Kush është Alice Weidel – ekstremistja e djathtë që po kandidon për kancelare të Gjermanisë
Alternativa për Gjermaninë ka vënë kryetaren e saj si kandidate kryesore për zgjedhjet federale 2025. Weidel shpesh polarizon – edhe brenda radhëve të saj. Ajo i përket një pakice shumë të vogël: Alice Weidel është një nga nëntë gratë në fraksionin parlamentar të së djathtës populiste dhe pjesërisht ekstremiste, Alternativa për Gjermaninë (AfD). Pjesa tjetër:…

Bota
Alternativa për Gjermaninë ka vënë kryetaren e saj si kandidate kryesore për zgjedhjet federale 2025. Weidel shpesh polarizon – edhe brenda radhëve të saj.
Ajo i përket një pakice shumë të vogël: Alice Weidel është një nga nëntë gratë në fraksionin parlamentar të së djathtës populiste dhe pjesërisht ekstremiste, Alternativa për Gjermaninë (AfD). Pjesa tjetër: 69 burra. Përqindja e grave: 11,5 për qind. Asnjë parti tjetër nuk ka një përqindje kaq të ulët. Përqindja varion nga 25,4 për qind (CDU/CSU) deri në 59,3 për qind (Të Gjelbrit).
Politikisht, Weidel është një peshë e rëndë brenda AfD-së së dominuar nga burrat: Ajo ndan kryesinë e partisë dhe të fraksionit parlamentar me Tino Chrupalla. E njëjta situatë ishte edhe në zgjedhjet federale të vitit 2021, ku të dy hynë në garë së bashku. Rezultati ishte zhgënjyes për AfD-në: 10,3 për qind krahasuar me 12,6 për qind në vitin 2017. Që atëherë, sondazhet kanë shkuar pothuajse vetëm në një drejtim: lart. Në zgjedhjet rajonale, AfD arriti së fundmi rezultate prej 18,4 për qind (Hesen) dhe 32,8 për qind (Tyringi). Ky sukses në të gjitha nivelet politike e ka shtyrë AfD-në të nominojë një si kandidate për kancelare për zgjedhjet federale 2025: Alice Weidel.
Kandidatura për kancelare
45-vjeçarja u zgjodh në janar në një kongres kombëtar të partisë në Riesa (Saksoni). Në sondazhe, AfD-ja, e cilësuar nga Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës (BfV) si e dyshuar për ekstremizëm të djathtë, ka rreth 20 për qind dhe renditet e dyta. “Prej këtej nxjerrim qartë të drejtën tonë për të qeverisur,” thotë Weidel.
Megjithatë, mundësitë që ajo të bëhet kancelare e Gjermanisë janë zero. Edhe nëse AfD bëhet forca më e madhe politike, me shumë gjasa nuk do të gjente asnjë parti që do të bashkëpunonte me të.
Modeli i kandidates për kancelare: Margaret Thatcher
Weidel mund vetëm të ëndërrojë të ndjekë hapat e modelit të saj: Margaret Thatcher. “Më impresionon biografia e saj, notimi kundër rrymës, edhe kur situata bëhet e pakëndshme,” tha liderja e AfD-së në një intervistë me gazetën gjermane “Bild” për kryeministren britanike të viteve 1979-1990.
Pseudonimi i Thatcher-it ishte “Zonja e Hekurt”, sepse ajo mbajti një kurs radikal ekonomik liberal kundër të gjitha kundërshtimeve. Parimet e saj: taksa të ulëta, më pak subvencione shtetërore, privatizime. Një kurs që përputhet me idetë e Weidel-it si ish-këshilluese për korporata. “Thatcher mori në dorë Britaninë e Madhe, kur vendi ishte ekonomikisht në krizë dhe e vuri atë në rrugën e duhur.”
“Po përpiqemi të reformojmë BE-në”
Kur Weidel iu bashkua AfD-së në vitin 2013, vetëm disa muaj pas themelimit të saj, partia kishte një program euroskeptik dhe liberal kombëtar. Sipas kandidates për kancelare, kjo nuk ka ndryshuar: “Po përpiqemi të reformojmë BE-në,” tha ajo në gusht për gazetën “Welt am Sonntag”. Në rast se një reformë e Bashkimit Evropian dështon, çdo vend duhet të ketë mundësinë të votojë me referendum për qëndrimin e tij në BE.
Në të njëjtën intervistë, Weidel mohoi çdo prirje të djathtë ekstreme brenda partisë dhe mbrojti udhëheqësin e krahut ekstremist të partisë, Björn Höcke. Shefi i AfD-së në Tyringi është dënuar disa herë për përdorimin publik të parullave naziste. Pavarësisht kësaj, Weidel pohon: “Elementi shumë provokues tek ai është zbutur. Ai po bën një punë të shkëlqyer në Tyringi. Proceset penale më duken qesharake dhe të diskutueshme.”
Weidel dikur donte ta përjashtonte Björn Höcke-n nga AfD-ja
Kështu flet politikania e lartë e AfD-së për një njeri që sipas një vendimi gjykate mund të quhet “fashist”. Për më tepër, vetë partia e tij e akuzoi atë në vitin 2017 për “afërsi ideologjike me nazizmin”. Për këtë arsye, Weidel ra dakord për një përjashtim të tij nga partia. Por kërkesa e kryesisë u refuzua nga komisioni i arbitrazhit i partisë.
Weidel pranon hapur që i pëlqen të provokojë. Në vitin 2018, ajo i quajti refugjatët dhe azilkërkuesit “burra të armatosur me thika” dhe fëmijët myslimanë “vajza me shami” në Bundestag. Për këtë, ajo u qortua publikisht nga kryetari i atëhershëm i parlamentit Wolfgang Schäuble.
“Polarizimi është një mënyrë për të nisur debatin,” – jusitfikoi ajo asokohe fjalorin e përdorur, në një intervistë me gazetën “Neue Zürcher Zeitung”. Me termin “vajza me shami”, ajo tha se donte të tërhiqte vëmendjen për një problem me Islamin konservator, i cili, sipas saj, është i papajtueshëm me Kushtetutën e Gjermanisë.
Weidel dhe kontradiktat e saj personale
Alice Weidel, provokatorja? Një grua që për shkak të jetës së saj private ndoshta përballet me paragjykime brenda partisë së saj? Sepse ajo është në një lidhje me një grua nga Sri Lanka dhe ka dy fëmijë të adoptuar. Kjo është shumë larg imazhit ideal të AfD-së. Në programin e saj, partia deklaron: “Në familje, nëna dhe babai kujdesen së bashku për fëmijët e tyre.”
Kandidatja e caktuar për kancelare e AfD-së, me rezidenca në Gjermani dhe Zvicër, nuk përfaqëson aspak botëkuptimin e partisë së saj. Për Alice Weidel, kjo nuk përbën problem, siç ka thënë vetë në vitin 2017: “Mund të ndodhë që dikush të ketë paragjykime, por kjo ndodh edhe në partitë e tjera.” /DW/