Kusari-Lila me akuza të rënda për AAK-në

Ish-kryetarja e Gjakovës dhe deputetja Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se Qeveria Haradinaj po i bën dëme të mëdha Kosovës e në veçanti komunave. Sipas saj kuvendi komunal i Gjakovës sot do të mbajë një mbledhje e jashtëzakonshme për ta ndryshuar planin e Shkugëzës në mënyrë që të ndërtohet një teren sintetik i futbollit, e që ai vend ka qenë i destinuar për ndërtimin e fushave të tenisit.

Lajme

07/02/2018 11:01

Në një postim në rrjetin social Facebook Kusari-Lila ka thënë se Gjakova rrezikon të humb projektin kapital për avancimin e sportit.

“Njëherë mbyllim dhe zhvatim Kosovën, pastaj komunat … me radhë. Sot Gjakovën e kanë në agjendë. Është ftuar mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal në Gjakovë për të ndryshuar planin e Peisazhit Shkugëz dhe në vendin e destinuar për t’u ndërtuar fushat e vetme të kompletuara të tenisit në Kosovë, planifikohet të ndërtohet terren sintetik i futbollit. Në fillim të mandatit, Qeveria Haradinaj projektit prej 480,000 euro ia mori 380,000 euro përkundër që kontrata për ndërtimin e terreneve të tenisit është e nënshkruar dhe tani sikur kjo të mos ishte mjaftueshëm e dëmshme, komuna e copton terrenin jashtë ligjshëm pa diskutim publik, pa ndryshim plani dhe pa sqarime për finalizimin e terrenit të tenisit”, thuhet në postimin e deputetës në Facebook.

“Sot, pas Kosovës tash Gjakova rrezikon të humb projekt kapital për avancimin e sportit dhe perspektiven e gjeneratave të reja. Ndërsa, përkundër premtimeve që AAK i bëri në Gjakovë për fushën e futbollit në Dardani (ish-Piskotë), pa hezitim dhe në formë arbitrare vendosin ndërtimin e terrenit të futbollit diku tjetër për interesin privat të cilin do të kuptojmë së shpejti për kënd u bë, krejt në dëm të interesit publik. Turp dhe Krim i institucionalizuar”, thuhet në fund të postimit.