Kurti takon drejtoreshën e BE-së për Ballkanin Perëndimor, kërkon statusin e vendit kandidat për Kosovën
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim drejtoreshën për Zgjerim dhe Fqinjësi të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti, e cila po zhvillon vizitën e saj të parë në Kosovë. Sipas një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, Kurti theksoi se Bashkimi Evropian ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në…
Lajme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në takim drejtoreshën për Zgjerim dhe Fqinjësi të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti, e cila po zhvillon vizitën e saj të parë në Kosovë.
Sipas një njoftimi nga Zyra e Kryeministrit, Kurti theksoi se Bashkimi Evropian ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në zhvillimin e Kosovës përmes instrumenteve të ndryshme, duke nënvizuar se anëtarësimi në BE mbetet synimi strategjik dhe e ardhmja e vendit.
Ai tha se Kosova e ka shndërruar mbështetjen e BE-së në një demokraci gjithëpërfshirëse që promovon vlerat evropiane dhe shtoi se vullneti i qytetarëve të Kosovës për anëtarësim duhet të marrë përgjigje nga Bashkimi Evropian përmes dhënies së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave të anëtarësimit.
Gjatë takimit, Kurti theksoi se Kosova vazhdon të shënojë progres në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, të drejtat politike, liritë civile dhe proceset zgjedhore.
Ai gjithashtu vuri në pah përparimin në zbatimin e reformave evropiane, harmonizimin e plotë të politikës së jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Evropian, si dhe zhvillimin ekonomik të vendit.
Në takim u diskutua edhe për bashkëpunimin rajonal dhe rëndësinë e zbatimit të marrëveshjeve të Procesit të Berlinit. Kurti veçoi marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime, e cila ende nuk është ratifikuar nga Bosnja dhe Hercegovina, si dhe marrëveshjen për njohjen e diplomave. /Lajmi.net/