Kush është Nexhmi Rexhepi? -Kryetari i Gjykatës Kushtetuese me deklarim pasurie mbi 200 mijë euro

Që nga 1 janari në krye të Gjykatës Kushtetuese në vend do të jetë gjyqtari Nexhmi Rexhepi. Kjo është bërë e ditur në një njoftim publik, nga Gjykata Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese njëherësh është edhe vendimtare për fatet e shumta politike të vendit. Deri më tani nga kjo gjykatë janë marrë vendim të mëdha të cilat…

Lajme

10/12/2024 12:08

Që nga 1 janari në krye të Gjykatës Kushtetuese në vend do të jetë gjyqtari Nexhmi Rexhepi.

Kjo është bërë e ditur në një njoftim publik, nga Gjykata Kushtetuese. Gjykata Kushtetuese njëherësh është edhe vendimtare për fatet e shumta politike të vendit. Deri më tani nga kjo gjykatë janë marrë vendim të mëdha të cilat më pas rezultuan me dorëheqjen e dy presidentëve të vendit, ku u gjetën edhe kundërshtime me Kushtetutën marrëveshja ndërkombëtare si marrëveshje për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Për më tepër, Gjykata Kushtetuese në vazhdimësi është parë si çelësi i ngërçeve politike në vend, duke përfshirë edhe vendimin e vitit 2014 me të cilin kjo Gjykatë vendosi standardin që mbron fituesin relativ të zgjedhjeve dhe i jep atij të drejtën që i pari të provojë formimin e qeverisë.

Madje në këtë gjykatë janë dorëzuar veçse shumë ligje, të cilat më pas presin përgjigjen se si do të përfundojnë.

Gjyqtari Rexhepi do të jetë pasues i Gresa Caka-Nimani e cila drejton këtë gjykatë deri më 31 dhjetor të këtij viti.

Në njoftim theksohet se në seancën administrative të mbajtur sot, gjyqtarët e Kushtetueses në Kosovë kanë zgjedhur Rexhepin si kryetar.

“Mandati i Kryetarit në ardhje të Gjykatës do të filloj më 31 dhjetor 2024, pasi që Kryetarja aktuale, znj. Gresa Caka-Nimani, të përfundojë mandatin nëntëvjeçar (9) të paraparë për gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese, sipas përcaktimeve të paragrafit 2 të nenit 114 [Përbërja dhe Mandati i Gjykatës Kushtetuese] të Kushtetutës”,thuhet në njoftim.

Por kush është gjyqtari Nexhmi Rexhepi?

Rexhepi ishte zgjedhur gjyqtarë në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, në gusht të vitit 2018, në kohën kur vendi ynë qeverisej nga koalicioni PAN.

Në vitin 2001 ai kishte përfunduar studimet në Fakultetin Juridik të Universitetin të Prishtinës, e më pas studimet master i vijoi në Universitetin e Sarajevës dhe Bolonjës, në fushën e të drejtave të njeriut, derisa pastaj vijoi edhe studimet e doktoratës.

Pas studimeve, gjyqtari Rexhepi karrierën profesionale e kishte filluar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, për të vazhduar më pas si mësimdhënës në Departamentin e Shkencave Penale në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës.

Gjyqtari Nexhmi Rexhpi ishte anëtar i ekipit përfaqësues të Kosovës në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, po ashtu edhe ish-ambasador i Republikës së Kosovës në Slloveni në kohën e qeverisjes së Lidhjes Demokratike të Kosovës, LDK-së.

Më 9 gusht 2018, Presidenti i Kosovës, asokohe Hashim Thaçi, emëroi disa prej gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, në mesin e tyre edhe gjyqtarin Nexhmi Rexhepi.

Rexhepi së bashku me gjyqtarët e tjerë janë emëruar në këtë pozitë në afat prej 9 viteve pa të drejtë riemërimi.

Gjyqtarit Rexhepi, aktualisht i kanë mbetur edhe disa vite deri në përfundim të mandatit të tij.Si pasuri të paluajtshme gjyqtari Rexhepi ka deklaruar pasurinë në vlerë mbi 200 mijë eurove. Një shtëpi me sipërfaqe prej 200 metrave katrorë, dhe një shtëpi tjetër me sipërfaqe prej 660 metra katrorë, pasuri për të cilën ka deklaruar se e ka në emër të përbashkët me familjarët.

Si pasuri të luajtshme gjyqtari ka deklaruar edhe një veturë e cila kap vlerën e 22 mijë eurove.

Në kuadër të të hyrave vjetore gjyqtari ka deklaruar mbi 38 mijë euro./Lajmi.net/