Kush është grupi i 20-vjeçarëve të terrorit në Lazarat
Policia zbarkon në fshatin Lazarat dhe vihet në kërkim të një grupi të rinjsh që dyshohen si autorë të vrasjes së efektivit të RENEA-s. Një prej të arrestuarve dëshmon se “grupi i zjarrit” gjendet i fshehur në pyll dhe është i pajisur me snajpera të sofistikuar. Mes të kërkuarve, edhe tre persona të shpallur në kërkim që prej muajit prill për shpërthimet me tritol në Lazarat. 12 dorëzohen, 9 mbeten në kërkim, shkruajnë mediat në Shqipëri.
Lajme
Të paktën 400 forca policie, përfshi efektivë të RENEA-s dhe Ndërhyrjes së Shpejtë janë vënë në ndjekje të një grupi personash të dyshuar për sulmin e armatosur mëngjesin e djeshëm, ku mbeti i vrarë efektivi i RENEA-s, Ibrahim Basha dhe u plagosën dy kolegë të tij. Rreth pasdites së djeshme policia publikoi një listë me emrat e personave të dyshuar si pjesë e grupit të zjarrit, të cilët janë të rrethuar në Lazarat.
Ata janë kryesisht të moshave 17-22 vjeç, por sipas dëshmisë së njërit prej të arrestuarve, janë të armatosur me snajpera të sofistikuar. Mes grupit të personave të shpallur në kërkim janë edhe tre të dyshuar për akte terroriste të ndodhura në fshatin Lazarat përgjatë muajit prill të këtij viti. Ata janë Arbion Aliko, 20 vjeç, Alban Aliko, 18 vjeç dhe Bervin Basho 22 vjeç. Edhe pse në kërkim prej tre muajsh, të dyshuarit sipas policisë janë në fshatin Lazarat dhe konsiderohen si organizatorët kryesorë të grupit të zjarrit, një pjesë e të cilëve janë lokalizuar në vendin e quajtur ish-pularia në fshatin Lazarat.
Ndërsa pjesa tjetër e grupit, sipas dëshmisë së 17-vjeçarit Xhulio Malo, ndodhet në pyll dhe janë të armatosur me snajpera dhe armë të tjera të rënda. 17-vjeçari, i cili është banor i qytetit të Gjirokastrës, ka treguar se grupi përbëhet prej 15 personash, të cilët zotërojnë 6 snajpera të sofistikuar që i kanë blerë së fundmi dhe një sasi të konsiderueshme municionesh. Malo i ka thënë policisë se ky grup është i ndarë në minigrupime dhe ndodhen në brendësi të Lazaratit, por ata kanë banesa edhe në pyll.
Pas informacioneve të marra, policia ka ndjekur të njëjtën taktikë si në operacionin e qershorit të vitit të shkuar. Fillimisht ka publikuar listën e të dyshuarve që janë gjithsej 21 persona dhe iu ka kërkuar atyre të dorëzohen, përndryshe ata do të përballen me forcën e ligjit. “Policia e Shtetit iu bën thirrje këtyre shtetasve të dorëzohen pranë organeve ligjvënëse. Një thirrje u drejtohet edhe banorëve, si dhe drejtuesve të pushtetit vendor në Lazarat, për të bashkëpunuar me forcat e policisë”, thuhet në një deklaratë për mediat.
Policia apelon se është e vendosur për zbatimin me rreptësi të ligjit, deri në kapjen apo asgjësimin e grupit të armatosur, nëse i rezistojnë operacionit të policisë duke u kundërpërgjigjur me armë. Pas thirrjes së policisë dhe publikimit të emrit në listë është vetëdorëzuar një nga personat e shpallur në kërkim për ngjarjen në Lazarat. Eligent Basha, 21 vjeç, ka pohuar para policisë se nuk ka qenë pjesë e grupit të zjarrit. Pas tij janë paraqitur në një studio televizive edhe dy persona të tjerë, që kishin emrin në listën e publikuar nga policia.
