Kurti: Vuçiq me Rusinë, mbi varrezat masive po përgatit kërcënime e ultimatume të reja ndaj Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se “presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në koordinim me Rusinë, mbi varrezat masive, po përgatit kërcënime dhe ultimatume të reja ndaj Kosovës”. Kurti ka listuar veprimet që duhej të ndërmerrte Serbia për të vrarët në luftën e fundit në Kosovë, të dhunuarit, të dëbuarit në vend që të jepte…

Lajme

13/09/2024 16:49

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se “presidenti serb, Aleksandar Vuçiq në koordinim me Rusinë, mbi varrezat masive, po përgatit kërcënime dhe ultimatume të reja ndaj Kosovës”.

Kurti ka listuar veprimet që duhej të ndërmerrte Serbia për të vrarët në luftën e fundit në Kosovë, të dhunuarit, të dëbuarit në vend që të jepte ultimatum e që të vazhdonte me kërcënime.

“Në vend që Serbia: të pendohet për krimet, të kërkojë falje për to dhe të mos i mohojë ato;

t’i hapë arkivat e luftës të policisë dhe ushtrisë jugosllave, sidomos të brigadës së motorizuar 37; të paguajë dëmshpërblimet; të bashkëpunojë për të vendosur drejtësi për viktimat e gjenocidit; të angazhohet për pajtim e paqe duke reflektuar mbi përgjegjësinë që ka; ajo ka zgjedhur anën e kundërt, duke përsëritur kërcënimet dhe ultimatumet, ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj, në bashkëpunim dhe koordinim të afërt me Rusinë. Krimet makabre që Serbia para 25 vjetëve i kreu në Kosovë, sot po përsëriten nga Rusia në Ukrainë dhe po synohen që të kthehen prapë në rajonin e Ballkani”, ka shkruar Kurti.

Sipas tij qasja e Serbisë ndaj Kosovës është tejet shqetësuese.

“Qasja e pushtetit në Serbi ndaj Kosovës është tejet dëshpëruese. Fillimisht u normalizua pandëshkueshmëria dhe fushatat propaganduese. E tash po synohen të normalizohen sulmet paramilitare dhe terroriste (Banjska, 24 shtator 2023), kërcënimet dhe ultimatumet, të cilat arsyetohen me lajme të rrejshme dhe fushata dezinformuese, para syve të botës demokratike”.
“Sot, Kosova është më e fortë se kurrë më parë, nuk trembet nga kërcënimet. Ne mbrojmë të gjithë qytetarët tanë dhe liritë e të drejtat e tyre, integritetin territorial dhe sovranitetin shtetëror të vendit tonë, progresin demokratik e socio-ekonomik të popullit dhe institucioneve tona. Mirëpo, kjo që po ndodhë aktualisht, tregon se sa larg është Serbia nga vlerat demokratike dhe njerëzore dhe sa e mishëruar mbetet me gjenocidin e kryer në vitet e ‘90-ta”, ka shkruar Kurti në profilin e tij në Facebook. /Lajmi.net/