Kush është Shaip Havolli, drejtori i ri i Agjencisë Kundër Korrupsionit
Shaip Havolli, deri tani ishte Major – Shef i Hetimeve të Krimeve Ekonomike në Policinë e Kosovës, e nga sot ai është zgjedhur drejtor i Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit.
Lajme
Nga 85 deputetë që ishin të pranishëm në Kuvendin e Kosovës, 47 prej tyre i dhanë votën, që ai të udhëheqë këtë Agjenci për pesë vitet e ardhshme, raporton lajmi.net.
Burime të lajmi.net bëjnë të ditur, se Havolli ka një CV shumë të pasur, e në mes tjera ka edhe trajnime në Amerikë, raporton lajmi.net
Shaip Havolli jeton në Prishtinë ndërsa ka të përfunduar Shkollë e Lartë Teknike në Universitetin e Prishtinës, drejtimi i Energjetikës, pra inxhinier i elektroteknikës.
Më pas, Havolli ka përfunduar fakultetin ekonomik në Universitetin AAB – Administrim Biznesi dhe Marketing, studimet master, si dhe në Kolegjin Universum, Grada: Master i Arteve të Menaxhimit.
Ai është rreth 49 vjeçar dhe është pjesë e Policisë së Kosovës që nga viti 2001, raporton lajmi.netr
Havolli ka qenë oficer patrullues në Stacionin Qendra në Prishtinë në fillim të karrierës, pastaj hetues në hetimet e krimeve ekonomike regjionale, pas kësaj, është bërë mbikëqyrës i hetimeve të krimeve ekonomike regjionale, pastaj është bërë U/D i shefi të krimeve ekonomike dhe korrupsionit, më pas ka kaluar në shef, në vitin 2008.
Në vitin 2010-2014 shef i sektorit për hetime të krimeve ekonomike në DHKEK, e që nga viti 2015 shef i sektorit të njësive regjionale për hetimin e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, pra menaxher i niveli ekzekutiv.
Ai ka dhjetëra kurse të përfunduara, e mes tyre edhe atë për të drejtat e njeriut për zbatimin e Ligjit dhe për parandalimin e krimeve, raporton lajmi.net
Në trajnimet e tij figuron se ka përfunduar trajnim për anti – pastrimi i parave dhe gjurmimi pasurisë, për hetime të shkeljeve tatimore, për hetim të korrupsionit e shumë të tjera.
Ndër më të veçantët përmenden trajnimet në SHBA për krimet transnacionale, por edhe trajnime të tjera në shumë shtete.
Havolli përveç gjuhës amtare flet edhe anglisht dhe serbisht, ndërsa ndër të tjera ka edhe medaljen e besnikërisë nga Drejtori i Policisë së Kosovës, e cila iu dha në vitin 2011, raporton lajmi.net
Havolli do zëvendësojë Hasan Preteni në krye të AKK-së, post ky që Preteni e mbajti për dy mandate me radhë.
Preteni ka arritur me sukses ta rrisë pasurinë e tij nga viti në vit prejse është zgjedhur në krye të Agjencisë Kosovare Kundër Korrupsionit dhe njëkohësisht ka “dështuar me sukses” ta zbulojë pasurinë marramendëse të politikanëve vendorë.
Në vitin 2010 Preteni në formularët e pasurisë kishte deklaruar se për ta blerë banesën ishte detyruar të hyjë në kredi prej 65 mijë eurosh, në njërën nga bankat komerciale në vend, edhe pse të hyrat e tij vjetore ishin prej 26 mijë e 448 eurosh.
Por, pesë vjet më vonë vlera e kredisë së tij është rritur për 5 mijë euro, duke arritur në 71 mijë euro, derisa të hyrat e tij vjetore janë rritur prej më shumë se 10 mijë eurove, duke arritur në 36 mijë e 359 euro.
Ndryshe, Agjencia Kundër Korrupsionit, është e vetmja ku zyrtarët e lartë politik në vend duhet të deklarojnë pasurinë, e ndër të tjera inicion dhe zhvillon procedurën e zbulimit dhe hetimit paraprak të korrupsionit dhe përcjellë kallëzime penale për rastet e dyshimit për korrupsion në prokurorinë publike kompetente, nëse për të njëjtin rast nuk zhvillohet procedurë penale.
Havolli kishte kundër-kandidat Burim Sadikun, i cili nuk morri vota të mjaftueshme, pra vetëm 31 gjithsej./Lajmi.net