Kusari kritikon mbylljen e mbledhjeve të SHSKUK-së: Po menaxhohen mbi 200 milionë euro pa praninë e publikut

Juristja e medias, Flutura Kusari, ka kritikuar reagimin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) lidhur me vendimin për mbylljen e mbledhjeve të Bordit për publikun dhe mediat, duke e cilësuar arsyetimin ligjor të institucionit si të pabazuar. Kusari ka thënë se Ligji për Shëndetësi dhe Statuti i SHSKUK-së nuk e ndalojnë monitorimin…

Lajme

04/08/2026 12:46

Juristja e medias, Flutura Kusari, ka kritikuar reagimin e Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar të Kosovës (SHSKUK) lidhur me vendimin për mbylljen e mbledhjeve të Bordit për publikun dhe mediat, duke e cilësuar arsyetimin ligjor të institucionit si të pabazuar.

Kusari ka thënë se Ligji për Shëndetësi dhe Statuti i SHSKUK-së nuk e ndalojnë monitorimin e mbledhjeve, ndërsa sipas saj, institucioni është mbështetur në një ligj të përgjithshëm për të justifikuar zhvillimin e takimeve pa praninë e publikut.

Ajo ka ironizuar interpretimin e SHSKUK-së, duke thënë se nëse një arsyetim i tillë do të qëndronte, atëherë edhe mbledhjet e mëparshme të hapura të institucioneve publike do të konsideroheshin shkelje ligjore.

“Dmth sa ishin mbledhjet e hapura, e kanë shkelë ligjin dhe krejt institucionet tjera që na lejojnë me monitoru janë duke e shkelë ligjin e procedurës administrative”, ka shkruar Kusari.

Sipas saj, qëllimi i reagimeve publike nuk është vetëm rikthimi i mbledhjeve të hapura, por dokumentimi i mënyrës së qeverisjes dhe nivelit të transparencës në institucionet publike.

“Qëllimi i reagimit tim dhe besoj edhe i gazetarëve që kanë reaguar para meje nuk është sepse mendojmë që mbledhjet do të hapen. Jo, jo asesi. Qëllimi i reagimeve është që të dokumentojmë mënyrën se si qeveriset”, ka deklaruar ajo.

Kusari ka kritikuar mungesën e transparencës në menaxhimin e buxhetit të SHSKUK-së, duke thënë se bëhet fjalë për një institucion që administron mbi 200 milionë euro.

“SHSKUK le të vazhdojë të operojë në terr dhe t’i menaxhojë 200 milionë euro pa praninë e publikut, ndërsa ne kemi të drejtë të pyesim se ku po shkojnë këto mjete dhe pse pacientët detyrohen t’i blejnë vetë barnat që duhet t’i sigurojë ky institucion”, ka shkruar ajo.

Në fund, Kusari u ka bërë thirrje personave që mund të kenë informacion për mbledhjen e ardhshme të Bordit të SHSKUK-së që ta njoftojnë, duke thënë se dëshiron të dokumentojë me fotografi dhe video dyert e mbyllura të një institucioni publik që menaxhon qindra miliona euro. /Lajmi.net/