Kurti: USAID na ka mbështetur në reformat e qeverisë

Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim Ndihmës Administratoren në Byronë për Evropë dhe Euroazi të USAID, ambasadoren Elizabeth McKee dhe Drejtorin e Misionit, James Hope, të shoqëruar nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier. Duke i uruar mirëseardhje në Kosovë, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmën e…

Lajme

21/11/2024 20:44

Kryeministri Albin Kurti ka pritur në takim Ndihmës Administratoren në Byronë për Evropë dhe Euroazi të USAID, ambasadoren Elizabeth McKee dhe Drejtorin e Misionit, James Hope, të shoqëruar nga ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Jeffrey Hovenier.

Duke i uruar mirëseardhje në Kosovë, kryeministri Kurti shprehu mirënjohjen për mbështetjen dhe ndihmën e USAID, që sivjet shënon 25-vjetorin e themelimit.

Sipas komunikatës së kryeministrisë, specifikisht falënderimet kanë shkuar për mbështetjen në reformat e qeverisë në energji, përkatësisht në tranzicionin energjetik, prokurim publik, luftimin e korrupsionit dhe sundimit të ligjit.

“Ai shprehu falënderim të veçantë për rolin dhe bashkëpunimin në arritjen e vlerësimit të parë kreditor sovran të Kosovës, nga Fitch Ratings, që bashkë me Agjencinë e Investimeve dhe Eksportit që është themeluar rishtazi, po ashtu me mbështetjen e USAID, do të ndihmojnë në tërheqjen e investimeve në Kosovë”, thuhet në komunikatë.

Në këtë takim, kryeministri Kurti dhe ambasadorja McKee diskutuan për zhvillimet në vend, zbatimin e projekteve të përbashkëta dhe për mundësitë për bashkëpunime të reja, me theks në fushën e sundimit të ligjit dhe zhvillimit të qëndrueshëm.