Kush e shkarkon Kryetarin e Kuvendit?

Rregullorja e Punës së Kuvendit të Kosovës saktëson se shkarkimi i Kryeparlamentarit bëhet me propozim të partisë politike ose të grupit që e ka propozuar.

Lajme

26/08/2014 21:32

Aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me seancën konstituive të Kuvendit nuk i ka lënë mundësi Bllokut Opozitar për ta zgjedhur vetë Kryeparlamentarin, duke ia njohur këtë të drejtë vetëm grupit më të madh parlamentar – PDK-së.

LDK-AAK-Nisma janë para dy mundësive: Ta votojnë Kryeparlamentarin e propozuar nga PDK, ose të mos votojnë dhe rrjedhimisht të bllokohet procesi i konstituimit të Kuvendit, marrë parasysh që PDK nuk i ka 61 vota për zgjedhjen e Kryeparlamentarit.

Në Aktgjykimin e Kushtetueses thuhet se Grupi Parlamentar mund të regjistrohet vetëm pas konstituimit të Kuvendit.

Blloku Opozitar mund ta mendojë si mundësi krijimin e grupit të tyre parlamentar, pas zgjedhjes së Kryeparlamentarit të PDK-së, si dhe rrëzimin e tij me 81 vota, në mënyrë që ta zgjedhë vetë Kryeparlamentarin nga radhët e saj.

Por, Rregullorja e Punës së Kuvendit të Kosovës saktëson se shkarkimi i Kryeparlamentarit bëhet me propozim të partisë politike ose të grupit që e ka propozuar.

Neni 14 – Mandati i Kryesisë

3. Kryetari i Kuvendit mund t’ia paraqesë dorëheqjen Kuvendit. Aktin e dorëheqjes me shkrim ia dorëzon paraprakisht Kryesisë së Kuvendit. Pas miratimit të dorëheqjes, partia politike ose koalicioni që e ka emëruar Kryetarin e mëparshëm të Kuvendit, propozon kandidat të ri për kryetar.

4. E njëjta procedurë zbatohet edhe në rast të dorëheqjes së ndonjërit nga anëtarët e Kryesisë.

5. Shkarkimi i Kryetarit ose i anëtarit të Kryesisë së Kuvendit, me propozim të partisë politike ose të grupit që e ka propozuar, bëhet sipas procedurës së zgjedhjes së tyre.

(Politiko.net)