Xhemil Gjolleshi deklaroi se nuk ka qenë në Lazarat, por në qytetin e Vlorës. Pas tij edhe Jeton Kalemi ka deklaruar se nuk ka lidhje me ngjarjen dhe se jeton në Tiranë prej kohësh, ndërsa në Lazarat nuk ka qenë asnjëherë. Ai ka thënë se është e dyta herë që shpallet në kërkim dhe se policia kërkon të njollosë familjen e tij. Rreth orëve të mbrëmjes është dorëzuar edhe 17-vjeçari Gerald Bime, i cili është paraqitur në një studio televizive në qytetin e Gjirokastrës, ku ka deklaruar se nuk ka asnjë lidhje me ngjarjen.
E ndërsa policia po verifikon pozicionin e 11 të dorëzuarve, 9 prej tyre mbeten të shpallur në kërkim e policia është vënë në ndjekje të tyre. Efektivë të forcave RENEA, të FNSH-së dhe blutë e Gjirokastrës kanë nisur operacionin në Lazarat për të kapur grupin e zjarrit. Lazarati është rrethuar nga të gjitha daljet dhe forcat e policisë kanë hyrë nga mali i Sopotit, ku kanë shkuar në ndihmë edhe dy helikopterë të ushtrisë. Burime të policisë thanë se është bërë një plan për kapjen e personave të armatosur, por nuk është vendosur ende kur do të ndërhyhet për kapjen apo asgjësimin e të dyshuarve nëse i rezistojnë operacionit të policisë.
Të shpallur në kërkim janë:
Arbion Aliko, 20 vjeç
Alban Aliko, 18 vjeç
Bervin Basho, 22 vjeç
Edmond Boci, 48 vjeç
Xhemal Gjini, 18 vjeç
Albi Mahmuti
Sevo Shurdhi
Endush Aliko
Ani Hiri
Vetëdorëzohen:
Gerald Bime, 17 vjeç
Jeton Kalemi, 21 vjeç
Xhemil Gjolleshi, 20 vjeç
Eligent Basha, 21 vjeç
Zhaklin Derxho, 18 vjeç
Gurim Skënderi, 29 vjeç
Albon Meçi, 20 vjeç
Denis Mahmutaj, 19 vjeç
Sinan Rabaj, 30 vjeç
Xhuljano Nuri, 22 vjeç
Fatmir Gërveshi, 20 vjeç
Rustem Mahmutaj, 20 vjeç
Krerët e “grupit të zjarrit”, në kërkim për akte terroriste
Në listën e publikuar nga policia rezultojnë edhe emrat e Arbion e Alban Alikos dhe Bervin Bashos, të dyshuar për disa shpërthime me tritol dhe ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në muajin mars në fshatin Lazarat.
Policia dyshon se në krye të grupit të armatosur në Lazarat janë tre persona të shpallur në kërkim që prej muajit prill për disa shpërthime me tritol dhe ngjarje të tjera kriminale.
Ata janë Arbion e Alban Aliko dhe Bervin Basho, të dyshuar për akte terroriste, pasi policia ka informacione se janë përgjegjës për disa sulme me tritol, përfshi edhe lëndën plasëse të hedhur në banesën e babait të kreut të PD-së së Gjirokastrës, Roland Bejko. Tre muaj më parë policia shpalli në kërkim pesë persona, njëri prej të cilëve u arrestua si pjesë e të njëjtit grup, ndërsa katër të tjerët nuk u ndaluan nga policia.
Ata dyshohet se janë kthyer në fshatin Lazarat rreth 10 ditë më parë, të pajisur me pushkë-snajpera të sofistikuar, të cilat dyshohet se i kanë sjellë nga Greqia. Brenda muajit mars në fshatin Lazarat janë bërë 6 sulme me tritol. Sipas një raporti të policisë së Gjirokastrës, nga këto sulme që fillojnë nga data 10 mars dhe i fundit në 22 janë shkaktuar vetëm dëme materiale dhe fatmirësisht jo viktima në njerëz.
