Kurti ‘shfrytëzon’ pushtetin, sot ndan mjete buxhetore veç për komunat ku qeverisë VV-ja

Albin Kurti siç duket ditëtn ‘në detyrë’, po i shfrytëzon fuqishëm, për të ndarë para veç për Komunat ku qeverisë partia Vetëvendosje. Në tri nga nëntë pikat e rendit të ditës, kemi të bëjmë me ndarje të mjeteve. Në pikën 7 flitet për Ministrinë që udhëheq Hajrullah Çeku, që është kandidat për Prishtinën nga VV,…

Lajme

01/08/2025 08:44

Albin Kurti siç duket ditëtn ‘në detyrë’, po i shfrytëzon fuqishëm, për të ndarë para veç për Komunat ku qeverisë partia Vetëvendosje.

Në tri nga nëntë pikat e rendit të ditës, kemi të bëjmë me ndarje të mjeteve. Në pikën 7 flitet për Ministrinë që udhëheq Hajrullah Çeku, që është kandidat për Prishtinën nga VV, ndërkohë, në pikën 8 pritet të ndahen mjete për Podujevën dhe Shtimen, të dy këto që qeverisen nga VV-ja.

Qeveria në detyrë e Kosovës, e udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, do të mblidhet sot në orën 11:00, në mbledhjen e saj të 265-të me radhë. Sipas dokumenteve zyrtare, Qeveria do të shqyrtojë një numër të madh propozim-vendimesh që prekin ministri dhe komuna të drejtuara nga Vetëvendosje, por gjithashtu edhe një dikaster që aktualisht përballet me aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, shkruan Demokracia.com.

Në rendin e ditës është përfshirë rialokimi i mjeteve në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal për pesë projekte kapitale, në bazë të marrëveshjeve të bashkëfinancimit me komunat.

Kjo ministri udhëhiqej deri tani nga ministri në detyrë Fikrim Damka, ndaj të cilit Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë për keqpërdorim të pozitës zyrtare, nën dyshimin se ka dëmtuar buxhetin e shtetit për mbi 1 milion euro përmes financimit të paligjshëm të dy OJQ-ve – Germin dhe Caritas Zviceran, pa thirrje publike.

Nëse Qeveria nuk merr asnjë masë lidhur me shkarkimin apo pezullimin e ministrit nën aktakuzë, kjo mund të konsiderohet si heshtje ndaj një skandali që tashmë është bërë publik nga organet e drejtësisë.

Përveç kësaj, Qeveria Kurti pritet të shqyrtojë edhe këto pika:

  • Emërimi i Këshillit Statistikor të Kosovës;

  • Emërimi i Drejtorit të Përgjithshëm të Institutit të Administratës Publike dhe i Drejtorit Ekzekutiv të Agjencisë për Forenzikë;

  • Pezullimi nga puna i një nëpunësi të lartë drejtues në Ministrinë e Zhvillimit Rajonal;

  • Aprovimi i projekteve kapitale shumëvjeçare të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, një tjetër dikaster nën kontrollin e Vetëvendosje;

  • Ndarja e mjeteve për përfundimin e projekteve në komunat Podujevë dhe Shtime – që po ashtu udhëhiqen nga Vetëvendosje;

  • Shqyrtimi i Draft-Raportit të Statistikave Zyrtare për vitin 2024.

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj ministrit në detyrë të Zhvillimit Rajonal, Fikrim Damka.

Lajmi është bërë i ditur në faqen e Prokurorisë Speciale.

“Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurve F.D. dhe B.K. për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”. F.D., në cilësinë e ministrit të Ministrisë së Zhvillimit Rajonal, dhe B.K., në cilësinë e ushtruesit të detyrës së sekretarit të kësaj ministrie, akuzohen se, nga data 16.08.2021 deri më 24.03.2022, kanë tejkaluar kompetencat e tyre ligjore me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore për dy organizata joqeveritare, “Germin” dhe “Caritas Zviceran””, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, Damka ka financuar organizata pa organizuar thirrje publike, duke dëmtuar buxhetin mbi 1 milion euro.

“Sipas aktakuzës të pandehurit, duke vepruar në kundërshtim me Ligjin për Marrëveshjet Ndërkombëtare dhe Procedurat e Financimit Publik të OJQ-ve, dhe në kundërshtim me kompetencat e Ministrisë, kanë tejkaluar limitet e mundësisë së financimit të OJQ-ve nga fondet publike, duke financuar organizatat e përmendura pa organizuar thirrje publike. Ekziston dyshimi i bazuar mirë se të pandehurit i kanë shkaktuar dëm buxhetit të Republikës së Kosovës në vlerë prej 1,040,000 euro”, thuhet në njoftim.

“Prokuroria Speciale i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që, pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor, të pandehurit të shpallen fajtorë dhe ndaj tyre të shqiptohet dënim me gjobë dhe dënim me burgim efektiv, pasi vetëm me këto lloje dënimesh do të arrihet qëllimi i paraparë me nenin 38 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, theksohet më tutje.

Ky skandal ishte raportuar nga Partia Demokratike e Kosovës.