Kurti takohet me kongresistin amerikan në mjediset e Konsullatës së Kosovës në New York

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është për vizitë zyrtare në SHBA, ku është takuar me kongresistin amerikan nga Partia Republikane, Keith Self. Ky takim është realizuar në mjediset e Konsullatës së Republikës së Kosovës në New York. “Kongresisti Self është një mbështetës i zëshëm i Republikës së Kosovës. Bashkë diskutuan për marrëdhëniet bilaterale dhe…

Lajme

25/09/2025 16:20

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti është për vizitë zyrtare në SHBA, ku është takuar me kongresistin amerikan nga Partia Republikane, Keith Self.

Ky takim është realizuar në mjediset e Konsullatës së Republikës së Kosovës në New York.

Kongresisti Self është një mbështetës i zëshëm i Republikës së Kosovës. Bashkë diskutuan për marrëdhëniet bilaterale dhe bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, dhe për rolin aktiv dhe kontributin e vazhdueshëm të diasporës shqiptare në ShBA”, thuhet në komunikatën e ZKM. 

ZKM ka thënë se Kryeministri e njoftoi kongresistin Self për investimet që janë bërë në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe operative të Forcës së Sigurisë së Kosovës, përfshirë këtu pajisjet dhe armatimin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si rezultat i drejtpërdrejtë i bashkëpunimit bilateral në mbrojtje.

Ndër të tjera, thuhet se ai theksoi vendimet e qeverisë për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme nga ShBA-të të shtetasve të vendeve të treta dhe, së fundmi, heqjen e tarifës doganore ndaj të gjitha produkteve me origjinë nga ShBA, si dhe vazhdimin e programit Kompakt të Korporatës së Sfidave të Mijëvjeçarit për Kosovën nga administrata e re amerikane, si shprehje dhe dëshmi e partneritetit të besueshëm.

 

“Gjatë takimit, gjithashtu u theksua roli dhe rëndësia e diasporës shqiptare në ShBA në forcimin e lidhjeve mes dy vendeve dhe shtimin e bashkëpunimit në sektorin privat përmes fasilitimit të investimeve të huaja direkte. Kryeministri e ftoi kongresistin Self për vizitë në Kosovë dhe e falënderoi atë për qëndrimet dhe përkrahjen publike të tij ndaj Kosovës dhe anëtarësimit të saj në NATO dhe struktura të tjera euroatlantike, teksa theksoi interesimin dhe gatishmërinë e Republikës së Kosovës dhe institucioneve të saj për bashkëpunim edhe më të afërt me miqtë tanë në Kongres dhe me qeverinë amerikane në promovimin e vlerave dhe interesave të përbashkëta të të dy vendeve. Kryeministri Kurti po qëndron në New York për takime në kuadër të Javës së Nivelit të Lartë të Sesionit të 80-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara”, thuhet në komunikatën e ZKM-së. /Lajmi.net/