Kush është Hasan Krasniqi, ish kandidati i Vetëvendosjes që ishte arrestuar edhe nga Interpoli e që sot iu bastis shtëpia

Prokuroria Speciale e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë realizuar një aksion të gjerë kontrolli në objektin e kompanisë së ujësjellësit “Gjakova” dhe në shtëpinë e të dyshuarit, kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, Hasan Krasniqi. Gjatë operacionit policor janë sekuestruar prova materiale (dokumente) të cilat do të shërbejnë si prova relevante për rastin.…

Lajme

29/09/2025 14:58

Prokuroria Speciale e Kosovës në bashkëpunim me Policinë e Kosovës kanë realizuar një aksion të gjerë kontrolli në objektin e kompanisë së ujësjellësit “Gjakova” dhe në shtëpinë e të dyshuarit, kryeshefit ekzekutiv të kësaj kompanie, Hasan Krasniqi.

Gjatë operacionit policor janë sekuestruar prova materiale (dokumente) të cilat do të shërbejnë si prova relevante për rastin.

“Hetuesit policorë nga Drejtoria e Krimeve Ekonomike kanë kryer urdhër kontrollin në kuadër të hetimeve që në koordinim me Prokurorinë Speciale, janë duke u ndërmarrë për të gjitha dyshimet që janë objekt i hetimit penal.Gjatë operacionit policor janë sekuesturuar prova materiale ( dokumente ) të cilat do të shërbejnë si prova relevante për rastin.Hetimet po zhvillohen për shkak të dyshimeve për kryerjen e veprave penale: Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar; Falsifikimi i dokumentit zyrtar; Shmangie nga pagesa e tarifave të detyrueshme doganore ose tarifave akcizore; Konflikt i interesit dhe Keqpërdorimi dhe Mashtrimi në prokurorim publik”,thuhet nga Prokuroria Speciale, transmeton lajmi.net.

Por kush është Hasani Krasniqi?

Kryeshefi i Ndërmarrjes Rajonale të Ujësjellësit (KRU Gjakova) në shumë raste nuk i është ndarë tubimeve të Lëvizjes Vetëvendosje.

Madje pjesë e tubimeve të Vetëvendosjes ishte edhe derisa po drejtonte këtë ndërmarrje publike.

Por edhe më interesant është fakti se Hasan Krasniqi ishte i arrestuar edhe më parë, madje nga Interpoli.

Hasan Krasniqi ishte arrestuar në Bullgari, pas një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar nga policia italiane, për dyshimet për trafikim me qenie njerëzore. Dyshohej se Krasniqi që ka një kompani transporti udhëtarësh me autobus nga Gjakova drejt vendeve të Evropës kishte përdorur këtë kompani për kontrabandimin e njerëzve me dokumente false.

Sipas Gjykatës, ai është akuzuar për tri vepra penale: Lehtësimi i migrimit të jashtëligjshëm me bashkëpunim, përdorimi i dokumenteve të falsifikuara dhe falsifikimi i dokumenteve zyrtare nga një person privat.

“Duke pasur parasysh mungesën e vendbanimit dhe lidhjet e përhershme me Republikën e Bullgarisë, gjykata vlerëson se ekziston rreziku i arratisjes së tij. Gjykata, për të siguruar mbarëvajtjen e procedurës aktuale të ekstradimit, për të kufizuar lëvizjen e tij, vlerësoi se duhet të marrë masën e paraburgimit deri në përfundimin e procedurës për dorëzimin e të kërkuarit”, thuhet në arsyetimin e Gjykatës së Qarkut Kryustendil.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës ka konfirmuar se Hasan Krasniqi, kryeshef ekzekutiv i KRU “Gjakova”, ishte arrestuar në Bullgari më 19 shkurt 2024, pasi “supozohet të jetë person i kërkuar nga Interpoli”.

Në prill të vitit të kaluar, Bordi i Drejtorëve të KRU “Gjakova” mori vendim për shfuqizimin e vendimit mbi pezullimin e marrëdhënies së punës së kryeshefit Hasan Krasniqi. Vendimi erdhi pas arrestimit të tij nga autoritetet bullgare në shkurt të këtij viti. Në një komunikatë për media, Bordi njoftoi se vendimi ishte marrë në një mbledhje të jashtëzakonshme të mbajtur më 6 prill 2024, dhe Krasniqi u obligua të paraqitej në punë më 8 prill 2024.

Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Gjakovë në vitin 2023 ngriti aktakuzë ndaj Hasan Krasniqit, kryeshef i KRU “Gjakova”, për veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”.

Krasniqi mund të përballet me drejtësinë kosovare shumë shpejt për një tjetër rast, si drejtues i KRU “Gjakova”. Kjo pasi, pas publikimit të një hulumtimi nga Kallxo.com, i cili zbuloi se Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Gjakova” ka blerë një barkë/anije të vogël në vlerë 24,500 euro, e cila nuk arriti të përdorej pasi u sekuestrua nga Dogana dhe Policia e Kosovës, rasti do të trajtohet nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

Ushtruesi i detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi, konfirmoi se rasti fillimisht ishte dërguar në Gjakovë. “Ju njoftoj se lidhur me këtë çështje, Prokuroria Themelore në Gjakovë, pas pranimit të informacionit të paraqitur nga ju, më datë 28.10.2024 e ka përcjellë këtë rast si njoftim në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës, ndërsa Prokuroria Speciale, më datë 15.11.2024 ka nxjerr vendim me të cilin e ka aprovuar transferin e këtij rasti nga Prokuroria Themelore në Gjakovë tek Prokuroria Speciale,” thuhej asokohe.

Hulumtimi tregoi se barka ishte blerë nga KRU “Gjakova” prej një kompanie që ishte regjistruar rreth një muaj para se të fitonte tenderin. Më 09.07.2024, KRU “Gjakova” kishte hapur tender për blerjen e barkës që do të shfrytëzohej për monitorim, kontrollim dhe mirëmbajtje të liqenit të Radoniqit. 14 ditë më vonë, më 23.07.2024, kompania “Lind Fix” u regjistrua në Agjencinë e Regjistrimit të Bizneseve të Kosovës (ARBK), ndërsa më 16.08.2024, KRU “Gjakova” nënshkroi kontratën në vlerë 25,400 euro me kompaninë “Lind Fix” për blerjen e barkës.

Për këtë barkë që u ble nga KRU “Gjakova” u konstatua se nuk ishin ndjekur procedurat e doganimit. Kjo më pas hapi rrugë për hetim dhe barka u sekuestrua nga Policia dhe Dogana e Kosovës. Që nga 17.10.2024, barka ndodhet në Doganën e Kosovës.

Hasan Krasniqi, tre muaj pas dështimit të tij si kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për asamblist në Komunën e Gjakovës, i cili nuk arriti të marrë mjaftueshëm vota, u emërua në janar të vitit 2022 si kryeshef ekzekutiv i Kompanisë Rajonale të Ujësjellësit “Gjakova”.

Edhe një herë tjetër Krasniqi kishte rënë në prangat e policisë pasi Prokuroria Speciale bashkë me Krimet Ekomomike kishin hetuar atë nën dyshimin për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.

Prokuroria në njoftim thanë se kanë sekuestruar një laptop, telefon, dy kontrata që ndërlidhen me rastin, si dhe 22 mijë euro.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës në bashkëpunim me Drejtorinë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, përkatësisht Njësinë Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Korrupsionit në Gjakovë, kanë realizuar sot një operacion policor në Gjakovë. Operacioni policor ka rezultuar me arrestimin e një personi H.K., të dyshuar për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414 i KPRK-së, i cili me vendim të prokurorit nga PSRK është ndaluar për 48 orë”, u tha në përgjigjen e Prokurorisë Speciale për Reporteri.net.

Dy ditë më parë u raportua se ndaj Krasniqit është ngritur edhe kallëzim penal për ndërhyrje në procedurat e prokurimit publik lidhur me një tender të Ndërmarrjes.

Në fillim të muajit në disa audio-incizime që u publikum, dëgjohej kryeshefi i KRU “Gjakova”, Hasan Krasniqi, teksa flet për negocim Kontrate dhe konfirmon përfshirjen e tij në kontaktimin e bizneseve që do të merreshin me servisimin e makinave të Ndërmarrjes, si dhe dëgjohet duke thënë se do të zgjedhë Kompaninë për të nënshkruar Kontratën, për një tender për servisimin e veturave.

Hasan Krasniqi në zgjedhjet e fundit lokale, ato të vitit 2021 kishte qenë kandidat i Lëvizjes Vetëvendosje për Asamblenë Komunale të Gjakovës, por i njëjti nuk mori votat e mjaftueshme. Kurse në vitin 2022 ai është zgjedhur kryeshef ekzekutiv i KRU-Gjakova./Lajmi.net/