e Kosovës, Prishtinën me Përparim Ramën, Dragashin me Bexhet Xheladinin, Pejën me Gazmend Muhaxherin, Vitinë me Sokol Halitin dhe Junikun me Ruzhdi Shehun.
Një komunë më pak se VV dhe LDK, do ta ketë nën drejtimin e tyre Partia Demokratike e Kosovës. Kjo parti, do të udhëheq në katër vitet e ardhshme me gjashtë komuna pasi humbi Mitrovicën dhe Drenasin që udhëhiqte katër vitet e fundit.
PDK në raundin e parë ka fituar në tri komuna, Ferizaj me Agim Aliun, Skënderaj me Sami Lushtakun dhe në Han të Elezit me Mehmet Ballazhin. Këtyre tri komunave, PDK dje i ka shtuar edhe Prizrenin me Shaqir Totajn, Kaçanikun me Sabedin Vishin dhe Vushtrrin me Ferit Idrizin.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka arritur të ruaj pesë komunat që kishte udhëhequr në katër vitet e fundit, pra i kishte fituar në zgjedhjet e vitit 2021. AAK në raundin e parë të zgjedhjeve ka fituar Deçanin me Bashkim Ramosajn, ndërsa në raundin e dytë ka ruajtur Gjakovën me Ardian Gjinin, Rahovecin me Smajl Latifin, Suharekën me Bali Muharremajn dhe Klinën me Zenun Elezajn.
Lista Serbe ka fituar të gjitha komunat me shumicë serbe në vend, pra gjithsej 10 duke rikthyer edhe ato që në dy vitet e fundit udhëhiqeshin nga kryetarë nga kryetarë shqiptarë. Në raundin e parë të zgjedhjeve, Lista Serbe kishte fituar në nëntë komuna, ndërsa dje në balotazh ka fituar edhe në Kllokot.
Nisma Socialdemokrate me Ekrem Kastratin, ka fituar që në raundin e parë në Malishevë, komuna e vetme ku garonte për kryetar komune kjo parti.
Por, kush konsiderohet fitues i këtyre zgjedhjeve?
VV dhe LDK kanë fituar numër të njëjtë komunash, pra shtatë të tilla por për nga madhësia e komunave, prin LDK.
Ajo udhëheq me Prishtinën, kryeqytetin e Kosovës dhe me Pejën si qytet i madh, ndërkaq prin edhe nga numri i qytetarëve që do të udhëheq gjatë këtyre katër viteve. Në të gjitha shtatë komunat ku ka fituar LDK, jetojnë 550 mijë banorë.
Sipas numrit të banorëve që kanë komunat e fituara, PDK radhitet e dyta pasi që udhëheq me dy komuna të mëdha, Ferizajn e Prizrenin. Sipas një infografike të publikuar nga Eugen Cakolli i IKD-së, PDK do të udhëheq 520 mijë banorë, duke u radhitur si partia e dytë fituese e këtyre zgjedhjeve.
VV me 7 komuna të fituara, sipas numrit të banorëve radhitet e treta nga këto zgjedhje. Si komuna të mëdha, VV ka fituar Podujevën, Gjilanin e Mitrovicën. Sipas kësaj infografike, numri i banorëve të shtatë komunave të fituara nga VV është 420 mijë banorë.
AAK është e katërta me numrin e banorëve të komunave që ka fituar në këto zgjedhje lokale. Sipas kësaj infografike, AAK do të udhëheq 340 mijë banorë në 4 vitet e ardhshme.
Kush, çka humbi?
Lëvizja Vetëvendosje nuk ka humbur asnjë komunë që udhëhiqte gjatë katër viteve të fundit, pra Gjilanin, Podujevën, Shtimen e Kamenicën. Me të njëjtët kandidatë për kryetarë, VV do të vazhdoj të drejtoj këto katër komuna edhe për tri vite të tjera.
Lidhja Demokratike e Kosovës ka humbur në këto zgjedhje Komunën e Fushë Kosovës, të cilën e kishte udhëhequr Burim Berisha nga LDK për pesë mandate. Në këto zgjedhje LDK e kandidoi Besnik Osmanin i cili humbi në balotazh nga Valon Prebreza i VV-së.
PDK ka humbur dy komuna me rëndësi të madhe për ta në këto zgjedhje. PDK nuk do të udhëheq më Drenasin i cili njihej si bastion i kësaj partie, pasi Ramiz Lladrovci kandidoi në këto zgjedhje si kandidat nga partia “Për Drenasin Kampion me Ramiz Lladrovcin”, pasi i njëjti nuk u kandidua nga PDK. Kandidati i PDK-së për kryetar të Drenasit, Petrit Hajdari humbi që në raundin e parë.
PDK humbi edhe në Mitrovicë. Kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Arian Tahiri u mposht nga Faton Peci i VV-së dje në balotazh.
AAK nuk e ka humbur asnjë komunë që kishte udhëhequr në katër vitet e kaluara, duke vazhduar edhe për katër vite në pesë komunat që kishte fituar edhe në vitin 2021, Deçan, Gjakovë, Suharekë, Rahovec dhe Klinë.
Rezultatet përfundimtare të këtyre zgjedhjeve nuk kanë dal ende, pasi që kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi dje para mediave ka deklaruar se brenda kësaj jave pritet të filloj numërimi edhe i votave me postë dhe atyre me nevoja të veçanta. Ai ka thënë se rezultatet përfundimtare pritet të publikohen brenda dy javëve. /Lajmi.net/