Kurtit po i rrjedh afati 15 ditor, Quni: LDK është për Qeveri tranzitore, as unë e asnjë deputet s’del kundër partisë

Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet tek ideja e krijimit të një qeverie tranzicionale me një agjendë specifike për të tejkaluar krizën politike. Nënkryetari i LDK-së, Anton Quni ka thënë se të gjithë deputetët janë unik në këtë qëndrim, i pyetur për pozicionin e partisë dhe të tij personal në raport me përpjekjet e kreut të…

Lajme

14/10/2025 17:56

Lidhja Demokratike e Kosovës mbetet tek ideja e krijimit të një qeverie tranzicionale me një agjendë specifike për të tejkaluar krizën politike. Nënkryetari i LDK-së, Anton Quni ka thënë se të gjithë deputetët janë unik në këtë qëndrim, i pyetur për pozicionin e partisë dhe të tij personal në raport me përpjekjet e kreut të VV-së, Albin Kurti, për krijimin e Qeverisë së re tashmë kur afati 15 ditor ka nisur të rrjedh.

Që pas zgjedhjeve të shkurtit 2025, kreu i LVV-së, Albin Kurti, ia ka bërë disa ftesa LDK-së për të diskutuar atë kohë për një marrëveshje që do të mundësonte votimin e kryeparlamentarit dhe krijimin e institucioneve të reja. Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, në vazhdimësi ka refuzuar thirrjet e VV-së për bashkëqeverisje.

Por a ka ndryshuar LDK pozicion, tashmë kur rrethanat politike kanë ndryshuar, meqë Kuvendi ka një kryeparlamentar dhe kur Kurtit kanë filluar t’i harxhohen ditët e afatit kushtetues dyjavor për krijimin e një shumice për votimin e Qeverisë së re?

Në një përgjigje për Gazetën Express ka folur nënkryetari i LDK-së dhe deputeti i Kuvendit të Kosovës, Anton Quni.

Quni ka thënë se në rrethanat e një krize politike, LDK ka propozuar krijimin e një qeverie tranzitore me një mandat e agjendë të caktuar, ku do të përfshiheshin të gjithë.

“Në kontekstin e një krize politike, LDK-ja ka propozuar formimin e një qeverie tranzitore kombëtare me një mandat dhe agjendë të përcaktuar qartë.Kjo qeveri do të ishte gjithëpërfshirëse dhe konsensuale”, ka thënë Quni për Express.

Ai ka thënë se të gjithë deputetët e LDK-së janë unik në këtë qëndrim dhe asnjëri s’do të dalë kundër me vendimet dhe qëndrimet e partisë.

“Prandaj, ne, të gjithë deputetët e Grupit Parlamentar të LDK-së,  jemi unikë në këtë çështje. As unë dhe asnjë deputet tjetër nuk do të dalim në kundërshtim me vendimet dhe qëndrimet e partisë”, ka thënë Quni për Express.

Për seancën e votimit të Qeverisë ka folur sot edhe vetë kreu i LVV-së, Albin Kurti, duke thënë se janë edhe dhjetë ditë në dispozicion për t’u marrë me këtë çështje. Ai ende s’ka dhënë sinjale për ndonjë diskutim me ndonjë prej partive, derisa NISMA është shfaqur e hapur për diskutim, me kushtin që Limaj emërohet në vend të Dimal Bashës kryeparlamentar.