Kurti uron “Ditën e Forcës”: Investime rekord në armatim, ushtria po pajiset me teknologji moderne

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nga kazerma “Adem Jashari” ka uruar “Ditën e Forcës”, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite për popullin e Kosovës dhe rolin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në garantimin e paqes dhe sigurisë për brezat e rinj. Ai foli edhe për investimet e mëdha të bëra në modernizimin e ushtrisë…

Lajme

27/11/2025 11:56

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, nga kazerma “Adem Jashari” ka uruar “Ditën e Forcës”, duke theksuar rëndësinë e kësaj dite për popullin e Kosovës dhe rolin e Forcës së Sigurisë së Kosovës në garantimin e paqes dhe sigurisë për brezat e rinj.

Ai foli edhe për investimet e mëdha të bëra në modernizimin e ushtrisë dhe pajisjet e reja që, sipas tij, po e transformojnë FSK-në në një forcë të denjë për standardet e NATO-s.

Kurti kujtoi sakrificën e dëshmorëve të kombit, me theks të veçantë ndaj komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes Jashari, duke thënë se falë tyre sot Kosova ka ushtrinë që e mbron popullin e vet.

“Është një ditë e gëzuar për të gjithë ne, sepse me Forcën e Sigurisë së Kosovës, të pajisur gjithnjë e më mirë, brezat e rinj do të rriten më të sigurt për të jetuar në paqe, për t’u zhvilluar dhe për të lulëzuar. Sakrifica e dëshmorëve, mbi të gjitha e kryekomandantit Adem Jashari dhe familjes Jashari, si dhe kontributi i veteranëve e invalidëve të UÇK-së, qëndron në themel të çdo të arriture. Ndërsa sot shohim fëmijët që vijnë ta shohin ushtrinë e tyre, gjë që u ngroh zemrat dhe u jep shpresë për të ardhmen”, tha Kurti.

Ai theksoi se FSK ka kaluar nga mungesa e pajisjeve në një periudhë investimesh të mëdha dhe modernizimi të armatimit.

Kryeministri në detyrë falënderoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme.

“Duhet veçuar sigurimi i sistemit antitank ‘Javelin’ nga SHBA-të dhe procesi i marrjes së helikopterëve ‘Black Hawk’. Kjo është arsyeja pse i falënderojmë aleatët tanë, NATO-n dhe posaçërisht Shtetet e Bashkuara, që na mbështesin në pajisje, armatim, municion dhe trajnime. Trajnimet jashtë vendit janë katërfishuar dhe buxheti për mbrojtje është trefishuar. Ky është obligimi ynë ndaj mbrojtjes së Republikës së Kosovës”, përfundoi Kurti.