Kush është xhihadisti nga Kosova që u paraqit në videon e ISIS-it

Pasardhësi i Lavdrim Muhaxherit si komandant i shqiptarëve në organizatën terroriste ISIS është një tjetër shqiptar nga Kosova emri i të cilit është Ridvan Haqifi.

Lajme

05/06/2015 13:43

Përkundër emrit të tij, ai në organizatën terrorist njihet si Abu Muqatil (Al Kosovi). Ky i fundit të enjten kishte dërguar një mesazh kërcënues për Ballkanin, duke paralajmëruar hakmarrje ndaj atyre që kanë poshtëruar myslimanët në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni,  Serbi e Bosnje.

Prijësi i ri i shqiptarëve në Siri, Haqifi është një 25 vjeçar nga Gjilani dhe ishte lindur më 4 korrik 1990. Ndërsa sipas disa profesorëve të një medreseje, të cilët dëshiruan të mbesnin anonim, ideologjia e tij ekstremiste ishte vërejtur që në kohën kur ai ishte nxënës i medresesë.

“I dërgoj mesazh taghutave (*taghut – ata që i adhurojnë idhujt, por jo Allahun) të Kosovës, Maqedonisë dhe Shqipërisë, dhe gjithë Ballkanit: mos mendoni se ne e kemi harruar për zullumin të cilin ju ja bani myslimanëve… Mos mendoni se ne e kemi harruar për armiqësimin që ia keni bërë dinit të Allahut… Mos mendoni se ne e kemi harruar për nënçmimin dhe përuljen që ju ja bëni myslimanëve dhe fesë së Allahut… Vallahi do të vijnë ditë të zeza për juve…”, shkruan gazetaexpress.

Ai në videon që u publikua të enjten u shfaq së bashku me një tjetër shqiptar të quajtur Abu Bilqis (Al Albani), duke folur në gjuhën shqipe dhe duke dërguar mesazhe kërcënuese për Ballkanin.