Kurti ua shuan shpresat Sindikatave: Mundësitë për rritje pagash janë relativisht të vogla

Kryeministri, Albin Kurti në konferencën e sotme së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Rifat Latifi, kanë folur për protestat e punëtorëve shëndetësorë për rritje të pagës.

Lajme

05/12/2021 17:19

I pari i Qeverisë ka falënderuar stafin mjekësor për punën që po bën në sektorin shëndetësor, por tha se gjasat për rritje të pagës janë të vogla për shkak të siç u shpreh ai, neglizhencës së kësaj çështjeje në dy dekadat e fundit.

“Natyrisht që unë i kuptoj grevat mirëpo mirëkuptimi im varet nga ligjshmëria e tyre pra duhet të kemi greva të ligjshme. Veçse Republika e Kosovës po bën gjithçka që t’iu dalë në ndihmë punëtorëve shëndetësorë dhe u jemi përjetësisht falënderues mirënjohës, jo vetëm për angazhimin e deritanishëm, por edhe të vazhdueshëm dhe në vijim. Mundësitë e Kosovës janë relativisht të vogla dhe ne e dimë në çfarë gjendje janë ndodh sistemi shëndetësor dhe shërbimi mjekësor në përgjithësi në Kosovë për shkak të anashkalimit për më shumë se dy dekada”, ka thënë Kurti.

Më tutje ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi ka folur edhe për çështje e specializantëve ku thotë se në të ardhëm si prioritet kanë edukimin e specializantëve. Po ashtu, Latifi ka treguar edhe për dozën e tretë të vaksinës ku thotë se ditën e nesërme do të ketë takim me komitetin për vaksinim.

“Çështja me specializantët, por edhe edukimi i tyre dhe përgatitja profesionale në të ardhmen kanë me qenë një nga shtyllat kryesore të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Qeverisë së Kosovës. Ne jemi duke punuar për zgjedhjen e kësaj çështje kjo duhet zgjidhur sa më shpejt apo çështja më e rëndësishme, ne do ta ristrukturojmë në tërësi edukimin e specializantëve dhe infermierëve, përgatitjen profesionale pas specializimit kështu që kjo ka me qenë një nga shtyllat kryesore të punës sonë të ardhshme”, tha ai.

Kryeministri Kurti duke folur për këtë çështje, tha se do t’i mirëpresë specializantët, por që sipas tij më e rëndësishme është të zgjidhet problemi se sa të zhvillohet takimi për problemet që dihen.

“Unë jam në kontakt me ministrin e Shëndetësisë dhe zëvendësin e tij Dafina Gexha-Bunjaku dhe natyrisht që do t’i pres edhe specializantët, por ta keni parasysh që më e rëndësishme është si ta zgjedhim problemin, në mënyrë të drejtë dhe parimore në mënyrë të qëndrueshme se sa ta zhvillojmë edhe një takim ku do t’i dëgjojmë problemet që nuk është se nuk i dimë”, ka thënë Kurti.

Në nëntor të vitit të kaluar rreth 1.500 specializantë ishin bërë pjesë e sistemit publik shëndetësor në Kosovë, ku punësimi i tyre ndodhi gjatë udhëheqjes së ish-ministrit të Shëndetësisë Armend Zemaj