Kurti tha se s’ka rritje të pagave në sektorin publik, tani ndryshoi vendim- Opozita e njohësit thonë se është veç fillim fushate

Javë më parë në një konferencë për media kryeministri i vendit, Albin Kurti, dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, njoftuan se që nga janari i vitit të ardhshëm do të bëjnë rritje të pagave, por kësaj radhe jo duke e rritur koeficientin por duke e rritur për një njësi për sektorë. 55…

Lajme

08/11/2024 13:27

Javë më parë në një konferencë për media kryeministri i vendit, Albin Kurti, dhe ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, njoftuan se që nga janari i vitit të ardhshëm do të bëjnë rritje të pagave, por kësaj radhe jo duke e rritur koeficientin por duke e rritur për një njësi për sektorë.

55 euro më shumë vlerë monetare në pagat mujore që nga janari, për tu dyfishuar pastaj në korrik e për t’u bërë 110 euro.

“Dikush që e ka koeficientin 5.6 në janar i bëhet 6.1 kurse në korrik i bëhet 6.6. Ose dikush me 10 nga janari i bëhet 11…i bie që të gjithë në sektorin publik pagat për ta do të rriten për 55 euro, duke filluar nga janari dhe për 110 euro nga korriku i vitit të ardhshëm”, tha Kurti, përcjell lajmi.net.

Ndonëse para tre javësh u tha që s’do të ketë rritje pagash me pretekstin se të njëjtat u rritën jo më larg se vitin e kaluar, e ndonëse para disa vitesh zëshëm brohoritën se rritja në kohë të afërt me zgjedhjet është veçse frymë fushate parazgjedhore e strategji për më shumë vota, Kurti, hiq më mirë se ata që i kritikoi i shkeli fjalët e tija.

Dy muaj pasi u ngritën pagat paksa në sektorin privat, pasoi ngritja edhe në atë publik.

Që të dyja pas përcaktimit të datës së zgjedhjeve të ardhshme parlamentare.

Reagime pati si nga pozita e opozita, ku padyshim bashkëpunëtorët vazhduan të thurnin lavde për Kurtin e qeverisjen e tij.

Kundërshtarët politikë e shohin si vendim jo në kohë të duhur, e shumë më shumë si vendim që nivelin e pagave ende e lë shumë larg nivelit të duhur.

E për këtë çështje, lajmi.net ka tentuar kontaktojë edhe me disa njohës të ekonomisë dhe ja çka thonë ata.

Kryetari i Forumit Intelektual 2030, Artan Nimani, nuk i vlerësoj hiq më shumë se mashtrim elektoral këto vendime.

Ai madje shpjegoj se ka edhe gabime teknike të cilat mund të jenë bërë nga mos dija, apo edhe qëllimisht.

“Në plan të parë vendimet e marra më shumë janë një mashtrim elektoral, realisht jo një tendencë për zgjedhjen e problemit, sepse në bazë të  ligjit Qeveria e Kosovës e ka për obligim ta rritë vlerën e koeficientit e jo ta prekë koeficientin. Pra, në plan të parë ka gabime teknike të cilat ose me qëllim ose nga padija e kanë pru në këtë situatë“, u shpreh Nimani.

Madje, si njohës i ekonomisë, Nimani tha edhe se buxheti shtetërorë i vendit është i bollshëm edhe për vlera më të mëdha se sa ato që u prezantuan në konferencën për media të krerëve të shtetit.

“Sa i takon masës monetare në buxhetin e Republikës së Kosovës, ka mjete të mjaftueshme që të rritet vlera jo në 55 euro por edhe në 100-150 euro të shkojë edhe në baza mujore në bazë të inkasimit nga burimet që inkasojnë të hyrat“, qartësoi ai.

Në pyetjen se nëse ka qenë e mundshme që niveli i pagave të rritet më shumë se sa ajo që aktualisht u tha dje, Nimani tha se masa monetare e buxhetit të Kosovës është e mjaftueshme për përballimin e të gjitha kostove, referuar pagave.

