Kusari ankohet në Apel për refuzimin e kallëzimit penal ndaj mbështetësit të VV-së: Ngacmimi ka qenë obsesiv dhe i vazhdueshëm për tri vite

Juristja dhe aktivistja e njohur për të drejtat e njeriut, Flutura Kusari, ka paraqitur ankesë në Prokurorinë e Apelit kundër vendimit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, e cila kishte refuzuar kallëzimin penal të saj për ngacmim ndaj Mentor Llugaliut, mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje. Sipas Kusarit, Llugaliu ka ushtruar ngacmim të vazhdueshëm për më shumë se…

Lajme

08/07/2025 13:47

Juristja dhe aktivistja e njohur për të drejtat e njeriut, Flutura Kusari, ka paraqitur ankesë në Prokurorinë e Apelit kundër vendimit të Prokurorisë Themelore të Prishtinës, e cila kishte refuzuar kallëzimin penal të saj për ngacmim ndaj Mentor Llugaliut, mbështetës i Lëvizjes Vetëvendosje.

Sipas Kusarit, Llugaliu ka ushtruar ngacmim të vazhdueshëm për më shumë se tri vite nëpërmjet rrjeteve sociale, përmes të paktën 101 postimeve publike në Facebook me përmbajtje të përsëritur, seksiste, denigruese dhe, siç i cilëson ajo, “të obsesionuara”, transmeton lajmi.net

“Postimet nuk kanë asnjë lidhje me angazhimin tim në shoqëri, por janë ngacmime të vazhdueshme dhe hakmarrëse për shkak të një dështimi personal të të pandehurit për t’u zgjedhur anëtar bordi i RTK-së,” shkruan Kusari në ankesën e saj, duke shtuar se Llugaliu vazhdon ta ngacmojë edhe pas refuzimit të kallëzimit penal.

Në ankesë, e përpiluar nga avokatja Albulena Ukimeri me mbështetjen e Institutit të Kosovës për Drejtësi, paraqiten katër argumente kryesore:

  1. Ngacmimi nuk kërkon kontakt të drejtpërdrejtë – Kusari argumenton se prokuroria ka gabuar duke interpretuar se ngacmimi ndodh vetëm përmes komunikimit direkt, duke ofruar raste dhe aktgjykime të tjera që përfshijnë ngacmim përmes postimeve online.

  2. Postimet nuk kanë lidhje me pozitën publike të saj – Asnjë nga 101 postimet, sipas saj, nuk ka përmbajtje që sfidon qëndrimet apo angazhimet e saj publike.

  3. Ngacmimi nuk është shpifje – Kusari thekson se nuk ka pretenduar asnjëherë se është fyer apo se i është dëmtuar reputacioni, por se është ngacmuar dhe frikësuar përmes një sjelljeje të përsëritur obsesive.

  4. Frika për pasoja më të rënda – Ajo shpreh shqetësimin se ngacmimi i vazhdueshëm dhe retorika agresive mund të rezultojnë me pasoja më të mëdha ndaj saj dhe familjes së saj.

Si shembuj të qartë të ngacmimit, Kusari përmend postime të Llugaliut si: “E bullizuara ime e vitit”, “nuk kam me ta ndalë nxemjen”, “mickoja e kait”*, duke i cilësuar këto si forma të hapura të ngacmimit me karakter penal dhe jo si thjesht fyerje apo shpifje që rregullohen me ligjin civil.

“Për tre vite kam hezituar të paraqes kallëzim penal sepse kam pasur frikë se do ta trimërojë më shumë, gjë që fatkeqësisht ka ndodhur. Tash është në dorën e Prokurorisë së Apelit që të vendosë për një rast që përfaqëson një nga shembujt më të qartë të ngacmimit online në Kosovë,” përfundon ajo.

Sipas Kusarit, profili i Llugaliut përmban edhe postime të ngjashme ndaj grave të tjera që janë aktive në jetën publike, duke e konsideruar këtë si përpjekje sistematike për t’i margjinalizuar dhe frikësuar ato nga angazhimi publik./lajmi.net/