Kurtishaj: Sektori transportit në gjendje të rëndë, kërkojmë për përkrahje nga Qeveria

Kurtishaj, kryetar i Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve ka thënë se gjendja e kompanive transportuese në Kosovë është shumë e rëndë.

Lajme

14/09/2021 15:45

Përmes një komunikate për media Kurtishaj ka kërkuar përkrahje nga Qeveria, në të kundërtën protestat janë të pashmangshme

Komunikata e plotë:

Kryesia e Shoqatës së Transportit Rrugor të Udhëtarëve ka mbajtur takim me datë 13 shtator 2021, ku ka diskutuar lidhur me situatën e rënduar aktuale në sektorin e transportit rrugor të udhëtarëve me autobusë për shkak të numrit të madh të të infektuarve me Covid-19 dhe masave për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë, të miratuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.

Si pasojë e këtyre masave numri i udhëtarëve është shumë i vogël në autobusë, prandaj kompanitë e transportit ndër-urban dhe urban-periferik janë pranë falimentimit.

Është i vetmi sektor i cili nuk është përkrahur asnjëherë nga Qeveria e Republikës së Kosovës, edhe pse me Qeverinë e kaluar kemi nënshkruar marrëveshjen për subvencionimin e transportit rrugor të udhëtarëve për shkak të gjendjes së rënduar në të cilën po kalon ky sektor, por e cila marrëveshje asnjëherë nuk është implementuar.

Shoqata e Transportit Rrugor të Udhëtarëve do të bëj përpjekje të vazhdueshme për të bashkëpunuar ngusht me Ministrinë e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, që të gjindet një zgjidhje e pranueshme në mënyrë që të mbahet regjimi i linjave në transportin ndër-urban dhe urban-periferik, të ruhen vendet e punës të të punësuarve dhe të funksionoj transporti rrugor i udhëtarëve me autobusë në të gjithë Kosovën.

Prandaj, është momenti i fundit që kërkesat tona të merren me seriozitet duke ndihmuar sektorin e transportit rrugor të udhëtarëve dhe njëkohësisht duke evituar organizimin e protestave, që është kërkesë e të gjithë anëtarëve të Shoqatës nga ky sektor. / Lajmi.net/