“Absolutisht që po, sepse të rritet për 55 por jo paga, por vlera e koeficientit në planë të parë bie ndesh me ligjin. Sepse ligji nuk thotë të preket koeficienti por të rritet vlera e koeficientit, në plan të parë bie ndesh me ligjin. Por, megjithatë masa monetare e Republikës së Kosovës është e mjaftueshme për përballimin e të gjitha kostove, madje madje e kanë obligim që në fund të çdo viti të vlerësohet norma e inflacionit me qëllim që të përmirësohen të ardhurat publike për sektorin publik, po edhe të mbështetet sektori privat për përballimin e inflacionit”, shtoi tutje.

Sipas profesorit Nimani, tash veçse jemi në fushatë elektorale, dhe gjithçka që bëhet është efekt elektoral, por që sipas tij, nuk ka qenë e pritshme që Qeveria të mashtrojë opinionin publik në të tillë mënyrë, duke i vënë në lajthitje ata.

“Megjithatë, sa më shumë që të rritet vlera, sa më shumë që të rriten të hyrat për sektorin publik pore dhe sektorin privat është mirë, sepse ato mjete kthehen në konsum, kthehen në rritje ekonomike. Kështu që, sa më shumë që ta rrisin vlerën, aq më mirë do të jetë. Unë madje kam pritur që Qeveria Kurti do të shkojë me 200 euro rritje, jo të mashtrojë opinionin publik dhe të vë në lajthitje edhe sektorët tjerë, 55 euro tash, 55 euro në korrik”, theksoi ai.

E në fund fare, ai tha se Kurti nuk ka si ta dijë se mund ta bëjë këtë ndryshim, kur e ka të qartë se e ka humbur mbështetjen në masë.

“Ku e di kryeministri Kurti që në korrik do ta bëjë këtë ndryshim, kur dihet qartë se ka humbur mbështetjen e plotë në masë. Prandaj, është diçka që më tepër i takon fallit se sa që i takon një analize ekonomike”, përfundoi në një përgjigje telefonike për lajmi.net

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit për Ekonomi, Ferat Shala, e ka quajtur “fillim të fushatës elektorale“ vendimin për ngritje të pagave në sektorin publik.

Ai për lajmi.net ka thënë se është bërë edhe shkelje e ligjit për paga.

“Ky është fillim i fushatës elektorale të Qeverisë. Ky fillim fillon duke bërë shkeljen e ligjit për pagat. Parimisht ndarja në dy nivele e pagës për vitin e ardhshëm nënkupton që kemi jo seriozitet dhe realisht jo vlerësim meritor për këtë situatë të krijuar për të gjithë ata që janë përfitues të sistemit të pagave”, u shpreh Shala.

E sipas tij, është jashtëzakonisht shumë jo e qëlluar edhe mënyra edhe koha edhe gjithë procesi i ndarjes së pagave në këtë sistem

“Kjo shpallje, akoma pa u miratu ligji i buxhetit, gabimi procedural dhe jo efikas të planifikimit. Në anën tjetër, edhe kjo rritje aq sa ka ndodhur është veç proporcion logjik, edhe me shkallën e inflacionit, edhe me kategoritë e tjera. Pra, kjo është jo meritore dhe e pamjaftueshme për ta zgjidhur problemin social dhe ekonomik të gjithë atyre shërbyesve që janë përfitues nga sistemi i pagave.

Sipas Shalës, koeficienti është dashur të lëvizet akoma, jo të mbetet me kaq.

“Definitivisht është dashur të lëvizet koeficienti shumë më shumë, dhe në këtë relacion kemi një fushatë propagandistike, elektorale dhe assesi nuk i zgjidh problemet. E meritojnë të gjithë ata përfitues të pagave një sistem më të dinjitetshëm dhe shumë më shumë se sa kaq sa u është ofruar”, u shpreh ai në përgjigjen e tij./Lajmi.net/