Kush do drejtoj Prishtinën? Tri parti kanë zyrtarizuar kandidatët e tyre- emri i Konjufcës vazhdon të përmendet, PDK vazhdon në heshtje

Zgjedhjet lokale në Kosovë, do të mbahen në vjeshtën e këtij viti, saktësisht në muajin tetor ndërkaq data pritet të caktohet gjatë këtyre ditëve nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani. Në lidhje me këtë datë, Osmani dje ka takuar krerët e partive politike me të cilët është konsultuar për një datë të përshtatshme që do…

Lajme

05/06/2025 13:01

Zgjedhjet lokale në Kosovë, do të mbahen në vjeshtën e këtij viti, saktësisht në muajin tetor ndërkaq data pritet të caktohet gjatë këtyre ditëve nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani.

Në lidhje me këtë datë, Osmani dje ka takuar krerët e partive politike me të cilët është konsultuar për një datë të përshtatshme që do t’i dërgojnë qytetarët drejt kutive të votimit.

5, 12 dhe 19 ishin datat që u propozuan nga krerët e partive politike, ndërkaq data 5 mund të caktohet vetëm nëse e para e vendit do ta caktoj datën sot, shkruan lajmi.net.

Nga këto zgjedhje lokale, ndonëse secila Komunë ka rëndësinë e vet, sy e vesh të gjithë janë nga gara e fortë që do të bëhet në Prishtinë.

Kush do të garoj në Prishtinë?

Kryetari aktual i kryeqytetit, Përparim Rama ndonëse mes shumë kritikash nga qytetarë të Prishtinës dhe më gjerë, do të jetë kandidati i LDK-së për kryetar edhe në këto zgjedhje.

LDK do të ia besoj kandidimin përsëri Ramës, ndonëse gara mund të jetë shumë e fortë nga kandidatët që do të propozohen nga partitë e tjera.

Rama më 8 shkurt 2024, një ditë para zgjedhjeve të përgjithshme ka deklaruar se do të jetë kryetar edhe për një mandat, me qëllimin për ta “transformuar kryeqytetin”.

“Absolutisht që po e kemi një bashkëpunim me LDK- dhe do jemi se bashku në mandatin e dytë, e kam thënë në fillim që më duhen dy mandate ta transformoj kryeqytetin, jemi një jemi bashkë dhe do vazhdojmë’’, tha Rama, teksa u shpreh I bindur se do e fitoj përsëri këtë garë “Pa asnjë dyshim”, pati thënë Rama.

Besa Shahini është kandidatja e parë e cila e ka konfirmuar se do të garoj për të fituar pushtetin në Komunën e Prishtinës.

Në këto zgjedhje, ajo do të kandidoj si kandidate e pavarur dhe jo si pjesë e një partie.

Kështu bëri të ditur vetë Shahini më 3 qershor të këtij viti përmes rrjeteve sociale.

Përmes këtij Njoftimi ajo u shpreh se Prishtinës i duhet një ndryshim radikal, sa i përket zhvillimit.

“Unë dua të jem pjesë e këtij ndryshimi. Ndaj në vjeshtë do të garoj për Kryetare të Komunës në Zgjedhjet lokale 2025.” – tha Shahini.

Përveç Ramës e Shahinit, qytetarët e Prishtinës në fletëvotim do të kenë edhe një mundësi për të zgjedhur.
Deputeti i Kuvendit të Kosovës Bekë Berisha do të jetë kandidat i AAK-së për kryetar të Kuvendit. Këtë e ka konfirmuar vetë kryetari i kësaj partie, Ramush Haradinaj dje përmes një interviste.

“E kemi identifikuar kolegun tonë Bekë Berisha, deputet i Kuvendit të Kosovës me shumë mandate, për kandidat për Prishtinë. Jeton në Prishtinë që nga paslufta, është mjaft i integruar dhe i njeh specifikat e qytetit,” deklaroi Haradinaj.

Ai e përshkroi Berishën si një person të arsimuar dhe të aftë, ndonëse sipas tij ai nuk e ekspozon gjithmonë anën e tij intelektuale.

“Beka është mjaft i ngritur, inteligjent e intelektual, por nuk e ekspozon,” shtoi kreu i AAK-së.

Për kandidatin e VV-së për kryetar të Prishtinës, e që po raportohet se mund të jetë ish kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, dje është pyetur deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu por ajo nuk ka dhënë ndonjë konfirmim.

“Vetëvendosje ka nisur me shpalljen e kandidaturave, aty ku udhëheqim kemi bërë të ditur se vazhdojmë me kryetarët e njëjtë, në Kamenicë, në Podujevë, edhe në Shtime me kryetarin Qemajl Aliu e sot vazhdojmë edhe me Gjilanin e kështu me radhë. Pra për VV-në e rëndësishme është që ky cikël të përfundohet e për të vazhduar me listat zgjedhore me asambletë komunale”, deklaroi ajo, shkruan lajmi.net.

Lajmi.net ka tentuar të kontaktoj me përfaqësues të PDK-së në lidhje me kandidaturën e tyre për kryetar të Prishtinës, por ata nuk kanë kthyer përgjigje.

Kush udhëhoqi me Prishtinën ndër vite?

Bajram Rexhepi nga PDK udhëhoqi Prishtinën që nga viti 2000-2002, si kryetari i parë i zgjedhur pas luftës.

Ismet Beqiri nga LDK ka udhëhequr Komunën e Prishtinës që nga viti 2002-2007, si një nga figurat qendrore të partisë atë kohë.

Pas tij, Ahmet Isufi nga AAK udhëhoqi me Prishtinën si ushtrues detyre gjatë vitit 2007.

Edhe Arsim Bajrami nga PDK, ishte ushtrues detyre i kryetarit të Komunës së Prishtinës gjatë vitit 2007.

Nga 2007-2013, Isa Mustafa nga LDK ka qenë një ndër kryetarët më të njohur të Prishtinës i cili më vonë u bë edhe kryeministër i Kosovës.

Shpend Ahmeti ishte kryetari që udhëhoqi Prishtinën më gjatë, për dy mandate. Mandatin e parë që e filloi nga viti 2013 ishte pjesë e Vetëvendosjes, ndërsa për mandatin e dytë ai kaloi në PSD ku përsëri fitoi, dhe udhëhoqi me Prishtinën deri në vitin 2021.

Kryetari aktual i Prishtinës, është Përparim Rama i cili ka fituar këtë mandat në zgjedhjet lokale të tetorit të vitit 2021.

Gara për kryetar të Komunës së Prishtinës, sipas kandidatëve që po synojnë pushtetin duket të jetë e ashpër.

Prishtina vazhdon të jetë komuna më e rëndësishme në vend, duke pas parasysh edhe faktin se është kryeqytet. Por qytetarët e saj përballen vazhdimisht me probleme nga më të ndryshmet, madje edhe me nga ato më elementaret siç janë borxhet e komunës e papastërtia që ka kaluar çdo nivel.

Kësisoj, kushdo që do e drejtojë Prishtinën për një mandat tjetër 4 vjeçar, do të përballet me problematika të shumta që prekin direkt jetën e qytetarit. /Lajmi.net/