Kurti tregon detyrat e grupit punues për strategjinë shtetërore në mbështetje të Apelit për ish-krerët e UÇK-së
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetës së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshit në Kuvend ka dhënë detaje në lidhje me themelimin e Grupit Punues për hartimin e bashkërendimin e Strategjisë shtetërore për Apelin ndaj ish-krerëve të UÇK-së. Ai ka thënë se lufta çlirimtare ishte e drejtë dhe e domosdoshme përballë shtypjes, krimeve,…
Lajme
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetës së PDK-së, Ariana Musliu-Shoshit në Kuvend ka dhënë detaje në lidhje me themelimin e Grupit Punues për hartimin e bashkërendimin e Strategjisë shtetërore për Apelin ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Ai ka thënë se lufta çlirimtare ishte e drejtë dhe e domosdoshme përballë shtypjes, krimeve, dhunës dhe gjenocidit të Serbisë dhe sipas tij mbrojtja e të vërtetës së kësaj lufte, kërkon përgjegjësi shtetërore, unitet politik dhe veprim të organizuar.
Kurti ka thënë se aktgjykimi ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit e ka thelluar hendekun mes asaj që është shpallur në emër të drejtësisë dhe asaj që kërkojnë e vërteta historike, faktet dhe parimet mbi të cilat drejtësia duhet të qëndroj. Këtë vendim që ai e ka quajtur padrejtësi, ka thënë se duhet të korrigjohet në Apel dhe Qeveria për këtë do t’i angazhoj kapacitetet e saj për ta mbështetur këtë përpjekje.
“Për këtë qëllim, po e nisim hartimin e një strategjie shtetërore me gjithëpërfshirje. Me vendimin e Qeverisë dje themeluam grupin punues për hartimin dhe bashkërendimin e kësaj strategjie të kryesuar nga zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri i MPJD-së, Glauk Konjufca. Mandati i tij përfshin mbështetjen juridike dhe institucionale, në procedurat e Apelit si dhe bashkërendimin e veprimeve diplomatike për dokumentimin, mbrojtjen dhe afirmimin ndërkombëtar të së vërtetës historike të luftës çlirmtare të Kosovës. Grupi do të bashkëpunoj me ekipet mbrojtëse për identifikimin e nevojave për dokumentacion, ekspertizë profesionale dhe mbështetje institucionale duke përfshirë ekspertë vendor dhe ndërkombëtarë sipas nevojave të cilat identifikohen”, ka thënë Kurti.
Ai ka thënë se pjesë themelore e punës do të jetë sistemimi dhe analizimi i dokumentacionit historik, juridik dhe gjyqësor, duke përfshirë aktgjykimet e Tribunalit Ndërkombëtar Penal për ish-Jugosllavinë lidhur me krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë nga Serbia.
“Kjo bazë dokumentare do t’i shërbej mbështetjes së mbrojtjes dhe një komunikimi ndërkombëtar të qëndrueshëm të mbështetur në fakte dhe argumente. Këtë proces e kemi konceptuar si angazhim gjithë-institucional dhe mbi-partiak. UÇK dhe lufta çlirimtare e popullit janë trashegimi e përbashkët dhe përgjegjësia për mbrojtjen e së vërtetës së saj shkon përtej mandateve qeverisë dhe dallimeve partiake. Prandaj, grupi punues është ngarkuar që ta përgatis propozimin fillestar të strategjisë me masa prioritare, institucione përgjegjëse dhe afate të zbatimit. Kështu po e kthejmë qëndrimin tonë në veprim konkret shtetëror , mbështetje e bashkërenduar për korrigjimin e aktgjykimit në Apel dhe angazhim të vazhdueshëm për mbrojtjen e së vërtetës historike dhe luftës së UÇK-së”, ka thënë Kurti. Lajmi.net