Kurti takohet me Joe dhe Shirley DioGuardi: I falënderova për kontributin e tyre të pamatshëm
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në Zyrën e Kryeministrit Joe DioGuardin dhe Shirley Cloyes DioGuardin, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë, angazhimin e tyre ndër vite dhe të ardhmen e vendit. Kurti ka vlerësuar kontributin e çiftit DioGuardi për Kosovën dhe shqiptarët, duke theksuar se ata prej…
Lajme
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur sot në Zyrën e Kryeministrit Joe DioGuardin dhe Shirley Cloyes DioGuardin, me të cilët ka diskutuar për zhvillimet në Kosovë, angazhimin e tyre ndër vite dhe të ardhmen e vendit.
Kurti ka vlerësuar kontributin e çiftit DioGuardi për Kosovën dhe shqiptarët, duke theksuar se ata prej dekadash janë angazhuar në mbështetje të çështjes shqiptare dhe kanë dhënë ide e kontribut të çmuar për vendin, transmeton lajmi.net.
“I falënderova për kontributin e tyre të pamatshëm për rreth katër dekada nga Kongresi i Shteteve të Bashkuara te Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane”, ka shkruar Kurti.
Në takim, sipas Kurtit, është diskutuar edhe me anëtarët e Bordit të Ligës Qytetare Shqiptaro-Amerikane për angazhimin e tyre dhe aktualitetet në Kosovë, si dhe për të ardhmen e vendit.
Kurti ka veçuar rolin e Joe DioGuardit, ish-kongresistit të parë amerikan me origjinë shqiptare, duke e renditur atë krahas Tom Lantos, Bob Dole dhe Eliot Engel si një prej zërave të hershëm dhe të fuqishëm në mbështetje të Kosovës.
“Kosova ishte me fat dhe e bekuar që pati ambasadorë të këtillë edhe kur s’kishte ambasadë të Republikës në ShBA”, ka shkruar Kurti, duke shprehur mirënjohjen e tij për kontributin e tyre./lajmi.net/