Kurti takon Kallas në Samitin e EPC-së, diskutohet integrimi evropian dhe dialogu me Serbinë

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, në margjina të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Jerevan. Sipas njoftimit zyrtar, gjatë takimit u diskutua situata politike në rajon dhe çështjet e sigurisë, në…

Lajme

04/05/2026 19:03

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, është takuar me Përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Kaja Kallas, në margjina të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC) në Jerevan.

Sipas njoftimit zyrtar, gjatë takimit u diskutua situata politike në rajon dhe çështjet e sigurisë, në një kontekst të sfidave të ndërlidhura ndërkombëtare. Kurti theksoi rëndësinë e linjëzimit me Bashkimin Evropian në përballjen me këto sfida dhe në avancimin e integrimit evropian të Kosovës.

Ai rikonfirmoi përkushtimin e vendit për agjendën e reformave dhe kërkesën për marrjen e statusit të vendit kandidat për anëtarësim në BE, duke nënvizuar progresin dhe nevojën për trajtim të drejtë e të bazuar në meritë.

Në takim u diskutuan edhe zhvillimet e fundit politike në vend, përfshirë zbatimin e ligjit për të huajt dhe dakordimin e datës 14 mars, që u vlerësua si një momentum i ri pozitiv.

Po ashtu, temë e diskutimit ishte edhe procesi i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe çështja e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc. Kurti ngriti shqetësimet për pasivizimin e adresave dhe mungesën e mbështetjes financiare për Luginën.

Takimi u zhvillua në frymë konstruktive dhe shërbeu për shkëmbim të hapur të pikëpamjeve, duke riafirmuar rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian. /Lajmi.net/