Policia e Gjirokastrës deklaroi asokohe se këto janë veprime me qëllime terroriste, të pasqyruara edhe në rrjetet sociale. Të rinjtë e shpallur në kërkim nga policia si autorë të dyshuar të shpërthimeve me tritol në Lazarat por edhe për ngjarje të tjera kriminale, rezultojnë të jenë simpatizantë të ISIS-it dhe veprave të tyre.
Ngjarjet kriminale të ndodhura në Lazarat
Më datë 10.03.2015
Në vendin e quajtur Ura e Kordhocës, në fshatin Lazarat është dëgjuar një shpërthim si ai i shkaktuar nga lëndë eksplozive. Sasia e lëndës eksplozive ishte vendosur në afërsi të kësaj ure, por nga shpërthimi i saj nuk ka patur dëmtime materiale.
Më datë 17.03.2015
Në lagjen Kordhocë të fshatit Lazarat, në oborrin e pasmë të banesës së shtetasit Hysen Bejkaj është gjetur një kallëp i dyshuar si lëndë eksplozive, i pashpërthyer, si dhe një fitil zjarrpërcjellës me gjatësi 51 cm. Nga veprimet hetimore të kryera nuk u konstatuan dëme materiale, pasi lënda shpërthyese nuk kishte shpërthyer.
Më datë 17.03.2015
Rreth orës 20:30, në lagjen Lenxat të fshatit Lazarat, nga automjeti tip “Mitsubishi” me targa KO 7793 B, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të punonjësve të policisë, të cilët kryenin shërbim në atë zonë. Pas një ndjekjeje në dinamikë është bërë e mundur bllokimi i këtij automjeti, ndërsa autorët janë larguar duke përfituar nga errësira. Në vendngjarje janë sekuestruar një armë zjarri e tipit pushkë dhjetëshe, një armë zjarri automatik kallashnikov pa qytë, gëzhoja, fishekë, dokumente si dhe tri aparate celularë.
Më datë 19.03.2015
Rreth orës 23:30, në fshatin Lazarat është vendosur një sasi lënde eksplozive në shtyllën mbajtëse të një shtylle elektrike, ku nga shpërthimi i kësaj lënde eksplozive u dëmtua shtylla mbajtëse në disa pjesë të saj.
Më datë 22.03.2015
Rreth orës 24:00, në lagjen Kordhocë të fshatit Lazarat, në oborrin e banesës së shtetasit Hysen Bejkaj është hedhur një sasi lënde eksplozive, ku si pasojë e këtij shpërthimi janë dëmtuar porta kryesore e hyrjes, si dhe xhamat e derës së banesës së shtetasit Mevlan Bejko. Në vendngjarje janë gjetur dhe sekuestruar fitili zjarrpërcjellës i përdorur për të aktivizuar lëndën shpërthyese.
Më datë 22.03.2015
Rreth orës 21:00, në vendin e quajtur “ish-pularia” në fshatin Lazarat, në verandën e banesës së shtetasit Agron Toto është vendosur një sasi lënde eksplozive e dyshuar si tritol, ku si pasojë e shpërthimit të kësaj lënde eksplozive janë konstatuar dëme të konsiderueshme në fasadën e ndërtesës, si dhe në xhamat e dyerve dhe dritareve.
Më datë 22.03.2015
Rreth orës 22:00, në fshatin Lazarat, në oborrin e banesës së shtetasit Ferdi Dajlani është hedhur një sasi e dyshuar si lëndë eksplozive. Nga veprimet hetimore në vendngjarje u konstatua se fitili zjarrpërcjellës ishte ndezur në skajin e tij, por shpërthimi i kësaj lënde nuk kishte ndodhur dhe si rrjedhojë nuk janë konstatuar dëme materiale. Në vendin e ngjarjes u sekuestrua lënda e dyshuar si eksplozive dhe fitili zjarrpërcjellës, shkruajnë mediat në Shqipëri.